Mbikëqyrja parlamentare ndaj ekzekutivit: Zbatimi dhe monitorimi i ligjeve

21.10.2020

Të martën me datë 20 tetor 2020, është mbajtur Salloni me temë “Mbikëqyrja parlamentare ndaj ekzekutivit: Zbatimi dhe monitorimi i ligjeve”. Pjesë e panelit në këtë sallon ishin: Vlora Limani Hajnuni, Lidhja Demokratike e Kosovës; Artan Abrashi, Lëvizja Vetëvendosje si dhe Rreze Hoxha, Grupi për Studime Politike dhe Juridike.

Gjatë këtij diskutimi znj. Limani – Hajnuni potencoi se roli mbikëqyrës të cilin e ka Kuvendi i Republikës së Kosovës përmes mekanizmave të ndryshëm nuk shfrytëzohet mjaftueshëm, duke potencuar se ky rol nuk është shfrytëzuar as në të kaluarën e as për momentin. U theksua se kjo vërtetohet edhe nga raportet e ndryshme të organizatave të ndryshme vendore e ndërkombëtare, të cilat e monitorojnë Kuvendin.

Në anën tjetër, z. Abrashi duke folur për legjislativin e tanishëm theksoi se ky nuk është legjislativi të cilin populli e ka dashur, mirëpo potencoi se për dallim nga sesioni pranveror, në sesionin vjeshtor është shtuar vëllimi i punës si rrjedhojë e një presioni opozitar.

Rreze Hoxha nga GLPS, thotë se bazuar edhe në raporte të ndryshme, është e vërejtshme që mbikëqyrja parlamentare ndaj ekzekutivit nuk është në nivelin e kënaqshëm. Ndërsa si arsye për rënien e mbikëqyrjes mund ta konsideroj edhe çështjen e pandemisë.

Ky sallon u moderua nga Allen Meta, Menaxher i Projektit, Demokraci për Zhvillim (D4D).

 


Ky sallon u realizua me mbështetje të Fondacionit Heinrich Boll (HBF).

Sallonet e ardhshme