
“Rëndësia e Digjitalizimit të Shërbimeve Publike në Prizren: Përshtatshmëria dhe Përfitimet për Qytetarët”, ishte tema e cila u diskutua në Sallonin e së Martës në Komunën e Prizrenit.
Për të diskutuar rreth kësaj teme, të ftuar në panel ishin: Edin Shehu, Drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit, dhe Eroll Shabani, nga organizata “Ec ma ndryshe”. Ndërsa ky sallon u moderua nga Tringa Kasemi, nga organizata “Qendra për Barazi dhe Drejtësi”.
Panelistët ndanë një diskutim të rëndësishëm rreth digjitalizimit të shërbimeve publike dhe transparencës në administratën lokale. Kjo temë është më aktuale se kurrë, pasi qeverisja e Prizrenit ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të ofruar shërbime efikase dhe transparente për qytetarët.
Një hap i rëndësishëm ka qenë krijimi i shërbimeve online përmes platformës Ekosova. Me 195 shërbime që ofrohen në këtë portal, Komuna e Prizrenit është komuna e dytë në Kosovë që ka mundësuar shërbime të tilla, duke e bërë këtë proces më të thjeshtë dhe më efikas për qytetarët. Pavarësisht këtyre përparimeve, një sfidë mbetet informimi i qytetarëve mbi përdorimin e platformës Ekosova. Komuna ka krijuar sportele të dedikuara për të asistuar qytetarët që kanë probleme me qasjen në portal dhe, si rezultat, ka pasur një rritje të shërbimeve të realizuara online.
Komuna po punon për promovimin e shërbimeve digjitale, me fokus të veçantë në rinovimin e webfaqes komunale dhe informimin e qytetarëve, duke synuar që ata të kenë qasje të lehtë në shërbime online, përfshirë pagesat për taksa dhe shërbime të tjera.



