• Shqip

Gratë po shkollohen, burrat po punësohen!   

12.07.2019 D4D

Në universitetet publike të Kosovës studimet i ndjekin 70,313 studentë. Prej tyre 56% janë vajza, ndërsa 44% janë djem. Por kur është në pyetje punësimi, përqindja e burrave kalon atë të vajzave, kjo ndodh edhe në institucionet e nivelit qendror, në nivel lokal, ndërmarrje publike dhe agjenci të pavarura. Shembull, në nivel të pushtetit lokal, nga 6,103 persona që janë të punësuar si shërbyes civil (në 34 komuna të Kosovës përjashtuar ato të veriut) 67% e tyre janë burra, ndërsa 33% janë gra. Hendeku në punësim mes burrave dhe grave është dukshëm me i madh kur në pyetje janë pozitat drejtuese si shef, kryeshef, sekretar apo drejtor. Këto pozita 92% udhëhiqen nga burrat, vetëm 8% janë gra. Nga kjo e fundit vërehet se burrat edhe paguhen me mirë se gratë.

Këto ishin disa nga shqetësimet që u ngritën në debatin e organizuar nga D4D në sallonin e se martës me temën “Pjesëmarrja e grave dhe të rinjve në vendimmarrje”, me fokus niveli lokal i pushtetit. Pjesëmarrja e garanton ose rezulton me përfaqësim në vendimmarrje, nuk mund të pritet që të ketë përfaqësim të grave dhe të rinjve në vendimmarrje, nëse nuk ka pjesëmarrje të tyre. E pjesëmarrja sigurohet edhe nëpërmjet punësimit, avancimit, inkuadrimit të tyre në debate, komisione, madje edhe në këshillat e lagjeve dhe fshatrave. Në lokalitetet e Kosovës ku janë të formuara këshillat e lagjeve ose fshatrave 95% të tyre nuk ka gra dhe madje edhe pjesëmarrja e të rinjve në to është i pakët.

Mos përfaqësimi i tyre krijon hendek dhe mundësia që të nxirren politika të gabuara në raport me këto dy kategori është e madhe. Një shembull i krijimit të këtij hendeku u tregua në debat.  Kur një donator ndërkombëtar i ishte ofruar komunës së Lipjanit në periudhën e pasluftës me kërkesën që t’u ndihmoj në fushën e kulturës dhe rinisë, kërkesat e udhëheqëseve lokal të asaj kohe ishin që kjo mund të bëhet duke ofruar komunës mjete për të funksionalizuar ‘ansamblin’ lokal, duke ofruar tupan, veshje, dhe mjete tjera. Por, kur i njëjti donator ka dal dhe i ka pyetur të rinjtë se çka ata dëshirojnë, kërkesat e tyre kanë qenë që të ketë kurse të gjuhëve të huaja dhe trajnime për kompjuter.

Ky është një rast që tregon hendekun në caktimin e ‘prioriteteve strategjike’ ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve. Me qellim që mos të ndodh kjo, udhëheqësit e institucioneve duhet të konsultojnë dhe përfshijnë kategoritë e caktuara gjatë procesit të vendimmarrjes. Kjo siguron jo vetëm politika në përputhje me kërkesat e qytetarëve, por edhe përbën një element kyç për zhvillim të qëndrueshëm dhe demokratizim të mirëfilltë të një vendi.

Pjesëmarrja qytetare nënkupton përfshirjen e qytetareve, grupeve te interesit, komunitetit në përgjithësi, në proceset vendimmarrëse me qëllim të krijimit ose përmirësimit të politikave publike, procedurave dhe praktikave në favor te krijimit mirëqenës se qytetareve. Pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje promovon përgjegjësinë, rrisin besimin dhe forcojnë përkushtimin e vendim-marrësve drejt përmirësimit të qeverisjes dhe kufizojnë praktikat e korrupsionit dhe keqqeverisjes.

Caktimi i kuotave gjinore për përfaqësim nëpër institucione nuk është parë si ‘masë’ brenda dimensioneve të demokracisë, por heqja eventuale e kësaj kuote është vlerësuar si rrezik që gratë të mbeten të pa përfaqësuara ose pak të përfaqësuara, veçmas në Kuvend të Kosovës dhe në kuvendet komunale. Roli i tyre në këto dy mekanizma institucional konsiderohet esencial, jo vetëm për përfaqësimin dhe mbrojtjen e drejtave të grave, por edhe për mbrojtjen e interesave të qytetarëve në përgjithësi.

Të rinjtë dhe gratë vazhdojnë t’i shohin përpjekjet e institucioneve të vendit në raport me ta si ‘përpjekje elektorale’ , por jo si praktika domethënëse që përmirësojnë dhe zgjerojnë mundësitë për ta. Projektet në infrastrukturë janë të pakta dhe të vogla në krahasim me kërkesat, subvencionet shpërndahen kryesisht për një kategori ‘recidivistes’ (një grup subjektesh ose individësh që tërheqin për çdo vit mjete për projekte të njëjta) ndërsa inkuadrimi i tyre në vendet e punës bëhet vetëm pas kalimit të një faze ‘testuese’ e ‘vlerësuese’ në parti politike.

Kosova nuk duhet t’i shoh të rinjtë pavarësisht gjinisë si ‘potencial elektoral’ por si ‘potencial profesional’ që duhet angazhuar e shfrytëzuar në favor të zhvillimit të përgjithshëm. Edhe integrimi i vendit në Bashkimin Evropian do të shihet nga Brukseli me mënyrën se si shoqëria kosovare në përgjithësi e ajo institucionale në veçanti po i trajton gratë dhe të rinjtë. Kosova tani me e ka të nënshkruar MSA që disa nga kriteret bazë të saj janë fuqizimi dhe integrimi i gruas në jetë institucionale dhe në tregun e punës.