Gjatë muajit shtator për disa ngjarje pati disa dezinformata të cilat u publikuan nga portale dhe faqe të tjera në rrjete sociale.
Ngjarja kryesore e muajit, sulmi në fshatin Banjskë të Zveçanit, prodhoi disa lajme të rreme, që nga ora 09:00 e mëngjesit, për numrin e vrasjes së policëve dhe pjesëtarëve të grupit e deri te dezinformatat se Policia e Kosovës ka zënë peng disa qytetarë, serb lokal në veriun e vendit.
Fotografi të luftës mes Ukrainës dhe Rusisë u përdorën për të ilustruar dhe prodhuar lajme të rreme se gjoja ka ndodhur në veri të vendit. Në monitorimin e mediave për sulmin në Banjskë të Zveçanit ishte edhe lajmi për vrasjen e një pjesëtari të grupit që mori pjesë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës por që në fakt, personi në fotografi ishte një ushtar i vrarë në Nagorno-Karabah.
Mbi sulmin në Banjskë pati lajme të rreme për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Pamje të xhiruara kohë më parë, në aftësi të qytetit të Pejës u përdorën dhe u ripublikuan kinse janë aktuale duke supozuar se FSK-ë është nisur drejt katër komunave veriore.
Gjatë muajit shtator nuk kishte keqinformim vetëm mbi ngjarjet në veriun e vendit. Disa lajme të rreme u regjistruan mbi takimin në Bruksel mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.
Monitorimi i mediave serbe më datës 14 shtator 2023, tregoi se disa medie formuluan tituj dhe keq cituan palën kosovare për dështimin e takimeve në Bruksel. Kësisoj, opinion publik në Serbi nuk pati informim të saktë dhe të drejtë mbi ngjarjet në kryeqyteti evropian.
Në tjetër lajm u raportua se KFOR-i e ka marrë situatën e kontrollit në Banjskë. KFOR-i e ka demantuar këtë informacion, ndërsa ai lajm u vlerësua si i rremë.
Informacione të pasakta nuk prodhuan vetëm mediat gjatë muajit shtator. Një fotografi të rreme e shpërndau edhe zëvendëskryeministrja, Emilja Rexhepi përmes rrjeteve sociale, duke aluduar se komuna e Sarajevës është ndriçuar me flamurin e Kosovës. Por, verifikuesit e fakteve treguan se në fakt, fotografia ishte e rreme. Për këtë informacion të publikuar, zëvendëskryeministrja e Kosovës nuk dha asnjë shpjegim.
Duke publikuar informacione të pa verifikuara, mediat shpesh shkelin parimet bazë të gazetarisë, saktësinë por edhe të drejtën për tu përgjigjur, të palëve të përfshira në raportim.
Në vend ekziston një mekanizim i vetrregullimit të mediave online. Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK). Në baza mujore, ky organ nxjerr vendime ku konstaton shkeljet e mediave gjatë raportimit të atyre që janë anëtare në KMSHK.
Në mënyrë që mediat të jenë objektive, KMSHK ka një kod të etikës profesionale i cili obligon mediat që para çdo raportimi t’i verifikojnë informacionet. Por, ashtu siç ndodh shpesh, disa medie online nuk e respektojnë dhe bëjnë shkelje flagrante të kodit. Disa nga to, publikojnë fotografi pa marrë pëlqimin e fakteve, raportojnë një anshëm dhe nuk u japin hapësirë palëve në përgjigje.
Në mënyrë që të shmanget keqinformimi, krejt çfarë duhet të bëjnë mediat është që t’i respektojnë parimet bazë të gazetarisë, të respektojnë kodin etik të KMSHK-së.
Duke prodhuar lajme të pavërteta, mediat përveç që humbin kredibilitetin në opinion, krijojnë opinion të gabuar tek vetë lexuesit për ngjarjet e caktuara. Kjo, është më e rrezikshme në raste të krizave siç ishte sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. Situata atje u përdor për dezinofrmata, të cilat tentuan të përdoreshin për të nxitur tensione dhe provokuar qytetarët lokal në atë zonë.
Lajmet e rreme kanë edhe qëllime politike, një pjesë e tyre që janë publiku për veriun e vendin kanë pasë për synim destabilizimin e vendit. Me këtë u synu me ju thanë qytetarëve serbë atje që Policia e Qeveria e Kosovës nuk kanë për qëllim me i mbrojtë, kjo ka ndodhur edhe ne rastin e Banjskës.
Sektori i sigurisë dhe lajmet e rreme për këtë sektor më së shumti lidhen me veriun e Kosovës. Polica e Kosovës, FSK-ja e KFOR-i shpesh herë demantojnë lajme të rreme që publikohen për ta. Por rreziku mbetet i madh sepse informacionet e para apo dezinformatat e para nuk mund të ndalen.
Mediat në Kosovë, duhet t’i kushtojnë vëmendje të shtuar edhe përkthimit të lajmeve që kryesisht vinë nga Rusia, Serbia e po ashtu nga Irani. Gjithashtu vëmendje duhet kushtuar edhe kopjimit të lajmeve nga portalet në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëria të cilëve nuk u dihet burimi. Sepse shumë herë mediat tek ne i kopjojnë lajmet në gjuhen shqipe pa e ditur burimin e tyre dhe narrativen që e përbëjnë ato.
Po ashtu qytetarët duhet të kenë vëmendjen që kur lexoni qoftë lajme qoftë informacione të kontrolloni burimin e saj dhe të gjykojnë drejtë nëse ajo që po e lexojnë është e vërtetë.
Ky editorial është realizuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) në kuadër të projektit “Mbulueshmëria dhe kuptueshmëria e çrregullimit të informacionit në Kosovë”, që mbështetet nga NDI dhe USAID në Kosovë.