Konferencë për lansimin e punimit “Mobiliteti i fuqisë punëtore: Një qasje nga poshtë-lart”

01.07.2020

Më 30 qershor 2020, D4D organizoi një konferencë me rastin e lansimit të punimit me titull: “Mobiliteti i fuqisë punëtore: Një qasje nga poshtë-lart”.

Ky punim shqyrton temën e migracionit për çështje ekonomike dhe ofron rekomandime specifike për Institucionet Kosovare dhe Bashkimit Evropian me qëllim të largimit të trurit dhe minimizimit të mundësisë së krijimit të një krize demografike në Kosovë.

Punimi analizon kontekstin dhe trendet e Kosovës në fuqinë punëtore, ofron modele të rasteve se si oferta-kërkesa për punë mund të ndikohet nga politika të reja dhe se si nevojitet një qasje rajonale nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Z. Gersi Gashi, autori i punimit, prezantoi të gjeturat dhe rekomandimet kyçe gjatë prezantimit.

Në anën tjetër, Z. Fadil Osmani, nga Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës, potencoi rendësinë e punimit dhe ofroi një pasqyrë se si Agjencia po trajton çështjen e migracionit.

Lansimi i këtij punimi u organizua nga Instituti D4D, si pjesë e projektit: “Rruga Dytësore drejt Europianizimit: Një Qasje Partneriteti”, financuar nga Fondacionet për Shoqëri të Hapur.