• Shqip

Ngritja e kapaciteteve profesionale dhe e punësimit në komunitetet ashkali, rom dhe egjiptian

27.04.2022 Gresë Sermaxhaj

Pa u hedhur fare një sy statistikave e të dhënave, secili nga ne do të pajtohej për vështirësitë e diskriminimin e skajshëm që hasin në punësim pjesëtarët e komunitetit ashkali, rom dhe egjiptian në Kosovë.

Megjithatë, për t’i dhënë kontekst brengës që po trajtojmë, le t’i shohim shkurt disa të dhëna. Sipas hulumtimit të kryer në fillim të vitit 2020 “Pasqyrë e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë”, nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), përkatësisht misioni i saj në Kosovë, pjesa dërmuese e komunave të Kosovës nuk ofrojnë mundësi të denja për përfaqësimin e përgjithshëm të këtyre komuniteteve në institucionet lokale. Ndërkaq, pak prej tyre zbatojnë kuotën e veçantë për përfaqësimin e secilit komunitet në shërbimin civil komunal. Sado që vërehet se disa prej komunave kanë përmbushur pragun minimal për përfaqësimin e këtyre komuniteteve në shërbimin civil komunal, megjithatë mbizotërojnë barrierat si; mos përmbushja e pragut minimal për secilin nga komunitetet individuale, mungesa e punësimit të komunitetit ashkali, rom dhe egjiptian në sektorin privat, kyçja e madhe e këtyre komuniteteve në ekonominë joformale (kryesisht e burrave), si dhe punësimi vetëm sezonal i tyre. Për më tepër, sipas organizatës Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve, e cila punon për përfshirjen e komuniteteve etnike të margjinalizuara, nga gjithsej 80 mijë shërbyes civilë në nivel vendi, vetëm 111 prej tyre jane pjesëtarë të komuniteteve ashkali, rom dhe egjiptian.

Kështu, këto komunitete vazhdojnë të përballen me sfida, paragjykime e antigjipsizëm në rrugëtimin e tyre për një vend pune, e si pasojë shpesh mbesin nën mëshirën e ndihmave sociale (për shumë kënd të pamjaftueshme).

Ndër shkaktarët kryesorë të kësaj shkëputjeje ndërmjet tregut të punës dhe që të tri këtyre komuniteteve shihen mungesa e përputhjes së shkollave profesionale dhe tregut të punës në Kosovë në njërën anë, dhe gjendja e rëndë ekonomike dhe kushtet e vështira të jetesës që kanë komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në anën tjetër.

Saherë që flasim për tema si kjo nuk mund t’i lëmë nën hije faktorët shoqërorë e kulturorë që shpien te kjo gjendje. Gërshetimi i faktorëve ekonomikë e shoqërorë vetëm se i thellon pabarazitë me të cilat këto të tri komunitete përballen. Ende dëgjojmë e shohim raste (të dhimbshme) që pjesëtarë të këtyre komuniteteve nuk lejohen të përdorin transportin publik, se prindërit nëpër shkolla refuzojnë që fëmijët e tyre të ndajnë klasën me fëmijë të ndonjërit prej këtyre komuniteteve, e gjithashtu e kemi dëgjuar e stërdëgjuar frazën raciste “…lëri se këta [duke iu referuar me përçmim komuniteteve ashkali, rom dhe egjiptian] kështu jetojnë”. 

Jo! “Këta” nuk jetojnë “kështu”. Përemri dhe ndajfolja e përdorur në këtë fjali janë të zhveshura krejtësisht nga roli i tyre gramatikor, e janë të veshura fund e krye me racizëm. “Kështu” nuk është norma, por është paragjykimi për një jetesë e cila vie si pasojë e rrethanave të rënda socio-ekonomike të këtyre të tri komuniteteve. “Kështu” s’do të duhej të jetonte asnjeri- qoftë nga prizmi krejt human apo ai juridik i rendit të sotëm demokratik.

Diskriminimi e përjashtimi i komuntieteve rom, ashkali dhe egjiptian, në këtë rast në punësim, duhet të luftohet përmes politikave të qëndrueshme socio-ekonomike nga niveli qendor, dhe përmes programeve për ngritje të kapaciteteve me bazë në komunitet që shtrijnë ndikimim te secili qytetar. Natyrisht, si për çdo politikë tjetër publike, do të duhej të merreshin parasysh gratë dhe vajzat dhe natyra e diskriminit të dyfishtë të tyre- një herë se janë gra, e njëherë tjetër se i përkasin njërit nga komunitetet pakicë.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008, u krijuan mekanizma ligjor, institucional dhe strategji për mbrojtjen e promovimin e të drejtave të komuniteteve pakicë. Mirëpo, në praktikë, pak u bë për ta luftuar shkeljen e tyre. Përkundër përpjekjes formale, sipas të dhënave të Zyrës për çështje të komuniteteve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, sot, mbi 90 për qind e komuniteteve ashkali, rom dhe egjiptian janë të papunë.

Së fundi, përfaqësues të Kabinetit të Zëvendëskryeministres për Pakicat dhe të Drejtat e Njeriut, kanë njoftuar se Qeveria e Kosovës është në hartim e sipër të Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Integrimin e Komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, e cila, sipas tyre, parasheh buxhet të qëndrueshëm (18 milionë e 843 mijë euro) për një sërë sferash që prekin jetën e këtyre komuniteteve, duke përfshirë këtu edhe arsimimin e punësimin. Drafti i kësaj strategjie është në dëgjim publik dhe së shpejti pret miratimin qeveritar.

Përderisa assesi nuk mund ta anashkalojmë rolin e institucioneve në përmirësimin e kësaj gjendjeje, le të mos harrojmë po ashtu se secili prej nesh bart mbi supe obligimin civil e njerëzor që të përpiqemi e të ushqejmë një shoqëri të barabartë, e pa diskriminim e shkelje të të drejtave të komuniteteve ashkali, rom dhe egjiptian.