Gjuha e urrejtjes është fenomen që mund të përkufizohet si gjuhë kërcënuese ose shkrim që shpreh paragjykim ndaj një grupi të caktuar. Në Kosovë ka shumë grupe të shoqërisë që i ekspozohen gjuhës së urrejtjes, sikurse gratë, feministët, komuniteti LGBTQI+, etnitë, politikanë. Mostoleranca, agresiviteti dhe gjuha e urrejtjes janë bërë karakteristikat më të dalluara të diskursit publik përgjatë viteve të fundit derisa për fat të keq u nxiten me zhvillimin e teknologjisë së mediave dhe sidomos rrjeteve sociale.
Pjesërisht përgjegjës për gjuhë të urrejtjes ndodhë të janë edhe vet gazetarët apo autorët, ngase me pyetje apo tekste të publikuara nxisin përkrahje ndaj gjuhës së urrejtjes dhe sjelljes agresive të opinionit publik. Ndonëse protagonistët kryesorë të përhapjes së gjuhës së urrejtjes janë ata të cilët marrin pjesë në diskutime, shpesh vet mediat respektivisht gazetarët, autorët dhe redaktorët shndërrohen në iniciatorë të komunikimit të këtillë.
Zhvillimi i teknologjisë pati ndikim të madh në atë që gazetaria të bëhet gjithnjë e më e shpejtë, gjë e cila ka ndikim negativ ndaj cilësisë së informacionit. Nëse dikur, mediat ishin vija e fundit e mbrojtës së demokracisë, tani në disa raste janë shndërruar në mbrojtës së palëve formale apo jo e rrallë në shërbim të qytetarëve. Përkatësia politike është mbase arsyeja kryesore kur dikush bëhet cak i gjuhës së urrejtjes në mediat të cilat përfaqësojnë individ apo grupe të caktuara.
Për fat të keq, asnjë organizatë në Kosovë nuk ka të dhëna të sakta rreth sasisë së përdorimit të gjuhës së urrejtjes në vend dhe as sa raste raportohen, (nëse raportohen). Akoma më shqetësuese në gjithë këtë mbetet fakti se vet mediat me këtë formë të raportimit tërheqë publikun e njëkohësisht rrisin tolerancën ndaj terminologjisë agresive. Dominimi i gjuhës së urrejtjes në diskursin publik ekziston tashmë më shumë se 10 vjet, që kur në vend filloi hapja masive e portaleve, derisa urrejtja dhe gjuha e përdorur pasojë janë e rënies së standardit profesional dhe raportimit gjithnjë më joprofesionalë. Publiku çdo ditë “bombardohet” me terme në emisione televizive si “idiot”, “e tmerrshme”, “e gërditshme” “fundërrinë”, “kriminel”, etj. Derisa autorët njëkohësisht tolerojnë dhe shtojnë sensacionin derisa kështu rritet edhe niveli i tolerancës ndaj dhunës, keqtrajtimit, abuzimit, përdhunimit dhe publiku njëkohësisht nuk i përjeton në mënyrë.
Meqë përmbajtja e qindra mijëra teksteve që ofrohet për publikun e gjerë është pa pagesë, krijuesit e përmbajtjes fitimin e realizojnë falë përmbajtjes së këtillë e cila ngërthen më shumë lexueshmëri. Kjo është njëra prej arsyeve përse redaktorët ndonëse të vetëdijshëm për dëmin dhe pasojat negative, arsyetojnë këtë mënyrë të raportimit.
Në anën tjetër akoma më shqetësues mbetet fakti që një pjesë e mediave megjithatë këtë mënyrë të raportimit nuk e kanë të qëllimshëm por kjo bëhet për shkak të mosdijes, përtacësisë, mungesë e profesionalizmit, mungesë e kohës dhe pamundësisë së verifikimit.
Derisa gjuha e urrejtjes dënohet me gjobë ose burgim deri në 5 vjet sipas Nenit 141 të Kodit Penal të Kosovës apo mund të ndëshkohet edhe bazuar në Ligjin Kundër Diskriminimit, efekti i sanksionimit në luftën kundër gjuhës së urrejtjes do të ishte më i madh nëse do të zbatohej dhe barabartë për të gjithë. Në mes të lirisë së shprehjes dhe gjuhës së urrejtjes ekziston një vijë e hollë, nganjëherë shumë e qartë por shpesh duhet investuar më shumë mund për të vlerësuar se ku ndodhet.
Sidoqoftë, interesant është se platformat e njëjta të cilat nxisin gjuhën e urrejtjes njëkohësisht mund të jenë ato të cilat e luftojnë të njëjtën. Derisa në botë janë shtuar përpjekjet fillimisht për të rritur përgjegjësinë profesionale të gazetarëve, edhe Kosova do të duhej të përfshihej në këtë fushatë. Në mes tjerash, nevojitet ndryshimi i thelbit të komunikimit krahas edukimit të vazhdueshëm të vet gazetarëve, sidomos të ri lidhur me parandalimin e gjuhës së urrejtjes gjë që do të kontribuonte në krijimin e atmosferës së tolerancës dhe moskuptimit.
Ky artikull është shkruar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Kundër diskriminimit, gjuhës së urrejtjes dhe dhunës me bazë gjinore”. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e ATRC, IKS dhe D4D dhe jo domosdoshmërisht pasqyrojnë pikëpamjet e Bashkimit Evropian.