• Shqip

Verifikimi i fakteve në sistemin e drejtësisë në një epokë të keqinformimit mediatik në Kosovë

05.09.2024 Urall Boshnjaku

Në një shoqëri ku mediat kanë një ndikim kaq të madh, raportimi i drejtë dhe, më e rëndësishmja i saktë për të dhe gazetarët është thelbësor. Keqinformimi mediatik jo vetëm që influencon
perceptimin e publikut por mund të dëmtojë besueshmërinë dhe funksionimin e vet institucioneve të drejtësisë. Shpërndarja e lajmeve të rreme shtohet si pasojë e papërgjegjshmërisë mediatike por gjithashtu nxitet dukshëm edhe nga rritja e mediave sociale dhe burimeve jo-profesionale e burimeve të paverifikuara të informacionit.

Në këtë kontekst, është nevojë serioze që të diskutohet roli i mediave dhe i institucioneve të drejtësisë në verifikimin e fakteve dhe luftimin e keqinformimit por është jetik edhe angazhimi që mediat dhe sistemi i drejtësisë të punojnë së bashku për të përmirësuar cilësinë e informacionit dhe për të shmangur keqinformimin që dëmton perceptimin publik dhe funksionimin e drejtësisë.

Impakti i keqinformimit në sistemin e drejtësisë dhe përceptimi publik

Keqinformimi ka shumë ndikime tek sistemi i drejtësisë. Lajmet që janë të pasakta ose të manipuluara mund të krijojnë një perceptim të shtrembëruar të realitetit që e bënë që qytetarët të mos e besojnë plotësisht drejtësinë. Kjo mund të ketë ndikime të mëdha si rënia e respektit për ligjin dhe shtimi i skepticizmit ndaj vendimeve gjyqësore.

Për shembull, raportimet që ekzagjerojnë ose minimizojnë një çështje ligjore mund të ndikojnë në opinionin publik, dhe si rrjedhojë, edhe në presionin ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Një person i cili lexon lajme që ofrohen me përmbajtje të pasaktë do të humbasë besimin në institucionet e drejtësisë, duke e parë atë si të korruptuar dhe të padrejtë. Ndikim të madh në këtë aspekt luan edhe diskursi i pushtetit politik i cili në kushte ideale duhet të jetë i ndarë nga pushteti gjyqësor dhe ai medial dhe të mos tentoj interferimin në këto dy pushtetet e tjera me synim disbalancimin e tyre dhe ndikimin në krijimin e opinionit publik përmes zgjatimeve të veta në medie apo medieve që tërthorazi mund t’i shërbejnë qëllimeve të tyre politike.

Mediat kanë një përgjegjësi të madhe për t’u siguruar që informacioni që u ofrojnë qytetarëve të jetë i saktë dhe i verifikuar. Një nga hapat e parë që duhet ndërmarrë është përmirësimi i punës në verifikimin e fakteve.

Ndikimi i mediave fantome dhe profileve individuale në dezinformim

Në këtë periudhë të internetit dhe mediave sociale, ku “e vërteta” tashmë është në duar të çdo personi, ndikimi i mediave fantome dhe profileve individuale është bërë gjithnjë e më i dukshëm në krijimin dhe përhapjen e dezinformatave. Këto media pa adresë kanë mungesën e rregullimit si dhe përdorin anonimitetin për të krijuar dhe shpërndarë dezinformatë duke u përqendruar te lajme që mund të dëmtojnë ose influencojnë perceptimin tuaj për drejtësinë.

Tjetra, është ndikimi i profileve individuale në rrjetet e ndryshme sociale. Platformat sociale si TikTok, Snapchat, Instagram, Facebook dhe Telegram i janë vënë në dispozicion të gjithëve, gjë që do të thotë se nuk ka më vend për profesionistët e fushës që diskutojnë për çështje të ndërlikuara profesionale.

