Me votë unanime u miratua plani nga anëtarët e Kuvendit të Komunës, gjatë mbledhjes së rregullt të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës, ku në pikën 12 të rendit të ditës u diskutua për Planin Komunal të punës për arritjen e barazisë gjinore 2020-2023.
Inicimi, hartimi dhe miratimi i këtij plani ka rezultuar falë iniciativës dhe bashkëpunimit të grave anëtare të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës, në kuadër të projektit “Përtej barazisë numerike: Fuqizimi i grave anëtare të Kuvendeve të Komunave në qeverisje lokale”, i implementuar nga Demokraci për zhvillim (D4D).
Me anë të këtij plani, Komuna e Mitrovicës do të sigurojë që barazia gjinore do të jetë e garantuar në kuadër të të gjitha strukturave, institucioneve, politikave, procedurave, praktikave dhe programeve të Komunës dhe do të ndërmarrë këtë iniciativë si obligimin i dalë nga legjislacioni vendor dhe ndërkombëtar për arritjen e barazisë gjinore me të cilën synon
- Krijimin e mundësive të barabarta në pjesëmarrje dhe përfitim ekonomik dhe përmirësimin e mirëqenies sociale;
- Avancimin e barazisë gjinore, zhdukjen e pabarazive dhe stereotipeve gjinore;
- Avancimin e realizimit të të drejtave në vendimmarrje.
Ky plan është hartuar duke konsideruar instrumentet, kornizën ligjore dhe politikat kryesore ndërkombëtare dhe kombëtare për sigurimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin ekonomik të grave.
Instituti D4D, falënderon gratë anëtare të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës dhe zyrtarën për barazi gjinore për angazhimin e vazhdueshëm, bashkëpunimin e pakursyeshëm dhe avokimin për të mirën e përgjithshme dhe përkushtimin për zhdukjen e pabarazive gjinore në vend.