• Shqip

Integrimi evropian dhe nismat rajonale: Komplementarë apo përjashtues me njëra-tjetrën?

02.03.2022 Ngadhnjim Avdyli

Brenda çfarëdo zhvillimi politik në vitet e fundit në Kosovë përmendet edhe integrimi evropian. Më 25 janar është mbajtur salloni i radhës nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) me temën “Integrimi evropian dhe nismat rajonale: Komplementarë apo përjashtues me njëra-tjetrën?”. Kontribout në shtjellimin e kësaj tema dhanë panelistët Vlora Çitaku, Ish-ambasadore e Kosovës në Uashington, si dhe Drita Sylejmani, Hulumtuese në PIPS.

Brenda Bashkimit Evropian (BE) ka kohë që zhvillohet debat se a mund të bashkekzistojë zgjerimi i BE-se paralelisht me thellimin e fuqizimit të mekanizmave dhe strukturave të vendimmarrjes së BE-së mirëpo tashmë zgjerimi evropian nuk mund të shihet si vite më parë dhe sot. Mirëpo ndryshimet brenda BE-së si dhe hapat që Kosova ka ndërmarrë deri tash drejt integrimit kanë krijuar situatë ku për çdo hap të mëtejmë duhet që Kosovën ta njohin gjitha shtetet e unionit, si dhe ratifikimi i integrimit të bëhet nëpër secilin prej kuvendeve të shteteve përkatëse.

Ndërsa, nismat rajonale nuk mund të shihen si zëvendësim i proceseve integruese. Procesi i Berlinit Kosovën e trajton si shtet të barabarta me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe në thelb Procesi i Berlinit dhe Open Ballkan nuk dallojnë shumë’. Gjatë këtij diskutimi u potencua se nisma e Ballkanit të Hapur ka një historik të tillë që ka rënë në kundërshtim me parimet e Integrimeve Evropiane pasi prej që është propozuar si nismë është kundërshtuar nga zyrtarët e BE-së dhe është hedhur poshtë nëpër vite dhe në disa samite të organizuar prej BE-së, pasi nisma është parë si tendencë për të nisur një bashkëpunim rajonal mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor por pa përfshirjen e BE-së.

Tri shtetet e Open Ballkan (Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia Veriore) kanë përdorur si justifikim se proceset integruese drejt BE-së janë shumë të ngadalshme dhe ne si shtete të Ballkanit po duam të ecim më shpejt e të realizojmë diçka konkrete. Në anën tjetër, zhvillimet e fundit globale dhe përplasjet mes shteteve të fuqishme rreth rolit të tyre në Ballkanin Perëndimor, tek nismat rajonale si dhe vet proceset e integrimit evropian, si dhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë po ashtu u diskutuan nga panelistët.

Përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe në gjitha proceset tjera integruese në Ballkanin Perëndimor është shumë e rëndësishme. Status-quo nuk është në dobinë e shtetit të Kosovës andaj duhet të kërkojmë përfshirjen e ShBA-ve [në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë].

Qeveria e Kosovës duhet të shfrytëzojë vizitat dhe të përafrohet me qeverinë amerikane, si dhe të kërkojë përfshirje më të madhe të ShBA-ve në dialogun me Serbinë, si dhe të insistojë në arritjen e marrëveshjes përfundimtare dhe kështu presioni të bie tek Serbia e jo tek qeveria e Kosovës. Rjedhimisht nëse marrëveshja refuzohet prej Serbisë, atëherë së paku Kosova do mund të arrinte marrëveshje me BE-në dhe kështu të hapej rruga përfundimtare për integrimin e Kosovës në BE.