
Qytetarët e Kosovës dita ditës po e shfaqin interesimin e tyre për shërbimet publike online dhe po e potencojnë rëndësinë e digjitalizimit, si rrugë të lehtësimit të përditshmërisë së tyre, kjo e cila i shtyen komunat e Kosovës që të jenë më të përgjegjshme në avansim të këtyre shërbimeve.
Procesi i digjitalizimit edhe pse ka nisur tash e një kohë në vendin tonë, përmes platformës E-Kosova, nga bashkëbisedimet dhe takimet me qytetarë po vërehet se nuk është e mjaftueshme dhe se në një të ardhme të afërt komunat duhet t’a rimendojnë këtë e të zhvillojnë platforma të veqanta për komunat, krejt kjo për të lehtësuar marrjen e shërbimeve nga ana e qytetarëve, duke kursyer kohën e tyre.
Krahas avansimit të platformave online të shërbimeve, si nevojë e intervenimit shihet se është edhe informimi i vazhdueshëm i qytarëve për këto shërbime, sidomos të personave të cilët/at nuk kanë qasje të përditshme në internet dhe rrjedhimisht nuk janë përdorues të këtyre platformave. Në këtë kontekst, komunat e Kosovës, krahas rimendimit të zhvillimit të platformave online, duhet planifikuar me kujdes edhe qasjen e tyre tek qytetarët, përmes sesioneve informuese, takimeve jo-formale në lagje të qyteteve etj. Këto janë potencuar si nevojë nga ana e shoqërisë civile edhe në Komunën e Prizrenit, ku njëkohësisht është kërkuar bashkëpunim më i ngushtë dhe më efikas me institucione lokale në këtë drejtim, duke asistuar secila palë njëra tjetrën me qëllimin e vetëm që informacioni të arrijë tek qytetarët saktë dhe në kohë reale.
Sfidat në integrimin dhe poashtu zhvillimin e këtyre platformave online mbesin të jenë pothuajse të njejta; vullneti politik i udhëheqësve dhe sigurimi i mjeteve të nevojshme nga ana e komunave, pra përfshirja e zhvillimit të platformave por edhe e aktiviteteve informuese e ndërgjegjësuese në parashikimet buxhetore të komunave.
Duke pasur parasysh rëndësinë e politikave të tilla dhe avansimin e komunave për të ndjekur rrugën e digjitalizimit të shërbimeve publike, duhet angazhuar në përditshmëri, gjithmonë duke potencuar rëndësinë e të mirave që sjellin risitë në digjitalizim, ku padyshim se një ndër to është transparenca dhe të qenit efikas në ofrim të shërbimeve, kjo e cila përveq tjerash rrit kualitetin jetësor të qytetarëve dhe u ofron atyre lehtësi në përditshmëri.