Në vend të kësaj, shumë figura/profile të “famshëm/famshme” në këto rrjete sociale zgjedhin të publikojnë informacion të gabuar ose të manipuluar dhe të ndajnë opinione ose informacione që mund të jenë të gabuara ose të manipuluara. Kjo përhapje e gjerë e informacionit të pasaktë përmes platformave sociale ka një ndikim të madh në perceptimin publik, duke bërë që qytetarët të formojnë opinione të gabuara mbi çështje të rëndësishme ligjore.

Për të luftuar këtë fenomen, është e nevojshme që mediat dhe organizatat e verifikimit të fakteve të jenë më aktive në rrjetet sociale. Kjo mund të bëhet përmes krijimit të përmbajtjeve edukative që ndihmojnë publikun të dallojë informacionin e besueshëm nga dezinformatat, si dhe përmes monitorimit të vazhdueshëm të platformave sociale për të identifikuar dhe përgënjeshtruar lajmet e rreme.

Për ta përmirësuar gjendjen me keqinformimin në lidhje me sistemin e drejtësisë, do duhet të analizojmë këtë në dy aspekte. Rolin që media ka në përmirësimin e raportimit dhe nga aspekti i funksionit që luan vet sistemi i drejtësisë në verifikimin e fakteve dhe shmangien e keqinformimit.

Roli i medias në përmirësimin e raportimit dhe luftimin e keqinformimit

Për të përmirësuar situatën, mediat duhet të marrin masa të mëdha në rritjen e standardeve të tyre
të raportimit. Këto masa përfshijnë:
1.Trajnimin e Gazetarëve: Gazetarët duhet të kenë njohuri të mjaftueshme juridike për të kuptuar dhe transmetuar drejt proceset gjyqësore dhe ligjet në fuqi. Kjo do të zvogëlonte keqkuptimet dhe keqinterpretimet që shpesh lindin nga mungesa e njohurive.
2. Verifikimi i Fakteve: Para publikimit, gazetarët duhet të punojnë në një proces serioz të verifikimit të fakteve. Për këtë qëllim, bashkëpunimi me ekspertë juridikë dhe organizata të specializuara në fact-checking është i domosdoshëm. Por, redaksitë kredibile të medieve që qëndrojnë mire financiarisht dhe kanë edhe pavarësi politike mund të krijojnë vet ekipe të specializuara për fact-checking, të cilat do të jenë të trajnuara në identifikimin dhe vlerësimin e burimeve të besueshme. Kjo është e domosdoshme për të shmangur përhapjen e keqinformimit që mund të çojë në një perceptim të gabuar të sistemit të drejtësisë.

3. Raportimi i Balancuar: Mediat duhet të ofrojnë mundësi deklarimi/pronocimi për të gjitha palët e përfshira në çështje gjyqësore, duke siguruar që raportimet e tyre të mos jenë njëanshme ose të ndikuara nga interesat e veçanta.

4. Puna praktike: Organizimi i punës praktike të përbashkët mes zyrtarëve të zyrave për informim të gjykatave dhe prokurorive dhe gazetarëve nga mediat, në ambientet e gjykatave dhe prokurorive, do të ishte një hap i rëndësishëm për përmirësimin e raportimit. Ky bashkëpunim praktik do t’i mundësonte gazetarëve të kuptojnë më mirë proceset ligjore dhe të raportojnë në mënyrë më të saktë dhe të përgjegjshme.

5. Profilizimi: Dedikimi i redaksive por edhe i shkollave të gazetarisë, për orientimin e gazetarëve drejt profilizimit në fushën e drejtësisë dhe fusha të tjera specifike do të ndihmonte në krijimin e një grupi profesionistësh të kualifikuar që mund të raportojnë me kompetencë të lartë. Kjo do të siguronte që çështjet ligjore të trajtohen nga persona që kanë njohuri të thella dhe të qëndrueshme në këtë fushë, duke minimizuar mundësinë e keqinformimit.

6. Transmetuesi publik: Realizimi i një cikli emisionesh informative për edukim medial të publikut do ishte një tjetër komponentë kruciale në përmirësimin e të kuptuarit të duhur të produkteve mediale që i servohen vet publikut.

