Komuna e Prizrenit: Takim me kryetarin Mytaher Haskuka

26.06.2020

Përkundër situatës pandemike në tërë territorin e Kosovës, punët dhe brengat e Komunave nuk kanë ndaluar. Më 26 qershor, Demokraci për Zhvillim (D4D) ka takuar kryetarin e Komunës së Prizrenit, z. Mytaher Haskuka, për ta njoftuar për projektet që D4D është duke implementuar dhe njëkohësisht për të marrë informata mbi punët e Komunës gjatë vitit të fundit.

Në këtë bashkëbisedim me kryetarin Haskuka është diskutuar për dëgjimet publike të realizuara nga Komuna gjatë vitit të fundit, mënyrat që përdoren për të komunikuar me qytetarët, dhe interesimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në ato dëgjime publike.

Njëkohësisht jemi njoftuar për investimet kapitale që janë realizuar në institucionet arsimore nga Komuna e Prizrenit, çoftë në ndërtimin e shkollave të reja ashtu edhe në restaurimin e objekteve të vjetra shkollore. Për më shumë, është hapur qendra pedagogjiko-psikologjike përmes të cilës janë punësuar disa pedagog dhe psikolog të cilët në orare të caktuara qëndrojnë në shkollat për të trajtuar nxënës sipas nevojës, dhe njëkohësisht trajnojnë mësuesit dhe udhëheqësit e shkollës në identifikimin dhe trajtimin e rasteve të bullizmit apo rasteve të tjera që pengojnë zhvillimin e fëmijëve.

Gjithashtu, temë e diskutimit ka qenë edhe përkrahja institucionale dhe financiare për grupet e margjinalizuara, veçanërisht personave me aftësi të kufizuar, ku Komuna financon projekte të organizatave që punojnë dhe ndihmojnë personat me aftësi të kufizuara. Për më tepër, Komuna është në prag të fillimit të ndërtimit të një qendre ditore për personat me aftësi të kufizuara, ku familjarët do të mund ta dërgojnë anëtarin e tyre të familjes për qëndrim gjatë ditës, ku ekipi përgjegjës do të përkujdesët për ata dhe t’i aktivizojnë ata në aktivitete të ndryshme.

Ky takim është realizuar në kuadër të projektit “Qeverisje lokale transparente dhe llogaridhënëse”, si pjesë e programit Kosova që Duam me mbështetje nga Friedrich Ebert Stiftung në Prishtinë.