Takim i grupit jo-formal të grave anëtare të Kuvendit të Komunës së Prishtinës dhe vajzave nga kjo Komunë

13.02.2020

Storiet e suksesit drejt angazhimit politik të grave asambleiste dhe sfidat/nevojat e vajzave të reja nga Komuna e Prishtinës, ishin dy nga temat kryesore të cilat u shtjelluan gjatë një diskutimi të përbashkët në mes grupit jo-formal të grave anëtare të Kuvendit të Komunës së Prishtinës dhe vajzave nga kjo Komunë.

Iniciativa për një bashkëbisedim të tillë ka ardhur nga grupi-jo formal i grave, me qëllim të motivimit të vajzave për vendimmarrje dhe aktivizëm më të madh, me anë të rrëfimit të historisë së tyre përgjatë rrugëtimit në politikë. Gjithashtu një pjesë shumë e rëndësishme e diskutimit i’u kushtua identifikimit të nevojave që kanë vajzat dhe gratë në komunitetin ku jetojnë, në mënyrën që problemet e tyre grupi jo-formal i grave anëtare të Kuvendit ti adresoj në Kuvendin e Komunës së Prishtinës.

Diskutimi është mbajtur në kuadër të projektit “Përtej barazisë numerike: Fuqizimi i grave anëtare të Kuvendeve të Komunave në Qeverisje lokale”, i cili ka për qëllim të forcojë avokimin dhe pjesëmarrjen aktive të grave në proceset politike, me fokus të veçantë të grave anëtare të Kuvendeve të Komunave në qeverisje lokale.

Ky projekt mbështetet në kuadër të Programit Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC.