Energjia e së ardhmes: Sa afër janë qytetarët me mundësitë që ofron ligji?

21.10.2026

Më 20 tetor 2026, Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), në bashkëpunim me Lëvizjen FOL, organizoi edicionin e radhës të Sallonit të së Martës, me temën “Energjia e së ardhmes: Sa afër janë qytetarët me mundësitë që ofron ligji?”, në Librarinë Dukagjini, në Prishtinë. Diskutimi mblodhi ekspertë të sektorit të energjisë, përfaqësues të organizatave dhe qytetarë të interesuar për të diskutuar mundësitë që ofron korniza ligjore në Kosovë, sa po arrijnë qytetarët t’i shfrytëzojnë ato dhe cilat janë sfidat që po e përcjellin tranzicionin energjetik.

Në panel morën pjesë Granit Restelica, Inxhinier i Lartë i Mekanikës në Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE); Fiona Bakija, Koordinatore e Projekteve dhe Hulumtuese në Balkan Green Foundation (BGF); Liron Gjocaj, Koordinator i Projekteve dhe Hulumtues i Lartë në Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP); dhe Laura Kryeziu, eksperte e energjisë dhe bashkëthemeluese e Rrjetit Gratë në Energji dhe Miniera (Women in Energy and Mining).

Një nga çështjet kryesore të diskutimit ishte dallimi ndërmjet mundësive që ofron korniza ligjore dhe asaj që po realizohet në praktikë. Gjatë diskutimit u vlerësuan pozitivisht zhvillimet në bazën ligjore të sektorit të energjisë, por njëkohësisht u ngritën shqetësime për ritmin dhe efektivitetin e zbatimit të saj. U theksua se ekzistimi i ligjeve dhe mekanizmave mbështetës nuk është i mjaftueshëm nëse qytetarët nuk kanë informata të qarta, mbështetje të duhur dhe mundësi reale për t’i shfrytëzuar ato.

Në këtë drejtim, vëmendje iu kushtua programeve të subvencionimit për efiçiencë të energjisë, të cilat u diskutuan si shembuj pozitivë të mbështetjes konkrete për familjet. U trajtuan përvojat me skemat e mëparshme të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, që kanë mbuluar një pjesë të kostos së investimeve, si dhe bashkëpunimi me UNDP-në për një skemë të re, e cila gjatë diskutimit u prezantua si mundësi për financimin e plotë të investimeve për familjet përfituese. Megjithatë, u ngrit edhe çështja e qasjes në këto programe dhe nevoja që mbështetja të arrijë te familjet që kanë më së shumti nevojë, përfshirë ato që nuk kanë mundësi financiare për të investuar vetë.

Përveç mbështetjes financiare, mungesa e informimit dhe vetëdijesimit të qytetarëve u identifikua si një tjetër pengesë për shfrytëzimin e mundësive në sektorin e energjisë. U theksua nevoja që qytetarët të kenë më shumë informata për të drejtat që u ofron legjislacioni, programet ekzistuese të mbështetjes dhe përfitimet ekonomike që mund të sjellin investimet në efiçiencë dhe energji të ripërtërishme. Në këtë kontekst, u diskutua edhe rëndësia e një angazhimi më të madh të institucioneve qeveritare, jo vetëm në zbatimin e politikave dhe programeve, por edhe në informimin dhe lehtësimin e qasjes së qytetarëve në to.

Një mundësi tjetër e trajtuar ishte përfshirja më aktive e qytetarëve në prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e ripërtërishme. Diskutimi u përqendrua te potenciali i instalimit të paneleve solare në kulmet e shtëpive dhe zhvillimi i komuniteteve energjetike, përmes të cilave qytetarët mund të përfshihen në prodhimin dhe shfrytëzimin e përbashkët të energjisë. Në këtë drejtim, u ngrit nevoja që Kosova të realizojë një vlerësim të fizibilitetit dhe kapaciteteve të mundshme për instalimin e paneleve solare në kulmet e ndërtesave të banimit. Një vlerësim i tillë do të ndihmonte në identifikimin e mundësive për qytetarët që të bëhen vetëprodhues të energjisë elektrike, duke prodhuar energji për konsumin e tyre dhe duke e dërguar energjinë e tepërt në rrjet, sipas mekanizmave përkatës.

Diskutimi u zgjerua edhe te drejtimi që po merr sektori i energjisë në Kosovë dhe nevoja për një tranzicion energjetik të planifikuar me kujdes. U theksua se kalimi nga burimet tradicionale drejt energjisë më të pastër nuk duhet të kufizohet vetëm në ndryshimin e burimeve të prodhimit, por duhet të marrë parasysh edhe ndikimin social dhe ekonomik. Në veçanti, u ngrit nevoja për planifikimin e së ardhmes së punëtorëve të sektorit tradicional të energjisë, përmes programeve të aftësimit dhe rikualifikimit profesional. Kjo do të mundësonte që punëtorët, të cilët kanë kaluar pjesën më të madhe të jetës profesionale në këtë sektor, të kenë mundësi të përshtaten me ndryshimet dhe të mos mbesin jashtë tregut të punës.

Një tjetër shqetësim i ngritur lidhej me zbatimin e Strategjisë së Energjisë së Kosovës dhe arritjen e objektivave të përcaktuara deri në vitin 2031. Gjatë diskutimit u vlerësua se objektivat e vendosura janë ambicioze, ndërsa ritmi aktual i zbatimit të masave të parapara ngre dyshime serioze për mundësinë e realizimit të tyre brenda afateve. Në këtë drejtim, u theksua rëndësia e përshpejtimit të zbatimit të strategjisë dhe e një angazhimi më të madh institucional për përmbushjen e objektivave të saj.

Nga diskutimi dolën disa çështje që kërkojnë vëmendje dhe veprime të mëtejshme: përmirësimi i zbatimit të kornizës ligjore dhe politikave energjetike, zgjerimi i informimit dhe vetëdijesimit të qytetarëve, lehtësimi i qasjes në skemat e subvencionimit, vlerësimi i potencialit për prodhimin e energjisë solare nga qytetarët, si dhe planifikimi i masave sociale dhe ekonomike që duhet ta shoqërojnë tranzicionin energjetik. Po ashtu, u theksua nevoja për angazhim më të madh të institucioneve përgjegjëse në realizimin e objektivave të Strategjisë së Energjisë.

Në përfundim, diskutimi nxori në pah se zhvillimi i sektorit të energjisë nuk duhet të matet vetëm me miratimin e ligjeve, hartimin e strategjive apo realizimin e investimeve, por edhe me mundësitë dhe përfitimet konkrete që krijohen për qytetarët. Për ta arritur këtë, nevojitet një qasje që lidh zhvillimin e sektorit me nevojat e qytetarëve, përballueshmërinë ekonomike dhe një tranzicion të drejtë, që nuk lë pas punëtorët dhe komunitetet e prekura nga ndryshimet.

Diskutimi u zhvillua sipas rregullës Chatham House, duke nxitur shkëmbimin e hapur të mendimeve dhe përvojave ndërmjet panelistëve dhe pjesëmarrësve.

Ky sallon është organizuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim dhe Lëvizja FOL me mbështetje nga Bashkimi Evropian.

Sallonet e ardhshme