• Shqip

Barrierat e investitorëve të huaj në Kosovë: Politikat e nevojshme ekonomike që duhen ndërmarrë për t’i kapërcyer ato

23.06.2021 Diellza Gashi Tresi

Kosova vazhdon të ballafaqohet me probleme në tërheqjen e investime të huaja  direkte (IHD). Përkundër faktit që ndër vite janë shënuar përparime në disa faktorë si reforma në politikën tatimore dhe makroekonomike, dhe investime në  infrastrukturën rrugore, Kosova vazhdon të mos tërheq investime nga investitorët e mëdhenj.

Studimet empirike tregojnë se faktorët më të rëndësishëm për tërheqjen e IHD-ve në ekonomitë e Ballkanit Perëndimorë janë qeverisja e mirë, infrastruktura, stabiliteti fiskal dhe arsimi. Kosova ka dobësi  sa i përket qeverisjes dhe arsimit. Më konkretisht, sa i përket arsimit, Kosova renditet e treta nga fundi në rezultatet e Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve, PISA. Pas Kosovës janë vetëm Republika Domenikane dhe Filipinet. Gjithashtu, Kosova ka numrin më të ulët të të diplomuarve në Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë (STEM), gjë që mund të shpjegojë pse Kosova ka tërhequr sasi më të ulëta të IHD-ve në rajon gjatë viteve të fundit.

Problem tjetër vazhdon të jetë paqëndrueshmëria politike, niveli i ulët i besueshmërisë në institucione, pengesat fiskale, pengesat administrative, korrupsioni, haraçi, krimi, vjedhja dhe ekonomia joformale, vonesa në procesimin e lëndës në gjykatë si dhe niveli i ulët i digjitalizimit të bizneseve (IETL, 2020).

Për të diskutuar rreth kësaj teme, D4D në sallonin e së martës pati të ftuar tre panelistë: Nora Hasani, drejtoreshë menaxhuese në Odën Ekonomike Gjermano Kosovare, Edison Jakurti, doktorant i Shkencave të Ekonomisë dhe ish-zëvendës ministër i Ekonomisë, si dhe z. Besian Mustafa, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe ish-drejtor i KIESA.

Gjatë fjalimeve u prekën disa pika dhe panelistët u pajtuan në shumicën e tyre. Një pikë në cilën u pajtuan është se Qeveria e Kosovës duhet të fokusohet në sektorë specifik dhe të bëjë promovimin e sektorëve të përzgjedhur për tërheqjen e IHD-ve. Idea është që duhet të bëhet përzgjedhja e sektorëve produktiv. Promovimi mund të bëhet përmes Kryeministrit të Kosovës gjatë vizitave në vendet e ndryshme. Këtu është propozuar që Kryeministri gjatë vizitave ndërkombëtare të marr me vete një grup të bizneseve kosovare të cilët mund të prezantojnë punën e tyre. Një mënyrë tjetër është promovimi nga investitorët e huaj të cilët veçse kanë investuar në Kosovë.

Tjetër pikë me rëndësi është se Kosova mund të përfitojë nga trendi i “near-shoring” (i cili ndodh kur një organizatë vendos të transferojë operacionet e biznesit apo punën/shërbimin e nënkontraktuar nga një kompani  e cila ndodhet më larg tek kompania që është gjeografikisht më afër). Për shkak të pandemisë, shumica e bizneseve kanë pasur probleme në zinxhirin e vlerave, posaçërisht bizneset të cilat prodhimin e bëjnë në Kinë. Si rezultat, ato biznese kanë filluar të i zhvendosin pikat e prodhimit më afër tyre dhe Ballkani Perëndimor për shkak të pozitës gjeografike ka potencial për të përfituar nga ky trend. Kosova, si pjesë e Ballkanit Perëndimor, mund të përfitoj gjithashtu. Mirëpo, për të përfituar nga një trend i tillë, Kosova duhet të ndërmarr hapa specifik. Një hap është dizajnimi i  pakos së incentivave  e cila siguron se tërheqim investitorë të huaj por edhe se arrijmë të i mbajmë në vendin tonë për një kohë më të gjatë.

Një tjetër pikë në të cilën u pajtuan panelistët është se Qeveria e Kosovës duhet të punojë në përmirësimin e imazhit të vendit. Arsye e rëndësishme e investitorëve të huaj për të mos investuar në Kosovë është imazhi i rënduar i vendit si rezultat i nivelit të lartë të korrupsionit. Andaj, Qeveria e Kosovë duhet të ndërmarr hapa konkret në përmirësimin e imazhit të vendit dhe krijimin e një brendi të Kosovës në përgjithësi por edhe krijimin e një brendi për sektorët specifik që përzgjidhen për tërheqjen e IHD-ve.

Aspekt tjetër me rëndësi janë remitencat e dërguara nga diaspora. Fokusi këtu duhet të jetë në orientimin e  remitencave drejt investimeve. Në këtë drejtim, duhet të krijohen ura lidhëse në mes të investitorëve nga diaspora, Qeverisë së Kosovës si dhe bizneseve vendore. Deri tash janë bërë përpjekje për identifikimin e bizneseve shqiptare në diasporë, por duhet bërë më shumë. Një propozim ishte përpilimi i një strategjie të përbashkët me diasporën. Në këtë mënyrë diaspora përfshihet në politikëbërje. Propozim tjetër ishte krijimi i Fondeve Investive të Diasporës.

Si rekomandim përmbledhës për tërheqjen e IHD-ve, është që nevojitet koordinim më i mirë në mes të institucioneve vendore. Investitorët e huaj të cilët kanë shprehur interes për të investuar në Kosovë janë shprehur se kanë hasur në koordinim jo efikas ndër-institucional. Andaj, duhet ndërmarrë masa konkrete që të arrihet koordinim efikas në mes të institucioneve të ndryshme vendore në mënyrë që investitorët e huaj të kenë sa më të lehtë procesin e investimit në Kosovë.

 

Ky sallon u realizua me mbështetje nga Konrad Adenauer Stiftung