Implementimi i projektit “Pako emergjente për gratë bletare të Rajonit të Drenicës” në kuadër të granteve të vogla

07.12.2020

Në kuadër të projektit “Pako emergjente për gratë bletare të Rajonit të Drenicës” implementuar nga Shoqata e grave bletare “Okarina e Runikut” është bërë mbështetja e gjashtë grave me nga dy koshere të bletëve, me nga dhjetë korniza dhe nga 25 kg ushqim artificial dimëror të nevojshëm për bletët, të cilat ndihmuan gratë të rrisin kapacitetet e fermave të tyre dhe të lehtësojë barrën financiare të familjeve të tyre gjatë kohës së pandemisë.

Qëllimi kryesor i projektit  ishte përkrahja e grave anëtare bletare të cilat kanë pësuar dëme të mëdha në fermat e tyre, gjegjësisht bletishtet, gjatë kohës së pandemisë. Aktivitetet e mbajtura gjatë implementimit të këtij projekti përfshijnë mbajtjen e trajnimeve në fushën e bletarisë me gratë që njëkohësisht janë kryefamiljare, raste sociale  apo  të mbijetuara të luftës.  Përveç trajnimit në fushën e bletarisë është mbajtur edhe një trajnim për qasjen në informata dhe dokumente në qeverisjen lokale ku gratë janë njoftuar se si të informohen dhe të përfitojnë nga qeverisja lokale.

Shoqata Okarina e Runikut ishte njëra nga organizatat përfituese të skemës së granteve të vogla të ndara nga Instituti D4D në kuadër të projektit “Adresimi i pasojave të COVID-19 në të drejtat e grave në tregun e punës” mbështetur nga Trusti i Ballkanit për Demokraci.