Tekstet shkollore paraqesin vlerat e kurrikulës ku njohuritë, qëndrimet, vlerat dhe aspektet tjera të jetës sonë arsimore, kulturore dhe shoqërore përzgjidhen nga vendimmarrësit për t´u transmetuar tek gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme. Në këtë kontekst, zbatimi i kurrikulës është proces kompleks ,ku ndikim të madh kanë ata që janë të angazhuar në vënien e prioriteteve dhe përzgjedhjen e përmbajtjeve dhe metodologjive. Tekstet shkollore janë vetëm një aspekt i këtij zbatimi. Përderisa në të kaluarën, vendimmarrësit në Kosovë ballafaqoheshin me ndikimet ideologjike dhe negocimin e përhershëm për përzgjedhje e përmbajtjeve adekuate të kulturës, historisë dhe identitetit të shqiptarëve në nivelin federativ dhe krahinor. Pas luftës, që nga viti 2000, procesi i zhvillimit dhe aprovimit të teksteve shkollore cilësohet si një proces tenderimi, pa mbikëqyrjen adekuate të përmbajtjeve si nga ana shkencore dhe metodologjike. Një nga kritikat e shpeshta është përfaqësimi gjinor në tekstet shkollore, i cili sipas kritikuesve të shumtë nuk përputhet me synimet e kurrikulës së proklamuar dhe nuk promovon në mënyrë të duhur barazinë gjinore.
Për të vënë kontekstin e vlerave në tekste, rikujtojmë kurrikulën e Kosovës të aprovuar në vitin 2001, e cila synonte “ formimin e njohurive bazike shkencore, respektimin e të drejtave të njeriut dhe identitetit kulturor, zhvillimin e shkathtësive komunikuese, observuese dhe analitike, zhvillimin e kreativitetit, autonomisë, promovimin e vlerave gjuhësore të komuniteteve, paqe dhe barazi gjinore” “ (Kuvendi i Kosovës, 2002). Kurrikula e rishikuar në vitin 2011 ruajti qasjen liberale të edukimit dhe shtoi qasjen e bazuar në kompetenca, me synim që “ t’i mundësojë qytetarëve kosovarë të ballafaqohen me sfidat e shekullit 21, për të krijuar njohuri konkurruese, jo vetëm për tregun kosovar pore dhe për atë global”. Nëse i konsiderojmë tekstet shkollore vetëm si një nga mekanizmat, atëherë zbatimi i kurrikulës nuk do të duhej të varej vetëm nga to, por nga një përdorim, interpretim dhe shfrytëzim i kujdesshëm nga ana e mësimdhënësve në kombinim me burime tjera, metoda të mësimdhënies dhe të vlerësimit. Nëse tekstet janë jo cilësore, përmbajnë stereotipi gjinore dhe përdoren si mjet i vetëm, ato shndërrohen në mjet interpretimi zyrtar dhe riprodhimi, ku mendësia patriarkale përfshihet në përmbajtje programore dhe riprodhohet pa vetëdije nga autorët, ilustruesit, vendim marrësit, mësimdhënësit dhe prindërit, stereotipizimi ndodh në të gjitha fazat e shkrimit, ilustrimit dhe interpretimit të teksteve.
Duke reflektuar nga përvojat e mësimdhënësve, udhëheqësve të shkollave, prindërve dhe nxënësve, ekzistojnë tre probleme kryesore që kontribuojnë në stereotipizim: përdorimi i gjinisë mashkullore si trajtë përfaqësuese, përfaqësimi i grave dhe paraqitja e rolit të tyre tradicional në letërsi, në shembuj dhe ilustrime, dhe procedurat e vlerësimit dhe aprovimit të teksteve.
