D4D organizoi takim ndërmjet kryetarit Lutfi Haziri dhe të rinjve të Gjilanit

19.07.2019

Instituti Demokraci për zhvillim (D4D) ka organizuar një diskutim ndërmjet kryetarit të Komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri, dhe të rinjve të Gjilanit për të diskutuar për politikat rinore të Komunës, planet dhe programet e Komunës për rininë, si dhe veprimet që Komuna ka ndërmarrë për të adresuar nevojat dhe problemet e rinisë së Gjilanit.

Krijimi i programit të bursave nga Komuna, mbështetja financiare e të rinjve që marrin pjesë në gara ndërkombëtare të diturisë, ndërtimi i terreneve sportive, si dhe ndërtimi i Shtëpisë së Rinisë ishin fokusi i diskutimit me kryetarin e Gjilanit.

Gjatë këtij diskutimi, z. Haziri theksoi rëndësinë e krijimit të programit të bursave që Komuna e Gjilanit është duke implementuar tash e disa vite, duke ofruar bursa për shkollim dhe për pjesëmarrje në gara ndërkombëtare të diturisë. Fokus më i veçantë i bursave janë vajzat e reja të vendeve rurale, të cilat për shkak të kushteve financiare dhe infrastrukturore nuk mund t’i vazhdojnë studimet në shkollën e mesme, prandaj përmes bursave Komuna është duke tentuar për të mbuluar rrugën dhe shpenzimet ditore të tyre me synim nxitjen e vazhdimit të shkollimit të tyre të mëtutjeshme.

Problem kryesorë për Komunën e Gjilanit është menaxhimi i këtij programi për shkak të mungesës së burimeve njerëzore, dhe si zgjidhje të këtij problemi Komuna e Gjilanit është duke e menduar ofrimin e menaxhimit e plotë të këtij programi një organizate joqeveritare, e cila do të merrej vetëm me menaxhimin e bursave që ndahen nga Komuna e Gjilanit.

Gjithashtu, Komuna e Gjilanit, sipas z. Haziri, është duke i kushtuar rëndësi zhvillimit të fushës së agrobiznesit dhe bujqësisë, prandaj edhe investimet e Komunës janë të orientuara në zhvillimin e shkollave profesionale dhe fakulteteve që ofrojnë këto drejtime. Në të njëjtën kohë, Komuna është duke u munduar që përmes krijimit të kushteve për studime të nxis të rinjtë që të orientohen më shumë në këto profesione, pasi që sipas z. Haziri, agrobiznesi dhe bujqësia janë e ardhmja e Komunës së Gjilanit.

Për të ndihmuar në aftësimin e të rinjve për tregun e punës, z. Haziri theksoi se Komuna e Gjilanit është duke mbështetur financiarisht deri në 100 të rinj për të kryer punë praktike, si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik. Ky program është i hapur për të gjithë të rinjtë e Gjilanit që dëshirojnë të bëjnë punë praktike. Në të njëjtën kohë, z. Haziri theksoi se ka mungesë të fondeve për të ofruar kontrata pune për ata individë që tregojnë aftësi shumë të mira gjatë punës praktike, prandaj është duke shqyrtuar mundësitë e gjetjes së fondeve për të mbuluar këtë pjesë në të ardhmen.

Në fund, z. Haziri deklaroi se do të vazhdojë të punoj ngushtë me të rinjtë e Gjilanit për të adresuar nevojat dhe kërkesat e tyre për zhvillimin e mëtutjeshëm të Komunës së Gjilanit.

Ky diskutim u realizuar në kuadër të projektit “Pjesëmarrje e gjerë për qeverisje të mirë”, i cili implementohet nga instituti Demokraci për zhvillim (D4D) në partneritet me Qendrën për Depolitizimin e Shoqërisë Kosovare (CDKD), me mbështetje financiare nga Ambasada Holandeze në Kosovë.