• Shqip

Pabarazitë që dërgojnë drejt varfërisë

21.11.2022 Natyra Rushiti

Varfërimi i grave në shoqërinë tonë po rritet. Këtë e dëshmojnë shifrat në Anketën e Fuqisë Punëtore për tremujorin e tretë të vitit 2021 në kuadër të Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Sipas këtyre të dhënave, punësimi i grave për këtë periudhë kohore është vetëm 17.1 %. Andaj shifër më e lartë në terren është ajo e papunësisë.

Sipas tremujorit të tretë të AFP-së 2021 në Kosovë shkalla e papunësisë ishte 17.7 %, më e lartë ishte tek femrat me 23.9% se sa te meshkuj, 15.3 %. Këto statistika janë shqetësuese por jo të reja. Meqë, përqindje të tillë masive të punësimit të vogël të grave kemi parë edhe në vitet e kaluara. E puna që të rritet përfaqësimi i gruas në tregun e punës nuk përkon me shifrat në raporte.

Një ndër faktorët që gruaja në Kosovë nuk është e inkuadruar në fuqinë punëtore janë politikat e varfra të qeverive. Sepse fuqizimi ekonomik i gruas ka qenë kauzë në dy dekadat e fundit.  Por fokusi në këtë pikë  e puna për arritjen e një qëllimi të tillë ka munguar. Meqë, gjendja në terren po tregon që është rritur papunësia, po mbizotëron ende pabarazia dhe po theksohet informaliteti tek gratë.

Mungesa e politikave fiskale e dispozitave ligjore po dërgon tek dobësimi i fuqisë së gruas në tregun e punës. Pasivizimi i shtetit e politikat e gabuara po mbajnë gruan larg trajtimit të dinjitetshëm punëdhënës-punëmarrës.

Duke u bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë. Kështu gjashtë muajt e parë  me pagesë nga punëdhënësi me kompensim prej 70% të pagës  bazë sipas kontratës, pastaj tre muaj me kompensim nga Qeveria e Kosovës me kompensim prej 50% të pagës mesatare në Kosovë. Po  ashtu mundësinë e shfrytëzimit të tre muajve pa pagesë.  Ky ligj, nuk po krijon rezultate pozitive në sektorin privat e publik kjo pasi pushimi i gjatë i lehonisë po përkthehet si barrë financiare e sektorit privat. Andaj pushimi prindëror ose një leje prindërore mund të ndihmonte në këtë pikë, përgjegjësitë do të ndaheshin, e gratë nuk do ishin pre e diskriminimit  në sektorin privat. Po ashtu një inspektim i respektimit të këtij ligji do të ndihmonte në zbatimin e tij, e trajtimin e barabartë të gruas.

Një çështje tjetër, me peshë të madhe është buxhetimi i përgjegjshëm gjinor. Me anë të kësaj linje grave u sigurohet një perspektivë gjinore duke u integruar në të gjitha kategoritë ekonomike. Mirëqenia e gruas e thirrur në barazi duhet sigurohet përmes planifikimit, zbatimit e monitorimit të buxhetit. Përmes një kujdesi në projektim të BPGj-së do të evitoheshin pabarazitë. Nevoja që gruaja të përfshihet në punë duhet të konsiderohet e monitorohet zbatimi i këtij  detyrimi ligjor.

Krahas kësaj, institucionet publike mund të shërbejnë si shembull edhe përmes përfshirjes së gruas në skenën politike, publike e dhënies së hapësirës për vendimmarrje. Sepse as në këtë aspekt nuk kemi shifra që nuk paraqesin shqetësim.  Ligji për Barazi Gjinore, thekson se përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësimi minimal prej pesëdhjetë përqind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet tjera drejtuese dhe vendimmarrëse. Në praktikë nuk e kemi këtë zbatim as nuk e kemi pasur. E ndonjëherë fitoj bindjen që nuk e kemi as vullnetin për ta pasur. Izolimi i gruas larg jetës publike e zbeh rolin gjinor, dhe betejën për barazi teksa e shton varfërinë ekonomike e sociale.

Mund të jetë për shkak se ende jemi shoqëri aktive patriarkale. Në shtet e në shoqëri zbatohet norma të njëjta ku gruas i vishen role që janë larg atyre të burrave. Mitologjia se gruaja duhet të merret me profesione që i shkojnë për shtati sepse ajo ka edhe obligime familjare që i bien mbi supe ka riprodhuar pabarazi. Hendeku ekonomik gjinor është thelluar për shkak të pritjeve socio-ekonomike të cilat i kanë caktuar burrat. Për pasojë, gratë që angazhohen në punë si kujdestare-dado paguhen pak, punojnë në informalitet, e dekurajohen të merren me punë intelektuale e akademike.

Pastaj, punët e shtëpisë që nuk ndahen brenda shtëpisë ndajnë karrierën e gruas, ajo duhet të zgjedh mes familjes e karrierës.  Burrat duhet të edukohet ti ndajnë përgjegjësitë, obligimet që i përkasin dy gjinive e që nuk kanë gjini, por stereotipe të krijuara nga vetë ne, shoqëria. Për të arritur në masë, duhet të ketë ndryshime në tërë trupën funksionuese të shtetit. Pikë së pari në sistemin arsimor, duhet të ketë redaktime të teksteve që promovojnë pabarazinë e diskriminimin. Në sektorin privat e publik gruaja duhet trajtohet si qenie e barabartë, mos ti mohohet suksesi e ngritja në pozitë. Gjinia nuk duhet të përbëjë dobësi në jetën publike e politike. Varfëria nuk është opsion, as nuk duhet të jetë më i njohur si term. Dialogu për thyerje të mentalitetit patriarkal duhet të bëhet në zona rurale dhe urbane. Pabarazitë nuk duhet zhvilluar përmes mbajtjes së një status kohe ku gruaja e mirëqenia e saj nuk është në fokus. Zhvillimi i saj duhet të zë vend në treg pune, jetë publike e politike.  Varfëria zbehet kur arrihet barazia.