Nga çfarë përcaktohen fatet e njerëzve? Fabula e qypit me flori inkurajon punën, përkushtimin, konsistencën si tre faktorë kryesorë të cilat sikur të ndjeken prodhojnë rezultatin e kërkuar – pra, duke punuar tokën vit pas viti, ne gjejmë qypin e shumë kërkuar me flori. Nga shkollarët e hulumtimet e ndryshme shkencore nga sociologë, psikolog, ekspertë të edukimit e zhvillimit të karrierës mësojmë poashtu se investimi tek vetja duke u shkolluar, duke ndjekur trajnime profesionale, praktikë pune, konsistenca janë çelësi i suksesit. Bëj këto dhe suksesi i garantuar.
Por rregullat e njejta si duket nuk vlejnë për të gjithë, sepse rrethanat nuk janë të njejta për të gjithë. Shoqëria kosovare ndër vite ka ndërtuar një sistem i cili favorizon djemt dhe burrat nëpërmjet formave të ndryshme deri në atë nivel sa ky grup shoqëror është pjesë integrale dhe e nënkuptueshme në Kosovë. Në anën tjetër vajzat dhe gratë edhe pas përgatitjes profesionale, nuk arrijnë rezultatet që do të duhej.
Një numër i madh barrierash janë vendosur para grave dhe vajzave, të cilat fillojnë nga edukimi familjar duke i vënë përgjegjësi të ndryshme, varësisht nga gjinia. Kujdesi shtëpiak, kujdesi për fëmijët dhe të moshuarit, varësia financiare janë vetëm disa prej sfidave të cilat u prezantohen vajzave dhe grave sikur karta nën këmishë në një lojë bixhozi.
Përballë mendësisë përjashtuese, çasjes limituese nga shoqëria, politikave diskriminuese, roleve gjinore lehtë kuptohet se në Kosovë, grave dhe vajzave nuk u mundësohet çasje e barabartë në tregun e punës, veçanërisht atyre të zonave rurale.
Nga diskutimi “Barrierat për pjesëmarrje të barabartë të grave në tregun e punës në Komunën e Drenasit” që u realizua nga Instituti Demokracia për Zhvillim në kuadër të salloneve të së martes (25 Prill 2023) u prezantuan edhe statistika që mbështesin edhe shkenctarisht sfidat me të cilat përballet ky grup shoqëror.
Sipas studimit “Joaktiviteti i grave në tregun e punës” realizuar nga D4D vetëm 1 në 8 gra është duke kërkuar ose e punësuar. “Më shumë se 53.2% të të anketuarve theksojnë se arsye kryesore e përjashtimit të grave nga tregu i punës është se ato kanë përgjegjësi që të kujdesen për fëmijët dhe të moshuarit në familje, derisa 30% e theksojnë mungesën e mundësive të punësimit si arsye për përjashtimin e grave.” Ky studim nxjer edhe një statistikë edhe më shqetësuese kur 29% e të anketuarave mendojnë se përkujdesi për fëmijët i takon vetëm nënave. Gjë që flet për një përbrendësim të normave shoqërore karshi roleve gjinore.
Panelistët në këtë diskutim që ishin Egzona Tërdevci – Asambleiste nga Lëvizja Vetëvendosje, Kadire Tahiraj nga OJQ Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas dhe Zahrie Podrimqaku – Zyra për Barazi Gjinore në Komunën e Drenasit – theksuan se në kontekstin lokal gratë përveç sfidave të cilat janë të njejta me ato në nivel nacional, përballen edhe me sfida si mungesa e transportit, vendet e punës, mundësitë për vetpunësim e mungesa e çerdheve.
Përballë një sistemi të tillë, ku normat shoqërore vënë barriera shtesë për gratë dhe vajzat në Kosovë, natyrshëm kuptojmë se fati i tyre nuk vetpërcaktohet. Shoqërisë kosovare i mbetet të vendosë nëse dëshiron të vendosë tërë kapitalin njerëzor në funksion të zhvillimit socio-ekonomik, apo të operoj vetëm me një grup shoqëror i fokusuar tek djemt dhe burrat.
Ndërsa gratë me vullnetine tyre të hekurt, duhet të vazhdojnë angazhimin për të qenë pjesë e barabartë e shoqërisë duke eliminuar sa më shumë prej barrierave të cilat pastaj do t’iu mundësojnë atyre një sistem ku zhvillimi personal e profesional mjafton për të përcaktuar fatin e tyre.
Ky editorial është shkruar në kuadër të projektit: “Shfrytëzimi i Zhvillimit: Rritja qasjes së grave në punësim”, i mbështetur nga Ambasada Norvegjeze në Prishtinë