Qeverisje e Mirë: Sa po respektohen Barazia Gjinore dhe Politikat Rinore në Mitrovicë?

11.06.2019

Përmirësimi i transparencës, llogaridhënies, gjithëpërfshirjes si dhe identifikimi i mundësive të qytetarëve për të qenë pjesë e proceseve vendimmarrëse dhe politikëbërëse ishin disa nga pikat mbi të cilat u zhvillua diskutimi i sallonit të radhës me temë: “Qeverisje e Mirë: Sa po respektohen Barazia Gjinore dhe Politikat Rinore?”, të cilin Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) e organizoi në Komunën e Mitrovicës.

Gjatë këtij diskutimi u potencua se mungesa e të rinjve dhe grave në dëgjime publike është një nga problemet me të cilat po ballafaqohet edhe Komuna e Mitrovicës, gjë që rezulton në përfshirjen e pamjaftueshme të tyre në proceset vendimmarrëse dhe politikëbërëse. Për këtë arsye, ata kërkuan angazhim më të madh të qytetarëve dhe theksuan se qytetarët duhet të jenë më të angazhuar në kërkim të llogaridhënies nga institucionet qeverisëse.

Pjesë e panelit në këtë sallon ishin: Faruk Mujka, Nënkryetar, Komuna e Mitrovicës; Tafil Peci, Drejtor, Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Besa Veseli, Zyrtare për Barazi Gjinore, Komuna e Mitrovicës ndërsa u moderua nga Miradin Bajri, Menaxher, Qendra Rinore Diakonie.

Ky diskutim u organizua në kuadër të projektit “Pjesëmarrje e gjerë për qeverisje të mirë” me mbështetje financiare nga Ambasada Holandeze në Kosovë.

Sallonet e ardhshme