• Shqip

Teknologjia e Inteligjencës Artificiale si motor i konkurrueshmërisë dhe reduktimit të pabarazisë në Kosovë

13.11.2024 Butrint Avdyli

Në një periudhë kur teknologjia po përparon me hapa të shpejtë dhe Inteligjenca Artificiale (AI) po ndikon çdo aspekt të jetës sonë, pyetja kryesore mbetet: Si mund të ndihmojë kjo teknologji Kosovën që të përparojë ekonomikisht, të rrisë konkurrueshmërinë e saj dixhitale dhe të kontribuojë në uljen e pabarazive shoqërore? Së fundmi, në një diskutim të mbajtur nga Demokraci për Zhvillim (D4D) mbi këtë temë, u shfaqën disa ide premtuese, por edhe sfiduese.

Valon Canhasi, drejtori i “Hallakate”, përmendi një fakt që po bëhet gjithnjë e më i prekshëm: asnjë profesion nuk mund të mbetet jashtë ndikimit të AI-së. Në një treg pune ku papunësia e të rinjve është në nivele shqetësuese, teknologjia mund të ofrojë një zgjidhje për një pjesë të këtij problemi duke krijuar mundësi të reja për punë të dixhitalizuara. Ai vuri theksin te domosdoshmëria e investimeve në aftësitë digjitale për të ruajtur konkurrueshmërinë: “Bizneset kanë filluar të digjitalizohen dhe kanë nevojë për fuqi punëtore të përgatitur në këtë drejtim”, deklaroi Canhasi.

Ndërsa disa kompani dhe ndërmarrës në Kosovë tashmë po inkorporojnë AI-në për të ulur kostot dhe për të përmirësuar produktivitetin, hapësira për të krijuar kualifikime të reja dhe mundësi mësimore përmes AI-së është e gjerë. Mësimi online, i cili është bërë më i qasshëm se kurrë, mund të ofrojë trajnime të avancuara për profesionet e së ardhmes pa kosto të larta.

Në këtë rrugë të transformimit, megjithatë, mbeten sfida. Darsej Rizaj, drejtor ekzekutiv i Shkollës Digjitale, theksoi nevojën për të edukuar të rinjtë dhe fëmijët për një përdorim të përgjegjshëm të AI-së. Ndërkohë që teknologjia mund t’i ndihmojë në zhvillimin e aftësive teknike, ajo duhet të shoqërohet me përpjekje për të kultivuar mendimin kritik. Rizaj nënvizoi rëndësinë e kësaj qasjeje, duke përmendur se mendimi i avancuar dhe analiza e pavarur janë aftësi që nuk mund të mësohen thjesht duke memorizuar fakte.

Përdorimi i AI-së nuk është pa rreziqe për vendin, sidomos për sektorin privat dhe për industrinë e shërbimeve. Për shembull, ndërsa aplikacionet e AI-së mund të ndihmojnë mjekët të diagnostikojnë me saktësi më të madhe, ka një shqetësim se shumë profesione mund të përjetojnë humbje të vendeve të punës. Rizaj vërejti se AI mund të zëvendësojë një numër të madh punonjësish në ndërmarrjet që operojnë në fusha të ndryshme dhe të ulë numrin e punonjësve të nevojshëm për të njëjtin volum pune.

Në këtë pikë, Kosova ka një avantazh të rrallë. Sipas Canhasit, “fati në fatkeqësinë tonë” është infrastruktura digjitale e investuar në vitet e fundit, e cila mund të përdoret për t’u kyçur në zhvillimet globale të AI-së. Nëse menaxhohet me kujdes, ky sektor mund të krijojë jo vetëm vende të reja pune, por edhe mundësi për të qenë konkurrent i fuqishëm në tregun ndërkombëtar.

Në vend që të shohim AI-në si një rrezik për të ardhmen, është koha që shoqëria të përgatitet për përfitimet që mund të ofrojë kjo teknologji. Kjo kërkon një reformë të thellë arsimore, mbështetje për bizneset në digjitalizim dhe strategji për të ndihmuar të rinjtë të krijojnë një të ardhme ku AI është pjesë e përditshmërisë së tyre, jo një kërcënim.

Në përfundim, është koha që Kosovën ta shohim si një laborator të mundësive digjitale, ku investimi në inteligjencën artificiale mund të hapë dyert e konkurrencës globale, duke reduktuar pabarazitë dhe krijuar një shoqëri më të drejtë dhe të përgatitur për sfidat e së ardhmes.