7. Edukimi Medial në shkolla: Insistimi i organizatave dhe organeve mediale në vend pë futjen e lëndës së edukimit medial në shkolla dhe aplikimi i kësaj në praktikë do e rriste dukshëm të kuptuarit korrekt të materialeve mediale dhe do ndikonte në shmangien e lajmeve nga mediet fantome nga ana e publikut. Roli i sistemit të drejtësisë në verifikimin e fakteve dhe përmirësimin e informimit
Sistemi i drejtësisë gjithashtu ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në këtë çështje.

Disa hapa që mund të merren për të ndihmuar në luftimin e keqinformimit përfshijnë:

1. Transparenca dhe qasja në informacion: Institucionet e drejtësisë duhet të jenë më të hapura dhe të aksesueshme për publikun dhe mediat. Duke ofruar informacion të saktë dhe të përditësuar në lidhje me proceset gjyqësore, ato mund të ndihmojnë në zvogëlimin e hapësirës për spekulime dhe lajme të rreme.

2. Konferencat për shtyp dhe deklaratat zyrtare: Gjyqtarët dhe prokurorët duhet të ofrojnë deklarata zyrtare dhe konferenca për shtyp për të sqaruar çështjet e rëndësishme, duke siguruar kështu që publiku të ketë informacion të besueshëm dhe të verifikuar. Kjo duhet të ndodhë sidomos në situatat kur ka raste urgjente që tërheqin vëmendjen e publikut, në mënyrë që të shmanget keqinformimi, institucionet e drejtësisë duhet t’i ofrojnë publikut përmes platformave sociale ose konferencave për media të gjitha detajet që posedojnë e që janë të transmetueshme.

3. Bashkëpunimi me organizatat e fact-checking: Institucionet e drejtësisë mund të bashkëpunojnë me organizata të specializuara në verifikimin e fakteve për të identifikuar dhe korrigjuar keqinformimin që qarkullon në media dhe rrjete sociale.

4. Krijimi i një platforme të përbashkët: Një platformë e përbashkët ku mediat dhe sistemi i drejtësisë mund të bashkëpunojnë për verifikimin e informacionit do të ishte një hap i rëndësishëm për të luftuar keqinformimin. Kjo platformë do të mundësonte korrigjimin e keqinterpretimeve në kohë reale dhe ofrimin e sqarimeve të nevojshme për publikun.

Konkluzionet
Si përfundim, duhet të bëhet punë serioze që si shoqëri në të cilën keqinformimi është një nga kërcënimet më të ndjeshme ndaj integritetit të përbashkët t’i shmangemi ekspozimit ndaj burimeve të paverifikuara, por edhe duhet të bëhen disa hapa shumë të rëndësishëm për të përmirësuar raportimin dhe verifikimin e fakteve.

Media duhet të përpiqet për një verifikim shumë më matanë informacionit fillestar, të investojë në trajnime të përgjithshme për gazetarët e vet dhe të bashkëpunojë shumë më ngushtë me sistemin e drejtësisë.

Në anën tjetër, përfaqësues të sistemit të drejtësisë duhet të jenë më të hapur dhe transparentë në komunikimin e tyre me publikun dhe mediat, duke ofruar informacion të qartë dhe të saktë. Ndërsa me pjesën e dytë është më problematike lufta kundër keqinformimit dhe ndikimi i mediave të rreme, të cilat përhapen me shpejtësi me ndihmën e rrjeteve sociale.

Edukimi i publikut dhe ndërgjegjësimi për rëndësinë e verifikimit të fakteve janë hapa të rëndësishëm për të siguruar që qytetarët të marrin informacion të besueshëm dhe të formojnë opinione të informuara mbi çështjet e drejtësisë. Përmes një përpjekjeje të përbashkët, mund të ruhet integriteti i sistemit të drejtësisë dhe të sigurohet që qytetarët të kenë besim të plotë në institucionet që janë themelore për funksionimin e shoqërisë.