
Eshtë mbajtur Salloni i së Martës me temën: “Sigurimi i Integritetit: Verifikimi i Fakteve në Sistemin e Drejtësisë në një epokë të keqinformimit mediatik”, në Komunën e Prizrenit, në kuadër të Aktivitetit për Drejtësi i USAID-it në Kosovë.
Për të diskutuar rreth kësaj teme të ftuar në panel ishin: Marcel Lekaj, Zyra për informim dhe komunikim me Median – Gjykata Themelore, Prizren; Valtida Shukriu, Avokate dhe Fisnik Minci, Gazetar dhe Aktivist në Prizren. Ndërkaq, salloni u moderua nga Tringa Kasemi, Qendra për Barazi dhe Drejtësi.
Gjatë këtij salloni u theksua rëndësia e krijimit të një institucioni për verifikimin e lajmeve, pasi informacionet e pavërteta po e prishin imazhin e institucioneve në vend dhe minojnë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Andaj u kërkua që të merren shembull shtetet e rajonit që kanë mekanizëm për verifikimin e lajmeve. Gjithashtu u theksua se gjykatat marrin gjithnjë e më shumë rol aktiv në transmetimin e informacionit te publiku.