
Angazhimi i të rinjve në politikë është thelbësor për ndërtimin e një shoqërie të fortë dhe progresive, por në Kosovë, realiteti është ndryshe. Pavarësisht se të rinjtë përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, ata mbeten të shkëputur nga jeta politike, duke reflektuar një shkëputje shqetësuese midis kësaj shtrese dhe institucioneve që i qeverisin ata.. Gjetjet e Studimit të Rinisë 2024 hedhin dritë mbi arsyejet e kësaj apatie dhe pak a shumë na tregojnë se ku duhet të jetë fokusi për ringjalljen e pjesëmarrjes politike aktive.
Të rinjtë kosovarë shprehin interes të ulët për politikën, me vetëm 19.3% që e konsiderojnë të rëndësishme dhe 2% që ndihen të përfaqësuar. Mosbesimi në institucione dhe perceptimi i korrupsionit i largon ata nga angazhimi politik, një fenomen që shfaqet në gjithë Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, kjo apati nuk është thjesht një zgjedhje e tyre, por një reflektim i dështimeve strukturore dhe shoqërore në Kosovë.
Sistemi arsimor në Kosovë nuk arrin të përgatisë të rinjtë për pjesëmarrje aktive qytetare. Kurrikulat nuk përfshijnë zhvillimin e mendimit kritik apo edukimin politik, duke i lënë të rinjtë pa mjetet e nevojshme për të kontribuar në demokraci. Për më tepër, pabarazitë gjinore dhe mospërputhja mes arsimit dhe tregut të punës e përkeqësojnë më tej situatën, duke bërë që pjesëmarrja politike të duket e paarritshme për shumë të rinj, sidomos për grupet e margjinalizuara.
Ironikisht, pavarësisht pjesëmarrjes së ulët në aktivizmin politik, të rinjtë kanë një pjesëmarrje të lartë në zgjedhje. Megjithatë, votimi një herë në disa vite nuk është i mjaftueshëm për ndërtimin e demokracisë. Kjo mospërputhje thekson mungesën e një kuptimi të plotë të procesit demokratik, një boshllëk i krijuar nga struktura që favorizojnë nënshtrimin mbi mendimin kritik.
Mediat gjithashtu luajnë rol të rëndësishëm, shpesh duke theksuar skandalet, korrupsionin dhe negativitetin politik, ndërsa neglizhojnë storiet pozitive dhe nismat rinore. Ky portretizim forcon stereotipet se politika është një domen i rezervuar për elitën ose për ata me lidhje familjare.
Për të ndryshuar këtë gjendje, duhet një qasje gjithëpërfshirëse. Arsimi duhet të përqendrohet në edukimin politik, mendimin kritik dhe debatin konstruktiv, duke krijuar hapësira ku të rinjtë shprehin pikëpamjet e tyre. Mediat duhet të promovojnë shembuj pozitivë të angazhimit rinor dhe të pasqyrojnë ndikimin e tyre në komunitet.
Partitë politike dhe organizatat e shoqërisë civile duhet të ofrojnë mundësi gjithëpërfshirëse, si mentorime dhe forume për të rinjtë. Këto hapësira duhet të jenë të hapura, ku zëri i të rinjve dëgjohet, respektohet dhe përfshihet në vendimmarrje.
Ndërtimi i besimit në institucione është parakusht I domosdoshëm. Transparenca dhe përgjegjshmëria duhet të bëhen prioritet e institucioneve publike për të thyer perceptimin se lidhjet familjare dhe nepotizmi kanë më shumë rëndësi sesa kompetenca. Luftimi i korrupsionit dhe promovimi i meritokracisë ndihmojnë në rikthimin e besimit në politikë.
Platformat digjitale gjithashtu janë një mjet i fuqishëm për të angazhuar të rinjtë. Duke qenë se rinjt kalojnës shumë kohën online, këto platforma mund të përdoren për të shpërndarë informacion, për të krijuar dialog dhe për të lidhur shqetësimet e përditshme – si papunësia dhe arsimi – me debatet politike. Fushatat digjitale të mirëstrukturuara mund të kenë një ndikim pozitiv në thyerjen e perceptimeve negative mbi politikën.
Kalimi nga apatia në angazhim kërkon që politika të bëhet më e afërt dhe më e kuptueshme për të rinjtë, duke u kuptuar ajo si mjet për zgjidhjen e sfidave ditore si papunësia, arsimi dhe korrupsioni. Kur politika shihet si një mënyrë për të përmirësuar jetën e përditshme, të rinjtë ndihen më të motivuar për t’u përfshirë. Të rinjt në Kosovë e kanë potencialin për të sjellë ndryshime pozitive, dhe gjithçka që u duhet janë sisteme që njohin dhe mbështesin rolin e tyre.