• Shqip

UNITET NACIONAL NË VEND TË PËRPLASJEVE INSTITUCIONALE DHE PËRÇARJEVE POLITIKE NË KOHËN E EMERGJENCËS SHËNDETËSORE TË KORONA-VIRUSIT

19.03.2020

Organizatat e mëposhtme të shoqërisë civile e shohin me shqetësim gjendjen e krijuar në kohën e emergjencës së shkaktuar nga pandemia e COVID 19. Për ta rënduar edhe më shumë këtë situatë, inicimi i procedurës së shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme sipas nenit 131 të Kushtetutës nga ana e Presidentit të Republikës ka ri-futur në përplasje serioze partitë kryesore politike, gjë që mund të rezultojë me pasojën e një krize institucionale që e rëndon edhe më shumë situatën e krijuar. Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme është akt më ekstrem që buron nga uniteti sublim politik dhe shoqëror ndaj një emergjence nacionale, dhe në asnjë formë nuk duhet përdorur si akt i përçarjes shoqërore për interesat personale dhe politike. Si një mbikëqyrës objektiv i situatës së krijuar, ne vlerësojmë që ka nevoje për një qëndrim shtetëror mbi interesin e ngushtë personal, partiak e politik, dhe krijimin e një mirëkuptimi që rezulton në bashkëpunim ndërmjet Qeverisë, Kuvendit dhe Presidentit të Republikës deri në përfundim të emergjencës së shëndetit publik, ku aktualisht gjendet vendi ynë. Çdo veprim tjetër është në shkelje direkte të interesit publik, dhe rrezikon të cenoj seriozisht menaxhimin e pasojave të kësaj situate.

Në anën tjetër, ne vlerësojmë që inicimi i procedurës për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme mund të motivoj edhe më shumë një përplasje politike ndërmjet akterëve parlamentar. Prandaj, vlerësojmë që nuk ekziston një argumentim i qartë i nevojës për shpalljen e një gjendje të tillë, dhe rolit eventual ndryshe që FSK-ja do të ushtronte në këtë kohë emergjence. Shpallja e një gjendje të tillë mbi të gjitha do të mund të suspendonte disa funksione fundamentale demokratike të rendit tonë institucional, dhe mbi të gjitha mund të cenonte në thelb menaxhimin civil të krizës aktuale. Prandaj, kërkojmë që deri në krijimin e një konsensusi të mirëfilltë politik dhe institucional që një iniciativë e tillë meriton, një gjë e tillë të pezullohet.

Me rëndësi të njëjtë strategjike është edhe ulja e tensioneve në Kuvend, dhe parandalimi i një krize politike që do të mund të rezultonte nga një Qeveri pa mbështetje nga një mazhorancë parlamentare. Vlerësojmë që Kosova tash për tash nuk ka kapacitetin e as luksin të përballet me një situatë të rrëzimit eventual të Qeverisë në Kuvend. Prandaj, i kërkojmë Kryeministrit Kurti, dhe partnerëve të koalicionit qeverisës, që së bashku me kreun e shtetit, dhe të gjithë anëtarët tjerë, të ulen dhe ndërtojnë një unitet të plotë menaxherial në Këshillin e Sigurisë të mbledhur në gjendje të rregullt, e jo të jashtëzakonshme, për ta menaxhuar situatën aktuale në kuptimin e shëndetit publik, ekonomik dhe më së shumti social, të kategorive më të prekura. Uniteti duhet të jetë kryefjala e krerëve të shtetit në këtë situatë.

Për më tepër, vlerësojmë që Qeveria e Kosovës duhet të veproj me një shpejtësi më të madhe në drejtim të hartimit dhe zbatimit të planit të masave të emergjencës së shëndetit publik, sidomos sa i përket krijimit të stoqeve të nevojshme për personelin shëndetësor, rezervave ushqimore shtetërore, dhe karantinimin e detyrueshëm dhe të monitoruar të tërë personave që kanë udhëtuar nga vatrat e korona virusit, apo që kanë pasur një kontakt direkt me personat e prekur. Vlerësojmë që një masë e tillë nuk është duke u zbatuar në mënyrë të detyrueshme e të monitoruar nga një autoritet shtetëror, gjë që po shkakton një pamundësi të ndalimit të shpërndarjes së virusit në masë.

Ritheksojmë që ruajtja e një uniteti kombëtar ndërmjet forcave politike në këto momente ka rëndësi të jashtëzakonshme. Një unitet i tillë duhet te jetë mbi qëllimet personale e partiake, e të mos cenoj vlerat fundamentale të ekzistencës institucionale të Republikës së Kosovës në këtë kohë të emergjencës së shëndetit publik.

Sinqerisht,

Organizatat nënshkruese:

  • Demokraci për Zhvillim (D4D)
  • Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)
  • Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)
  • Instituti GAP
  • Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK)
  • Lëvizja FOL
  • Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, Çohu!
  • Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA)