• Shqip

Të jetosh i mospranuar dhe nën helmin e gjuhës së urrejtjes

24.06.2024 Adelina Ahmeti

Një përpjekje për ta kaluar në votim draftin e Kodit Civil që do të mundësonte martesat mes personave të gjinisë së njëjtë dështoi vitin e kaluar për shkak të mungesës së mbështetjes ndaj iniciativës nga ana e deputetëve të partisë në pushtet, Vetëvendosjes, dhe hezitimit të kolegëve të tyre nga partitë opozitare.

Përderisa një përpjekje tjetër për ta risjellë në agjendën e Kuvendit shihet në horizont, Kodi i ri shihet gjerësisht si një hap që në letër do të ndikonte pozitivisht në respektimin e të drejtave të komunitetit LGBTIQ+. Por sa do të mundet që një aprovim i tij eventual të ndikojë në gjuhën gjithnjë e në rritje të urretjtjes, simodos në rrjete sociale, ndaj pjesëtarëve të këtij komuniteti të margjinalizuar?

Rrjetet sociale dhe qasja në to kanë dhënë një hapësirë të gjerë që persona të ndryshëm shumë prej tyre me identitete të rrejshme të nxisin urrejtje ndaj komunitetit LGBTIQ+. Kjo vihet re më shumë në kohën kur nis edhe ‘Java e Krenarisë’ e cila merr vëmendje të madhe mediatike shpesh herë për pëlqime e rritje të audiencës e që shumica e komenteve shpërfaqin fyerjet, kërcënime, shpesh herë edhe të tillë që bëjnë thirrje për vrasje.

Ndonëse këto raste raportohen, aktiviste të ndryshëm thonë se nuk marrin epilog nga ana e institucioneve të rendit e drejtësisë e kjo më pas jep hapësirë që gjuha e urrejtjes ndaj komunitetit LGBTIQ+të mos ndalet por të rritet.

Këtë vit, aktivistët që morën pjesë për të shënuar ‘Javën e Krenarisë’ treguan se një nga aktivitetet që u realizua u vandalizua por përgjigja ishte e shpejtë dhe gjendja u rikthye siç ishte më parë.

Në Kosovë, ndonëse tashmë ka hyrë në trend të jesh mendjehapur dhe të pranosh se nuk ka më çështje ‘tabu’, në disa raste vërehet se ka një dallim në atë çfarë mendon dhe çfarë paraqet. Shoqëria kosovare vazhdon ende që të rrethohet me mendësi patriarkale e këtë mund ta vëresh më së miri në rast se flet me ata që i përkasin dhe avokojnë për të drejtat e komunitetit LGBTIQ+ e që të njëjtit përballen vazhdimisht me stigmë shoqërore.

Kjo stigmë, sidomos ndaj atyre që janë pjesë e LGBTIQ+, i vendos ata në një situatë që të përjetojnë një vështirësi nëse fillimisht e pranojnë veten ashtu siç ndjehen, apo rezultojnë edhe me depresion, ankth, veprime vetëlënduese. Këtu situata bëhet edhe më e rëndë pasi nxitja për të urryer komunitetin vjen si pasojë e mediave e figurave publike, e në disa raste, edhe të gjedhurit e popullit.

Në media shpesh herë raportohet për ngjarje të cilat kanë të bëjnë me komunitetin LGBTIQ+ por të njëjtat shpesh herë shihen si raportime të cilat kanë vetëm një qëllim, rritjen e gjuhës fyese, kërcënuese ndaj këtij komuniteti. Në shumë debate televizive sheh se për të diskutuar për komunitetin ftohen personalitete të ndryshme, shpesh edhe jorelevantë për temën, përfshirë edhe ata fetarë të cilët japin mendimet e tyre nëse përkatësia lidhet me fe apo është ‘haram’ t’i përkasësh këtij komuniteti.

Por të pakta janë rastet kur mbikëqyret se çka komentohet, thuhet në emisionet që transmetohen apo lajmet që publikohen. Në këtë çështje aktivistët kërkojnë vazhdimisht mekanizma vetërregullues të cilët do ta ndihmonin komunitetin që të vazhdojë të kërkojë të drejtat e tyre si çdo qytetar tjetër në Kosovë.

Ndonëse ka rritje të vetëdijes se gjuha e urrejtjes apo nxitja e përçarjes ndaj këtij komuniteti është e dënueshme dhe do sjell përballje me ligjin dhe drejtësinë, ende në Kosovë shihet se komuniteti LGBTIQ+ vazhdon të përballet me sfida duke nisur nga pranimi e duke përfunduar me sulme edhe atë nga hapësira institucionale që e bën edhe më shqetësuese faktin e përkatësisë.

Ky artikull është shkruar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Kundër diskriminimit, gjuhës së urrejtjes dhe dhunës me bazë gjinore”. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e ATRC, IKS dhe D4D dhe jo domosdoshmërisht pasqyrojnë pikëpamjet e Bashkimit Evropian.