• Shqip

Hapja e të Dhënave të Bizneseve dhe Rëndësia e tyre në Luftën Kundër Korrupsionit

06.06.2019  Majlinda Dervishi

Ne jetojmë në epokën e informacionit. IBM pohon se çdo ditë ne krijojmë 2.5 kuintilion bytes të të dhënave – aq shumë sa që 90% e të dhënave në format të hapur në botë sot është krijuar vetëm në dy vitet e fundit. Qeveritë si institucion, prodhojnë sasi të pakufizuara të të dhënave si pjesë e punës së tyre të përditshme. Një pjesë e madhe e tyre mblidhet nga sensorë të përdorur për të mbledhur të dhëna për mjedisin, të dhënat për pasagjerët e transportit publik, shifrat e frekuentimit të spitaleve, rezultatet e provimeve të shkollës etj. Megjithatë, të dhënat e publikuara nga sektori publik sot janë zakonisht informacione dytësore pasi që studimet, raportet, mjetet, politikat janë ato që japin impaktin kryesor në qeverisje të bazuar në të dhëna.

Mungesa e qasjes në këto të dhëna të ndryshme të qeverisë nga ana e qytetarëve dhe palëve të interesit paraqet një pengesë të madhe ndaj qytetarisë aktive dhe po ashtu në zhvillimin e njohurive të reja të bazuara në këto të dhëna. Për shembull, të dhënat e hapura në fushën e prokurimit mundësojnë që qytetarët të jenë vëzhgues të projekteve që zbatohen me paranë publike duke pasur qasje ndër të tjera në të dhëna si vlerën e projektit, kohëzgjatjen e projektit, aktivitetet e parashikuara. Kjo mundëson që qytetarët të kërkojnë llogari nga autoriteti kontraktues në raste kur këto projekte nuk shkojnë siç janë planifikuar paraprakisht duke u bazuar në këto të dhëna. Në anën tjetër, disponueshmëria e të dhënave në fushën e edukimit, teknologjisë, ekonomisë etj. mundëson që në bazë të këtyre të dhënave të bëhen hulumtime e zhvillime të politikave të ndryshme me të dhëna të sakta.

Kjo qasje ndaj të dhënave të hapura nga institucionet publike ne Kosovë mungon, edhe pse kohëve të fundit janë ndërmarrur iniciativa të ndryshme nga po këto institucione drejt hapjes së tyre. Pavarësisht kësaj, hapa të mëtutjeshëm duhet të ndërmerren që të dhënat nga këto institucione të jenë sa më të qasshme nga qytetarët. Problem në këtë rrugëtim është edhe mos-komunikimi mes institucioneve. Ky mos-komunikim pamundëson përballjen ndaj problemeve në Kosovë me qasje gjithëpërfshirëse. Me fjalë të tjera, institucione të ndryshme merren me problemet e njëjta veçmas, ndërsa jo duke bashkëpunuar mes vete. Për shembull, një ndër problemet më të mëdha që ballafaqohet shoqëria kosovare është korrupsioni, mirëpo edhe në luftimin e këtij problemi mungon koordinim mes institucioneve.

Shembull është se si Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës nuk i ka mundësuar qasje Agjencisë Kundër Korrupsionit në të dhënat e bizneseve që të mundësohet verifikimi i tyre në raste të dyshimta për korrupsion. Hapja e të dhënave të bizneseve ndërmjet institucioneve dhe po ashtu ndaj qytetarëve mundëson transparencë dhe llogaridhënie. Ndërkaq, informacionet e mbyllura të bizneseve krijojnë̈ hapësirë̈ për shpërlarjen e parave, korrupsion, keqpërdorim dhe krim të organizuar. Këto probleme pengojnë zhvillimin ekonomik lokal dhe atë nacional.

Me fjalë të tjera, të dhënat e hapura të bizneseve kanë rol të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit, pasi hapja e këtyre të dhënave do të mundësonte lidhjen e të dhënave me sektorë të tjerë si prokurimi publik ose deklarimi i pronës, gjë që do të forconte mekanizmat kundër korrupsionit. Qasja në këto të dhëna do të pengonte përdorimin e bizneseve për qëllime kriminale, si dhe do të bënte shumë më të lehtë identifikimin e bizneseve dhe pronarëve të tyre nëse ka dyshime se ato biznese përdoren për qëllime personale nga zyrtarët qeveritarë.

Izolimi i të dhënave është prezent edhe kur qytetarë apo anëtarë të shoqërisë civile kërkojnë qasje në të dhëna nga institucionet përkatëse, ku përgjigja më e shpeshtë është kërkimi i kompensimit financiar që është në kundërshtim me Ligjin për qasje në dokumente publike. Kjo përgjigje është hasur edhe gjatë zhvillimit të platformës Bizneset e Hapura në Kosovë që mundëson qasje të lehtë të të dhënave të bizneseve dhe vizualizim të këtyre të dhënave që mundëson kuptimin e ekonomisë së Kosovës dhe trendeve të ndryshme ekonomike.

Kjo qasje e institucioneve publike tregon jo-gatishmërinë e tyre për qeverisje transparente dhe llogaridhënëse ku edhe lë vend për keqpërdorim të mjeteve publike. Në të njëjtën kohë, prania e shumë departamenteve e agjencive të specializuara në kuadër të institucioneve publike është pozitive, mirëpo shumica prej tyre nuk kanë funksion ekzekutiv, mirëpo vetëm rekomandues, gjë që pamundëson efektivitet të lartë të punës së tyre. Për më shumë, jo-gatishmëria për komunikim mund të ketë efekt edhe gjatë procedurave të prokurimit publik. Ndër të tjera, prania e rasteve të ndryshme kur kompani me shumë pak kapacitete kanë marrë tenderë në vlerë milionëshe kërkon bashkëpunim mes një varg institucionesh p.sh. identifikimi i pronarëve, vërtetimi i kapaciteteve të operatorit ekonomik në fjalë, hetime ne lidhje me parregullsi gjatë procedurave të prokurimit që janë procedura që duhet të ndjeken.

Të dhënat e hapura përgjatë të gjithë hapave të proceseve të qeverisë lehtësojnë komunikimin në mes institucioneve, po ashtu në mes qytetarëve dhe qeverisë, për qeverisje transparente, llogaridhënëse dhe qasje gjithëpërfshirëse ndaj problemeve në Kosovë.