• Shqip

A janë të rinjtë më shumë apo më pak fetarë se prindërit e tyre?

24.05.2016 Kenan Beqiri

Që nga paslufta trashëguam shumë probleme si ato politike, socio-ekonomike, të sigurisë etj. Qyteti i Mitrovicës i njohur si qytet i muzikës, sportit, kulturës, artit dhe ruajtjes së traditës, e ku për vite me radhë të rinjët e komuniteteve të ndryshme bashkëjetuan dhe bashkëjetojnë me njëri tjetrin, mirëpo nuk është se edhe ndërvepruan apo ndërveprojnë aq shumë në mes veti në tema si kjo. Mungesë komunikimi dhe ndërveprimi në këtë aspekt ekziston edhe në mes vetë komunitetit shqiptar si shumicë. Temat si kjo inicohen shumë rrallë e në disa raste ato edhe politizohen dhe shkaktojnë polarizime të skajshme në shoqëri. Mirëpo, sa në të vërtetë të rinjët dijnë për fenë dhe a janë të rinjët tanë të informuar mjaftueshëm për fenë, a i kemi të rinjët tanë më pak apo më shumë fetarë se prindërit e tyre? Sa nga këta të rinjë kanë patur rastin apo edhe kanë rastin që të diskutojnë për këtë temë me prindërit dhe të afërmit e tyre, apo shumica e këtyre diskutimeve mbesin si tema diskutimi vetëm kur të rinjët takohen me bashkëmoshatarët e tyre për një kafe, gjatë riteve fetare apo kur janë pjesë e ndonjë tryeze debatuese e që inicohen shumë rrallë nga ta.

Gjatë periudhës së komunizimit, të moshuarit në masë të madhe kanë qenë ata të cilët i kanë frekuentuar xhamitë, derisa tek të rinjët një gjë e tillë ke qenë më pak e vërejtur. Në ditët e sotme nuk të duhet shumë kohë që të kuptosh se gjërat kanë ndryshuar. Po qe se qëndrojmë për një kohë afër xhamisë dhe vrojtojmë, do të shohim se të rinjët janë ata të cilat në masë më të madhe i frekuentojnë xhamitë. Por shtrohet pyetja: A të bën vallë shkuarja në xhami për t’u falur më shumë fetar?! Siç mund të shtrohet pyetja se a të bën vallë shkolla më shumë të dijshëm, vetëm se ti e vijon atë. Përgjigjet në pyetjet si këto janë gjithmonë ato që nxisin debat e herë herë edhe polemika, por kjo është edhe esenca e ngritjes së çështjeve në mënyrë që të shterrohen temat dhe të rinjët të mësohen me kulturën e debatit për tema të ndryshme, të argumentojnë dhe të dëgjojnë me vëmendje kundër argumentet.

Rritja e ndjesisë fetare tek të rinjët të cilët kalojnë nëpër tranzicion në pjesë të caktuara, është një aspekt që duhet kushtuar një vëmendje e veçantë, duke patur parasysh se tanimë kemi edhe elemente të caktuara të cilat tentojnë të devijojnë mësimin mbi fenë. Ngritja e cilësisë në arsim është poashtu një element i cili në masë të madhe duhet t’a kemi parasysh, sepse në momente të caktuara ndjehet edhe nevoja që këta të rinjë të kuptojnë drejtë çështjen e së drejtës fetare.

Duke patur parasysh se Kosova është shtet laik, derisa shoqëria në Kosovë nuk është e tillë, pasiqë këtë qartë e reflekton Kushtetuta dhe sistemi juridik i shtetit, e ku të drejtat e besimit janë të garantuara me konventa ndërkombëtare e ligje vendore, siç është edhe ligji për lirinë fetare në Kosovë. Ne si shoqëri, duhet që të kemi konsideratë si për ata që e praktikojnë fenë, ashtu edhe për ata që nuk e bëjnë një gjë të tillë. Por në realitet gjërat janë ndryshe, jemi dëshmitarë të situatave kur të rinjët paragjykohen nga një grup ose tjetër, varësisht se a janë praktikues të fesë apo jo, dhe krejt kjo si pasojë e mungesës së komunikimit të mirëfilltë dhe tolerant për tema të tilla.

Një element tjetër po aq i rëndësishëm në këtë temë, është edhe mungesa e përfshirjes, gjegjësisht zëri i vobekët i femrës, marrë paraysh se përbëjnë gjysmën e popullatës së Kosovës, derisa roli i tyre si në familje e veçanërisht në shoqëri duhet të respektohet shumë më shumë. Jemi dëshimtar të asaj se ato jo rrallë anashkalohen,  neglizhohen e besa jo rrallëherë edhe injorohen si nga gjinia e kundërt, por edhe nga vetë institucionet përfshirë edhe ato fetare.

Edhe mediat janë ato që do të duhej të luajnë rolin e vet, duke i nxitur debatet gjithëpërfshirëse, duke mos patur rolin paragjykues për asnjërën palë, duke krijuar hapësirë për palët e interesuara për të shfaqur dhe shprehur qartë mendimet e tyre për tema si kjo.

Një element shumë i rëndësishëm gjatë Sallonit të së martës ishte edhe elementi i një konsesusi në grup, se është më se e nevojshme që të rinjët të arsimohen, mësojnë dhe të lexojnë më shumë, në mënyrë që gjërat të mos i marrin të servuara, të mësohen të krijojnë mendimin kritik për çështje dhe tema të ndryshme, gjithmonë duke qenë të vëmendshëm që të mos paragjykojmë të tjerët, por ta mundim këtë ves duke bashkëbiseduar me njëri-tjetrin.