Miratohet Plani Komunal i punës për arritjen e barazisë gjinore 2020-2023 Prizren

02.07.2020

Me votë unanime u miratua plani nga anëtarët e Kuvendit të Komunës, gjatë mbledhjes së rregullt të Kuvendit të Komunës së Prizrenit, ku në pikën 13 të rendit të ditës u diskutua për Planin Komunal të punës për arritjen e barazisë gjinore 2020-2023.

Inicimi, hartimi dhe miratimi i këtij plani ka rezultuar falë iniciativës dhe bashkëpunimit të grave anëtare të Kuvendit të Komunës së Prizrenit, në kuadër të projektit “Përtej barazisë numerike: Fuqizimi i grave anëtare të Kuvendeve të Komunave në qeverisje lokale”, i implementuar nga Demokraci për zhvillim (D4D).

Me anë të këtij plani, Komuna e Prizrenit  do të sigurojë që barazia gjinore do të jetë e garantuar në kuadër të të gjitha strukturave, institucioneve, politikave, procedurave, praktikave dhe programeve të Komunës dhe do të ndërmarrë këtë iniciativë si obligimin i dalë nga legjislacioni vendor dhe ndërkombëtar për arritjen e barazisë gjinore me të cilën synon

  • Krijimin  e mundësive të barabarta në pjesëmarrje dhe përfitim ekonomik  dhe përmirësimin e mirëqenies sociale;
  • Avancimin e  barazisë gjinore, zhdukjen e pabarazive dhe stereotipeve gjinore;
  • Avancimin e realizimit të të drejtave në vendimmarrje.

Ky plan është hartuar duke konsideruar instrumentet, kornizën ligjore dhe politikat kryesore ndërkombëtare dhe kombëtare për sigurimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin ekonomik të grave.

Instituti D4D, falënderon gratë anëtare të Kuvendit të Komunës së Prizrenit për angazhimin e vazhdueshëm, bashkëpunimin e pakursyeshëm dhe avokimin për të mirën e përgjithshme dhe përkushtimin për zhdukjen e pabarazive gjinore në vend.

Ky projekt mbështetet në kuadër të Programit Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC.