Zhvillimi i hovshëm i teknologjisë në përgjithësi e në veçanti i inteligjencës artificiale në vitet e fundit ka ndikuar pashmangshëm në bërjen e gazetarisë. Monitorimi i mediave gjatë muajit tetor të vitit 2023 tregoi se disa media publikuan përmbajtje pa e verifikuar burimin e informacionit ndërsa disa të tjera duke cituar persona jo kredibil mbi tema të caktuara krijuan pa siguri tek qytetarët.
Në rrjete sociale qarkulluan disa video të personave publik, siç është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kinse, duke dhënë një intervistë në gjuhën arabe. Shumë qytetarë i besuan videos e cila është prodhuar me ndihmën e inteligjencës artificiale, duke mbivendosur zërin në gjuhë tjetër e madje, duke përshtatur edhe ngjyrën e zërit me të personit që shfaqet në video. Kjo formë e videove njihët si “Deep-Fake”.
Ndërveprimet në rrjetin social “Tik-Tok” treguan se videoja e Kutit mori 5625 pëlqime, 483 komente dhe 2183 shpërndarje. Gjithashtu, ajo u ruajt nga përdoruesit e këtij rrjeti social plotë 2183 herë.
Këto të dhëna flasin mjaftë për mundësinë e manipulimit që mund t’i bëhet opinionit publik duke publikuar një video e cila në fakt është e rreme. Kryeministri i Kosovës nuk flet gjuhën arabe, por shumë nga komentuesit në video e besuan atë.
Gjatë muajve të kaluar, video të tilla u publikuan edhe për kryeministrin shqiptar, Edi Rama por edhe për lider tjerë botëror siç është presidenti amerikan, Joe Biden, duke folur në gjuhën arabe por edhe gjuhë të tjera.
“Deep-Fake” tashmë është një rrezik i ri për mediat, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë botën. Siç interpretojnë teoritë mbi “Deep-Fake”, verifikimi i këtyre lloj përmbajtjeve është i vështirë – inteligjenca artificiale i bënë aq të vërteta këto video sa edhe profesionistë më të mirë të fushës shpesh bien pre e tyre. Megjithatë, programe të avancuara për të detektuar “Deep-Fake” janë zhvilluar gjithashtu.
Por, gjatë muajit tetor nuk ishte vetëm kjo formë e shpërndarjes së dezinformtave. Monitorimi i mediave nga shoqëria civile në vend regjistroi lajme të cilat burim të informacionit kishin persona të cilët prezantohen në opinion si konspiracionist. Pra, mediat prodhojnë lajme mbi ngjarje të caktuara në vend, duke përfshirë ngjarjet në veri të vendit duke cituar një konspiracionist.
Ky model i gazetarisë, duke cituar një konspiracionist, është modeli më i keq që mund të ndodhë në mediat kosovare. Çdo teori e cila mësohet në shkollat e gazetarisë sugjeron që mediat të përdorin burime kredibile, zyrtare dhe profesionistë të fushave. E kundërta ndodhë në disa medie në Kosovë, duke cituar një person i cili vet-quhet konspiracionist, e në të njëjtën kohë duke zbehur seriozisht besimin e lexuesve në media.
Mediat online, por edhe televizionet, më urgjencë duhet ta shmangin citimin e personave të tillë, në veçanti për ngjarje siç janë ato të sigurisë, e të cilat mund të krijojnë tek qytetarët pasiguri dhe të ngjallin frikë.
Në kohën e sotme, verifikimi i fakteve për gazetarët është sfida kryesore. Informacione me bollëk publikohen gjithandej në rrjete sociale, të cilat zor se do të ndalohen ndonjëherë. Por, është e rëndësishme që mediat serioze të punojnë më shumë në verifikimin e informacioneve para se të vendosin t’i publikojnë ato.
Gjatë muajit tetor, një lajm i cili fillimisht u keq-përkthye nga përkthimi zyrtar i kryeministrisë në Shqipëri, mori dheun. Presidenti francez, Emanuel Macron gjatë një konference foli për vizat për Kosovën, por ai nuk tha se do të kushtëzohet Kosova për viza. Monitorimi i mediave tregoi se 38 media në gjuhën shqipe e publikuan lajmin pa e verifikuar atë. Pas kësaj, shumë reagime pati në skenën politike, në Kosovë, Shqipëri e në Serbi. Por, vetëm pasi u dëgjua me kujdes fjalimi i Macron, u pa që ai nuk kishte folur për kushtëzime në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Ky është një rast tjetër ku mediat mund të keqinformojnë opinionin publik në vend e në rajon. Lajme të tilla, të cilat publikohen sa për të “kapur” klikimet të parët dëmtojnë reputacionin e mediave. Mediat gabuan duke i dhënë përparësi shpejtësisë para saktësisë. Në mënyrë që mediat të raportojnë saktë, drejtë dhe pa marrë anë është që zbatojnë standardet bazë të gazetarisë, e të cilat janë saktësia dhe relevanca.
Në mënyrë që media ta plotësoi misionin e saj, i cili parasegjithash është informimi i drejtë i publikut, duhet të kujdeset që të përdorë në mënyrë të saktë burimin e informacionit. Mediat parasegjithash duhet t’i verifikojnë informacionet para se t’i publikojnë, duke bërë këtë luftojnë dezinfomratat të cilat qarkullojnë gjithandej në internet.
Në anën tjetër, një veprim i menjëhershëm nga institucionet shtetërore është që lënda e edukimit mediatik të futet në shkolla fillore dhe të mesme, në mënyrë që gjeneratat e reja të mësohen të lexojnë lajme në mënyrë kritike, të dallojnë faktet nga opinionet dhe t’i dallojnë lajmet e vërteta nga dezinformatat.
Ndërsa, mediat profesionale t’i shtojnë kapacitetet për verifikim të fakteve.
Ky editorial është realizuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) në kuadër të projektit “Mbulueshmëria dhe kuptueshmëria e çrregullimit të informacionit në Kosovë”, që mbështetet nga NDI dhe USAID në Kosovë.