Gjuha e urrejtjes tek të rinjtë e partive politike – sa është duke u luftuar kjo dukuri?

27.03.2023 Meti Krasniqi

Gjatë dekadës së fundit, Kosova përballet me rritje të gjuhës së urrejtjes në diskursin e saj politik, me politikanët që përdorin gjuhë përçarëse dhe diskriminuese për të arritur qëllimet e tyre. Gjuha e urrejtjes është formë e dhunës verbale dhe i tillë konsiderohet cilido veprim që sulmon një person ose një grup personash në bazë të racës, përkatësisë etnike, fetare, politike, paaftësisë apo orientimit seksual.

Ajo nuk duhet të zë vend në një shoqëri demokratike dhe duhet të dënohet nga të gjithë anëtarët e partive politike, pavarësisht dallimeve ideologjike. Fatkeqësisht, kemi qenë dëshmitarë të normalizimit të gjuhës së urrejtjes ndër vite në Kosovë, derisa kjo dukuri rrezikon të polarizojë shoqërinë dhe të nxisë dhunë. Intensiteti i përdorimit të kësaj gjuhe shtohet dukshëm para dhe gjatë fushatave zgjedhore. Padyshim, me mbi 96 për qind qasje në internet, siç tregojnë të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ndër mënyrat më të përshtatshme dhe efektive për të arritur deri te publiku janë rrjetet sociale.

Në shtator të vitit 2021, pak para zgjedhjeve lokale, me iniciativë të Institutit “Demokraci për Zhvillim” (D4D), ishte nënshkruar Deklarata e Mirësjelljes nga disa organizata të shoqërisë civile, partitë politike dhe mediat, me zotimin se palët do të përmbaheshin nga diskursi negativ në rrjete sociale. Mirëpo, këtij zotimi nuk u ishin përmbajtur plotësisht partitë politike. Ka qenë D4D-ja ajo që gjatë dy rundeve të zgjedhjeve ka bërë monitorimin e rrjeteve sociale dhe nga analizimi i mbi 6 mijë artikujve, janë konstatuar 198 shkelje të Deklaratës së Mirësjelljes, më së shumti në “Facebook”, e ku dominuese ka qenë gjuha e urrejtjes. Pra, komunikimi politik del të jetë ndër burimet kryesore të gjuhës së urrejtjes. Liderët politikë nuk janë të vetëdijshëm mjaftueshëm për përgjegjësinë që bart fjala e tyre dhe përdorimi i gjuhës së urrejtjes, sidomos në rrjetet sociale të cilat në pamundësi të një vetëkontrolli të mirëfilltë shërbejnë si çerdhe për përhapjen e kësaj gjuhe.

Rrjedhimisht, shembulli i të vjetërve prek edhe të rinjtë e partive politike, të cilët në fakt nuk kanë ndërmarrë ndonjë iniciativë për të ndryshuar situatën. Ata duhet të dalin nga zona komode dhe të nisin përpjekjet për të ndikuar në uljen e përdorimit të gjuhës së urrejtjes, qoftë edhe duke u përballur me elitat partiake, praktikuese të kësaj dukurie. Aktivistët e rinj duhet të jenë insistues që komisionet disiplinore brenda partive të kryejnë funksionin e tyre për të nxjerrë para përgjegjësisë përdoruesit e gjuhës së urrejtjes. Po ashtu, forumet rinore duhet të marrin iniciativa për të propozuar miratimin e instrumenteve vetërregulluese nga partitë si kodet e sjelljes dhe kodet etike, që përdorimin e gjuhës së urrejtjes nga anëtarët e tyre.

Është e rëndësishme të kuptojmë se gjuha e urrejtjes nuk është vetëm një çështje morale, por edhe ligjore. Në Kosovë, si dhe në shumë vende të tjera, gjuha e urrejtjes është e ndaluar me ligj dhe konsiderohet si një formë e diskriminimit dhe e shkeljes së të drejtave të njeriut. Përveç Kushtetutës, korniza ligjore e Kosovës e cila përfshin dispozita mbi gjuhën e urrejtjes, përmban Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Kodin Penal, si dhe Legjislacionin e Mediave. Pavarësisht dispozitave të bollshme ligjore, mungon efikasiteti i institucioneve të drejtësisë në sanksionimin e gjuhës së urrejtjes. Në këtë mënyrë, krijohet hapësirë për përhapjen e mëtejme të kësaj dukurie që mund të sjellë pasoja shkatërruese, duke krijuar klimë frike dhe mosbesimi në shoqëri.

Kosova është një demokraci e re që ka shënuar përparim të rëndësishëm që nga viti 2008 kur u shpall e pavarur. Megjithatë, rritja e nivelit të përdorimit të gjuhës së urrejtjes kërcënon të prishë këtë progres dhe ta zhysë vendin përsëri në ditët e errëta të konfliktit dhe ndarjes. Na takon të gjithëve ta parandalojmë një mundësi të tillë dhe të ndërtojmë një shoqëri demokratike dhe paqësore.

Ky artikull është shkruar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Kundër diskriminimit, gjuhës së urrejtjes dhe dhunës me bazë gjinore”. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e ATRC, IKS dhe D4D dhe jo domosdoshmërisht pasqyrojnë pikëpamjet e Bashkimit Evropian.