• Shqip
21.01.2025 Genc Rashiti

Transparenca dhe llogaridhënia janë dy nga shtyllat kryesore të qeverisjes së mirë, veçanërisht në nivel lokal ku ndikimi i drejtpërdrejtë te qytetarët është më i ndjeshëm. Mirëpo, Komuna e Podujevës vazhdon të përballët me sfida serioze në këto dy fusha, duke mos arritur të plotësojë pritshmëritë e qytetarëve dhe organizatave joqeveritare (OJQ) që ndjekin dhe monitorojnë punën e saj.

Një nga kritikat kryesore që adresojnë OJQ-të është mungesa e pjesëmarrjes aktive të qytetarëve në proceset vendimmarrëse dhe konsultimet publike. Përkundër detyrimeve ligjore për organizimin e diskutimeve publike, shumica e qytetarëve mbeten të painformuar ose nuk marrin ftesa për të marrë pjesë. Si rezultat, diskutimet zhvillohen kryesisht në mjedise të mbyllura, ku qytetarët dhe profesionistët nuk kanë hapësirë të japin mendimet e tyre. Ky proces jo vetëm që dëmton cilësinë e vendimeve, por edhe rrit ndjenjën e largimit nga strukturat lokale.

Një shembull i tentativave për të adresuar disa nga këto probleme është platforma dixhitale “Allo Komuna”; e cila synon të ofrojë një mjet për raportimin dhe zgjidhjen e problemeve nga qytetarët. Përkundër synimeve të mira, kjo platformë është kritikuar për efikasitetin e saj të ulët. Shumë nga ankesat e dorëzuara mbeten pa përgjigje, ndërsa të tjerat trajtohen në mënyrë sipërfaqësore pa dhënë zgjidhje konkrete. Ky mungesë efikasiteti ul besimin e qytetarëve në institucionet lokale dhe rrit pakënaqësinë publike.

Një aspekt tjetër kritik i evidentuar nga OJQ-të është mospjesëmarrja e profesionistëve dhe ekspertëve në proceset e vendimmarrjes, sidomos në fazat e planifikimit dhe ndarjes së buxhetit. Kjo mospjesëmarrje jo vetëm që ul cilësinë e politikave të hartuara, por gjithashtu krijon perceptimin se proceset janë të mbyllura dhe jo transparente. Profesionistët mund të kontribuojnë me njohuritë dhe përvojat e tyre për të siguruar që burimet publike të shpenzohen në mënyrë efektive dhe që projektet të jenë të orientuara drejt nevojave reale të qytetarëve.

Për të adresuar këto sfida, disa rekomandime janë të domosdoshme. Së pari, Komuna duhet të publikojë dokumentet kryesore, si buxheti dhe raportet e shpenzimeve, në një format të qasshëm dhe të kuptueshëm për qytetarët. Së dyti, është e nevojshme të organizohen konsultime të rregullta dhe të hapura, ku qytetarët dhe profesionistët të mund të japin kontributin e tyre në vendimmarrje. Së treti, përmirësimi i platformave dixhitale si “Komuna”; duhet të jetë prioritet për të siguruar që ankesat e qytetarëve të trajtohen me seriozitet dhe në kohë reale. Së fundi, duhet zhvilluar fushata edukative për të nxitur
pjesëmarrjen aktive të qytetarëve dhe për të rritur vetëdijen e tyre mbi të drejtat dhe përgjegjësitë qytetare.

Transparenca dhe llogaridhënia në Komunën e Podujevës mbetet një sfidë e madhe, por jo e pakalueshme. Hapja e institucioneve, përfshirja e qytetarëve dhe angazhimi i profesionistëve mund të sigurojnë një model të qeverisjes së mirë që adreson nevojat e komunitetit dhe siguron zhvillim të qëndrueshëm në të ardhmen.