Një nga problemet gjuhësore të pa vërejtshëm konsiderohet përdorimi i gjinisë mashkullore si trajtë përfaqësuese në tekste. Për shembull, emërtimet si libër për mësuesin, dita e mësuesit, oda e avokatëve, lidhja e shkrimtarëve apo sindikata e infermierëve në përdorimin e shumësit nënkuptojnë prezencën e grave dhe burrave, por gramatikisht paraqiten në trajtën e shumësit të gjinisë mashkullore edhe pse për secilin profesion ekziston shumësi i gjinisë femërore, si mësueset, infermieret, shkrimtaret. Ky problem, zgjerohet edhe më tej kur përdorim gjininë mashkullore për shumë profesione në mënyrë të përgjithshme, si për shembull mjeku, presidenti, etj. Kjo mund të zgjidhet nëse autorët dhe mësimdhënësit e trajtojnë me kujdes duke përdorur dy gjinitë apo shumësin në trajtimin e teksteve.
Një tjetër problem është aspekti kulturor i pranishëm në tekstet ku historikisht vajzat vendosen në role tradicionale. Këtë e gjejmë në përralla, poezi e tekste të tjera, të shkruara në periudha të ndryshme që përfaqësojnë kulturën tonë. Në këtë rast ndryshimi nuk mund të bëhet me zëvendësimin e teksteve nga kultura dhe historia jonë me përkthime, përshtatje të teksteve të autorëve të jashtëm, apo zëvendësime artificiale. Tekstet nga letërsia dhe historia jonë mund të shqyrtohen nga konteksti i tyre historik dhe kulturor, duke ofruar mundësi për diskutim dhe interpretim nga konteksti i tanishëm. Tekstet shkollore mund të rrisin përfaqësimin e grave në histori, letërsi, shkencë si dhe të bëjnë një prezantim të balancuar në kontekstin e profesioneve dhe rolin e grave në shembuj dhe ilustrime. Pra, rolet gjinore nuk mund të zëvendësohen në mënyrë artificiale, por të paraqiten në mënyrë të balancuar në kontekstin e profesioneve, kontekstin e përfshirjes dhe interpretimin e teksteve nga koha e tashme.
Në fazën në të cilën jemi, kërkohet ndryshim rrënjësor në procesin e zhvillimit dhe aprovimit të teksteve shkollore, i cili do të përfshinte disa faza për të trajtuar jo vetëm përmbajtjen, por edhe saktësinë shkencore, ilustrimet, gabimet teknike dhe aspekte tjera me interes. Në rishikimin e teksteve aktuale dhe përpilimin e teksteve të reja është më rëndësi të bashkëpunohet me mësimdhënës me përvojë në nivelin përkatës të arsimit dhe ekspertë të fushave të ndryshme, për të siguruar që tekstet shkollore janë me përmbajtje shkencore të sakta, sigurojnë integrim kurrikular dhe përvetësim të kompetencave, që kanë paraqitje adekuate për moshën e nxënësve. Ndërsa sa i përket, barazisë gjinore, tekstet do t’u nënshtrohen standardeve të veçanta para aprovimit, për të evituar stereotipizimin. Njëjtë i rëndësishëm është edhe procesi i monitorimit, ku përveç ministrisë, rol të rëndësishëm luajnë mësimdhënësit, institucionet profesionale, të cilat mund të bëjnë vlerësimin e teksteve me qëllim të përmirësimit të cilësisë së teksteve shkollore.
Si përfundim, duhet të theksohet që përgjegjësia kryesore bie përveç tek autorët/et, tek MASHTI, për të siguruar një proces transparent dhe me përfshirje të theksuar të mësimdhënësve dhe standardeve të qarta për autorët/et dhe recensuesit/et. Rishikimi i teksteve dhe përpilimi i teksteve të reja mund të organizohen njëkohësisht duke vënë në prioritet vlerësimin e teksteve aktuale dhe duke siguruar një proces të mirëfilltë dhe me kohëzgjatje të mjaftueshme për përgatitjen, vlerësimin dhe aprovimin e tyre para se të hynë në përdorim të gjërë.