• Shqip

Leja prindërore në të mirë të shoqërisë

04.12.2017 Fahri Jashari

Barazia gjinore është njëra ndër vlerat themelore të shoqërisë së Kosovës prandaj edhe është detyrë e tërë shoqërisë që të mënjanoj pengesat duke garantuar sjellje, pozitë, mundësi dhe përfitime të barabarta për të dy gjinitë në të gjitha sferat e jetës. Të drejtat e njeriut janë universale. Ato u përkasin të gjithë individëve dhe duhet të gëzohen në mënyrë të barabartë nga të gjithë. Pavarësisht kësaj, në shoqëri janë të pranishme sjellje që trajtojnë në mënyrë të diferencuar individë dhe kjo për shkaqe nga më të ndryshmet një prej të cilave është edhe përkatësia gjinore.
Prindërit kanë detyrë të kujdesen për zhvillimin, mirëqenien, edukimin dhe arsimimin e fëmijëve. Shteti dhe shoqëria duhet t’u ofrojnë familjeve mbështetjen e nevojshme për të mbajtur në gjirin e tyre fëmijët, për të parandaluar keqtrajtimin dhe braktisjen e tyre, si dhe për të ruajtur qëndrueshmërinë e familjes. Statusi i burrit në vendin tonë është shumë dominant si në familje dhe në shoqëri. Gruaja konsiderohet si diçka shtëpiake që duhet mbajtur dhe çdo gjë që ka nevojë. Kjo ideologji e kanë bërë gjithmonë gruan ti nënshtrohet dominimit të burrave. Burrave me Ligjin aktual të Punës nuk u është njohur pushimi prindëror, pasi u lejohet të marrin pushim vetëm dy ditë me pagesë dhe vetëm dy javë pa pagesë, të cilën mund ta marrin kurdo para se fëmija të arrijë moshën trevjeçare. Kështu, duke mos iu njohur e drejta për pushim të përbashkët prindëror, të vetmen mundësi për ta marrë pushimin prindëror është në marrëveshje me gratë. Por në Kosovë marrja e pushimit prindëror në vitet e para të lindjes së fëmijës nga baballarët po konsiderohet si çështje problematike, jo vetëm për punëdhënësit dhe ligjvënësit, por edhe për vetë prindërit. Edhe pse në anën tjetër në vendin tonë ka nisur të rritet numri i burrave të cilët po marrin pushim prindëror, por ky numër prapë është shumë i vogël.
Kjo rritje konsiderohet që mund të ketë ndikim pozitiv në shëndetin e fëmijës, por edhe në arritjen e barazisë gjinore, duke ditur se sa të diskriminuar janë burrat me ligjin aktual. Ndërsa një skemë e pushimit të përbashkët të lehonisë, atësisë dhe prindëror do të funksiononte mirë në Kosovë, duke konsideruar se pushimi i përbashkët balancon prindërimin në mes të burrave dhe grave. Me Ligjin aktual të Punës, gratë dhe nënat e reja marrin një pushim prej 12 muajsh, duke përfshirë këtu nëntë muaj pushim me pagesë dhe tre muaj pushim pa pagesë. Për gjashtë muajt e parë punëdhënësit paguajnë 70% të pagës së saj të rregullt, ndërsa Qeveria paguan për tre muajt e ardhshëm 50% të pagës mesatare në Kosovë.
Por, me ligjin e ri, tek i cili po kontribuojnë edhe ekspertë të shoqërisë civile, po tentohet që në total pushimi i mundshëm do të arrinte në 12 muaj, siç është tani, nëse familja vendos të përdorë të gjithë pushimin brenda vitit të parë. Pushimi do të mundë të merrej kurdo derisa fëmija të arrijë moshën njëvjeçare. Prindërit do të mund të vendosnin nëse ky pushim do të merrej nga nëna, babai, apo të ndahej mes tyre. Prandaj, shumica e familjeve me të dy prindërit e punësuar do të kenë një arsye financiare që babai ta shfrytëzojë këtë pushim dhe të qëndrojë në shtëpi me fëmijën e tij. Duke e inkurajuar pushimin e atësisë përmes nxitjes financiare, do t’u mundësohej grave të kthehen në vendet e tyre të punës më shpejt dhe në këtë mënyrë të ulin rrezikun e shndërrimit në të papuna, të marrjes së një page më të ulët apo të uljes në pozitë pas kthimit në punë. Në të njëjtën kohë, një tremujor shtesë mund të ndahet në mes të të dy prindërve ashtu siç u përshtatet atyre. Ky do të ishte pa pagesë, por e drejta e tyre për t’u kthyer në punë do të garantohej. Në përputhje me Direktivën e BE-së për Pushim Prindëror dhe si me shumicën e skemave prindërore, tre muajt e fundit të papaguara të pushimit mund të merren para se fëmija të arrijë moshën tetëvjeçare.
Pushimi i përbashkët prindëror do të kontribuojë edhe në barazinë gjinore, sepse familjet do të kenë arsye financiare që t’i ndajnë përgjegjësitë e përkujdesjes ndaj fëmijës. Kjo mund të kontribuojë në ndërrimin e normave tradicionale gjinore sa i përket familjes dhe punës e të lehtësojë ngritjen e shkallës së punësimit të grave.
Në familjet ku vetëm nëna është e punësuar propozimi për pushim të përbashkët prindëror do të lejonte deri në gjashtë muaj pushim me pagesë për të, ndërsa pastaj babai do të mundë të merrte përsipër përgjegjësitë e kujdesit. Shteti do të duhet të krijonte politika stimuluese, dhe të gjejë forma që edhe femrat të cilat nuk janë në marrëdhënie pune ti kompenzojë ato deri sa fëmija ta arrin moshën 6 vjeqare, kështu do të krijohej një pavarësi ekonomike dhe do të rritje nataliteti në vendin tonë. Ata nuk do të kishin arsye që gruaja të mbetet në shtëpi, pasi që ata do të kishin nevojë për të ardhurat. Për gratë e punësuara kryefamiljare, në mënyrë që të shmangen efektet dëmtuese të mundshme për nënën dhe fëmijën, Qeveria duhet të ofrojë tre muaj shtesë pushim të paguar me 50% të pagës mesatare, që nëse është e nevojshme gratë të qëndrojnë nëntë muaj me fëmijët e tyre. Kjo me gjasë do të përfshinte shpenzime minimale të përgjithshme për Qeverinë.
Përqindja e familjeve në të cilat këta skenarë do të ishin relevantë, duke përfshirë vetëm nënat që punojnë, është e vogël duke e pasur parasysh shkallën e punësimit në Kosovë. Në familjet ku nënat janë të papuna dhe baballarët të punësuar, babai do të mundë të merrte deri në gjashtë muaj pushim me pagesë kurdo brenda vitit të parë, me tre muaj të paguar nga punëdhënësi i tij dhe tre nga shteti.
Pushimi i përbashkët prindëror ofron mundësi të reja për baballarët që punojnë, për të marrë pushim e për të qëndruar me fëmijët e tyre, duke adresuar kështu diskriminimin aktual në baza gjinore që ekziston kundrejt baballarëve.