Roli i Asambleistëve dhe Qeverisja e mirë Komunale

16.02.2023

Instituti D4D ka mbajtur sot Diskutimin Agora me temë: Roli i asambleistëve dhe qeverisja e mire komunale në Komunën e Prishtinës.

Së bashku me asambleistët, Violeta Emini Salihu nga Lëvizja Vetëvendosje, Amir Simnica nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Endrit Zabërgja nga NISMA Socialdemokrate, kemi diskutuar rreth rolit të asambleistëve, punës që ata bëjnë për përmbushjen e kërkesave të qytetarëve dhe diskutimet që ata i bëjnë në vazhdimësi me qytetarët, si dhe për aspektet e qeverisjes së mirë komunale.

Gjatë këtij diskutimi nga asambleistët, u theksua se pjesëmarrja e qytetarëve në dëgjime publike është e vogël, për shkak se marrja e komunikimit dhe informimit për dëgjimet publike është shumë e vogël. Gjithashtu ata kanë theksuar se për t’i mbajtur qytetarët sa më afër duhet t’i përmbushim kërkesat e tyre.

Violeta Emini Salihu ka thënë se, puna jonë dhe suksesi jonë varet direkt nga qytetari, mirëpo kemi mungesë të fondeve. Çka kam vërejtur është se kemi një mungesë të madhe të grave në dëgjime publike. Takimet me qytetarët më shumë i kam individuale dhe mundohem që në vazhdimësi të takohem me secilin qytetar, mirëpo nëse flasim për grate, kërkesat e tyre më shumë janë rreth infrastrukturës. Ne si Lëvizje, kemi çdo të marte takime me qytetarë, dhe secili nga asambleistët i dëgjon kërkesat e të gjithë atyre qytetarëve që janë pjesë e diskutimeve publike. Ajo gjithashtu ka theksuar se duhet gjetur një metodë më kreative për pjesëmarrjen e qytetarëve në dëgjime publike.

Ndërsa, Amir Simnica, është shprehur se nuk është aq privilegj të jesh asambleist në kryeqytet, sa është përgjegjësi për të qenë asambleist. Brenda asamblesë ka mjaft debate të frytshme. Dhe çka vlen të ceket, është se në shumicën e rasteve kemi një bashkëpunim me asambleistët që janë pjesë e opozitës. Ka shumë qytetarë që nuk shprehin interesim për të marrë pjesë në debate publike, dhe forma më e mirë që qytetarët të marrin pjesë në dëgjime publike është që mos ta harrojmë adresën se ku e kemi kërkuar votën.

Kurse, Endrit Zabërgja, ka theksuar se roli i asambleistit është mjaft specifik dhe fokusi i asambleistit aktiv. Besoj që kemi mundësi që temat qëndrore mund t’i kthejmë në tema lokale. Nuk është e domosdoshme që të jesh në politikë. Ne si grup i asambleistëve, kemi synuar që t’i japim më shumë fokus aftësimit profesional. Ndër të tjera, ai ka cekur se për ngritjen e nivelit të dëgjimeve publike duhet qasje më të lehtë dhe strukturim më të madh.

Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.