Sesion informues virtual me këshilltarët komunal të Komunës së Gjakovës

18.04.2020

Komuna e Gjakovës vazhdon të ballafaqohet me problemin e “numrave” në Kuvendin Komunal, duke shkaktuar pakënaqësi dhe përplasje ndërmjet këshilltarëve komunal të subjekteve politike që janë të përfaqësuara aty. Ndër të tjera, ky ishte njëri prej problemeve kryesore të theksuara gjatë takimit virtual të organizuar nga D4D me këshilltarët komunal të Komunës së Gjakovës të premten më 17 prill.

Qëllimi i këtij takimi ishte prezantimi i platformës qeverismire.info, punën e programit Kosova që Duam në këto dy vitet e fundit dhe diskutimi mbi problemet kyçe të identifikuara nga ky program, dhe cilat janë problemet më të mëdha për qytetarët e Komunës së Gjakovës.

Gjatë pjesë së diskutimit pati mendime të ndryshme në lidhje me punën e Komunës, por me raste edhe pajtime kur puna është kryer si duhet nga mandati i tanishëm. Një gjë që vazhdon të mbetet problem në Kuvendin Komunal të Gjakovës, sipas një pjese të këshilltarëve komunal është “përdorimi i numrave në Kuvend për të aprovuar pikat e ditës që janë në interes të partive në pushtet”. Një gjë pozitive që u theksua nga pothuajse të gjithë këshilltarët komunal ishte dhënia e granteve të vogla si për biznes fillestar ashtu edhe për kulturë, rini dhe sport, gjë që është përmirësuar konsiderueshëm gjatë 3 mandateve të fundit.

Për fund, këshilltarët komunal u ndanë të kënaqur me këtë lloj takimi por edhe me platformën online për qeverisjen e mirë, duke propozuar promovimin e saj edhe tek qytetarët, në mënyrë që edhe ata të jenë në dijeni për të gjitha të drejtat e tyre, por edhe të drejtat dhe përgjegjësitë e përfaqësuesve të tyre në Komunën e Gjakovës.

Ky sesion informues virtual u realizua në kuadër të projektit “Qeverisje Lokale transparente dhe llogaridhënëse”, si pjesë e programit Kosova që Duam, realizuar nga instituti Demokraci për Zhvillim, me mbështetje financiare nga Friedrich Ebert Stiftung (FES) në Prishtinë.