
Imagjinoni sa më e lehtë do të ishte jeta e qytetarëve nëse në Kosovë do të bëheshin disa zhvillime sikur në shtetin Estonez. Për shembull digjitalizimi i shërbimeve publike. Përveç kursimit të kohës e energjisë, diçka e tillë do ndihmonte edhe në zvogëlimin e stresit e rritjen e efikasitetit të shërbimeve.
Ndër momentetet më dërrmuese për qytetarin është atëherë kur sëmuresh dhe të duhet të presësh me orë të tëra radhën për të realizuar kontrollin mjekësor. E herë-herë përveç që mezi pret radhën për kontroll, duhet të përballesh edhe me ata qytetarët e papërgjegjshëm që nuk respektojnë radhët e si pasojë vie edhe konflikti. E gjitha do të mund të ishte shumë më e lehtë po të bëhej digjitalizimi i sistemit, dhe terminet të bëheshin online. Përveç qytetarëve, procesi do të lehtësohej edhe për stafin shëndetësor. Në anën tjetër aplikimet online për dokumente si letërnjoftime e pasaporta, do t’i kursenin qytetarët nga radhët e gjata për pritje. E madje digjitalizimi në sektore të tilla do t’i kursente qytetarët edhe nga marrja e rrugës nga çfarëdo destinacioni deri tek komuna vetëm e vetëm për nxjerrjen e një dokumenti.
Digjitalizimi do të ishte i dobishëm edhe në sistemin arsimor. Për shembull vlerësimi i mësimdhënësve për nxënësit me anë të platformave të caktuara online do të ishte shumë më i mirë se ai tradicional. Pse? Vlerësimi i vazhdueshëm online përveç që do të ishte më i lehtë, njëherit edhe do të mund tu ndihmonte edhe prindërve që të mbahen të informuar për procesin vlerësues dhe evidencës së fëmijëve të tyre. E
digjitalizimi në arsimim do të mundësonte edhe regjistrimin online të nxënësve në klasat e para ose shkollë të mesme, pa e pasur të nevojshme prezencën fizike për procese të tilla. Digjitalizimi në sektore të tilla padyshim që do tu lehtësonte jetën qytetarëve, por përveç saj me këtë përparësi ngërthehen edhe disa vështirësi. Kryerja e shërbimeve të tilla online për disa qytetarë është më e
kufizuar ngase jo të gjithë kanë qasje në internet ose pajisje elektronike. Në anën tjetër mungesa e njohurive për përdorim të platformave online mund të bëjë që shumë qytetarë të mos kenë mundësi t’i kryejnë shërbimet përkatëse online. Po ashtu sistemet digjitale mund të përballen me shkëputje a ndërprerje të cilat pengojnë funksionimin normal të shërbimeve. Pra në ditët e sotme, digjitalizimi i shërbimeve publike është i domosdoshëm. Ani pse në realizimin e shërbimeve të tilla online mund të ketë sfida, ato nuk janë të patejkalueshme e në anën tjetër digjitalizimi i shërbimeve në komuna, shkolla e spitale do të ishte ndihmesë e madhe për qytetarët.