Në Kosovë, një numër i madh i teksteve dhe materialeve mësimore që përdoren edhe në sistemin arsimor kosovar edhe atë serb ende përmbajnë elemente të nacionalizmit dhe paragjykimeve. Duhet të intensifikohen përpjekjet për të futur në përdorim metoda të reja mësimore që nxisin mirëkuptimin ndërkulturor, përfshirë këtu edhe historinë. Këto janë fjalët e Komisionerit të Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Nils Muižnieks, në raportin e tij për Kosovën pas vizitës së tij në vend në shkurt të këtij viti. Këshilli i Evropës, shtëpia e të drejtave të njeriut ku bën pjesë edhe arsimi, ka miratuar rezoluta specifike mbi mësimdhënien e historisë. Në Rekomandimet e vitit 1996 mbi Historinë dhe të Mësuarit e Historisë në Evropë përmendet specifikisht ky problem. Aty thuhet se historia ka një rol kyç në Evropë, ajo mund t’i kontribuojë rritjes së mirëkuptimit, tolerancës dhe mirëbesimit mes individëve dhe mes popujve të Evropës, ose mund të bëhet forcë për ndarje, dhunë dhe mostolerancë.
Një tjetër rezolutë 14 vite më vonë në 2010, nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbi Situatën në Kosovë dhe rolin e Këshillit të Evropës, ngjashëm e kishte përmendur veçanërisht historinë dhe kishte thënë se autoritetet e Kosovës duhet të vendosin një sistem unik të balancuar, të paanshëm dhe pluralist në mësimdhënien e histories. Parlamenti Evropian në prill të 2009, në një Rezolutë mbi konsolidimin e stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor, kishte vënë në pah se mësimdhënia e historisë në shkolla dhe universitete e Ballkanit Perëndimor duhej të bazohej në hulumtim të dokumentuar dhe duhej të reflektonte perspektivat e ndryshme të grupeve të ndryshme nacionale dhe etnike në regjion në mënyrë që të arrihen rezultate të qëndrueshme në nxitjen e pajtimit dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike.
Ky nuk është problem i ri. Shtetet e Evropës Perëndimore filluan t’i kushtonin rëndësi mësimdhënies së historisë pas Luftës së Dytë Botërore, kur po fillohej ngadalë të kuptohej se mësimdhënia e papërshtatshme e historisë nuk do ta mbështeste paqen, stabilitetin dhe demokracinë. Gjermanët dhe francezët, polakët dhe gjermanët u bashkuan për t’i rishikuar tekstet e tyre shkollore të historisë dhe gjeografisë. Mësimdhënia e historisë sot është shndërruar më shumë në të mësuarit e së kaluarës për ta kuptuar të ardhmen, të mësuarit për sjelljen njerëzore, për universalitetin dhe jo nacionalitetin e historisë. Ky problem po pranohej gjithnjë e më shume nga profesorët dhe akademikët aty diku nga vitet “70 tekstet shkollore filluan të paraqisnin më shumë burime dhe më pak narrativa. Në vitet “80, koncepti i historisë së re filloi të zhvillohej në Evropën Perëndimore në një kohë kur pjesë të mëdha të Evropës, që ende po e mësonin historinë ashtu që të përshtatej me parimet Marksiste-Leniniste, ishin në prag të përmbysjes së atyre sistemeve. Nuk ishte e lehtë sepse historia ishte politizuar nga ato regjime autokratike, politizimi i historisë mbeti problem në disa prej këtyre demokracive të reja.
Janë dy çështje që janë të rëndësishme për t’u përmendur. E para është problemi i fëmijëve dhe të rinjve të komuniteteve të ndryshme që po rriten bashkë në shtetin e njëjtë, por në shkolla të ndryshme, duke ndjekur planprograme të ndryshme. E dyta është sa shumë të rinjve ju mësohet keq historia ajo u’a komplikon edhe më shumë të kuptuarit e njëri-tjetrit. Mësimdhënia e historisë duhet t’ua mundësojë fëmijëve ta kuptojnë sjelljen njerëzore dhe të kaluarën, t’ua hapin mendjen, t’ua zhvillojnë shkathtësitë e analizës kritike, e mos t’i ushqej me informacione të gatshme për t’i mësuar përmendësh dhe për t’i përsëritur. Po ashtu, kjo përbën fyerje ndaj nxënësve dhe studentëve sepse ekzistojnë shumë burime të tjera të informacionit që mund t’i gjejnë, për shembull rrjetet sociale, ku ata do të gjejnë perspektiva dhe të vërteta të tjera. Mësimdhënia e vetëm një perspektive i paaftëson fëmijët tanë, kjo është ajo që quhet histori karroce (wheelchair history). Studentët nuk po mësohen të jenë reflektivë, nuk po mësohen t’i vënë në dyshim ato gjëra që ua mësojnë dhe kjo i bën ata të mos jenë kritik.
Ndryshimet në mësimdhënien e historisë, metodologjia shumë-perspektivëshe, synojnë ta zhvillojnë edhe të menduarit kritik, kështu që nxënësit dhe studentët të mësohen t’i përpunojnë informatat, t’i vënë në dyshim ato në mënyrë që të gjykojnë arsyeshëm. Po ashtu, mësuesit dhe profesorët që e përdorin këtë çasje shumë-perspektivëshe, ose qasje kontraverse siç quhet ndonjëherë, puna e tyre duket shumë më interesante, konstruktive dhe e dobishme. Autoritetet e arsimit në Kosovë duhet t’i respektojnë dhe t’i aftësojnë të rinjtë që po rriten në Kosovë, t’u ofrojnë një sistem të mësimdhënies së historisë i cili i zhvillon ata si individë të informuar dhe kritikë, që i kuptojnë njerëzit dhe komunitetet e tjera. Kjo nuk është çështje vetëm për stabilitetin dhe mirëkuptimin, por për respektin për njëri-tjetrin. Fjalët e Evropës janë të urta, por kjo urtësi është logjike për të gjithë.