Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) ka prezantuar Çmimin e Barazisë si zgjerim i përpjekjeve të saj për të promovuar barazinë gjinore dhe mos-diskriminimin në punësim.
Çmimet e këtij viti synuan të promovojnë barazinë gjinore në punësim në sektorin privat. Ceremonia e ndarjes së çmimeve u mbajt më 08 korrik 2021 në Prishtinë dhe trofetë e barazisë iu dorëzuan bizneseve të nominuara si më poshtë të cilat u përzgjodhën sipas kritereve të botuara.
- Melita & Partners – kompani e specializuar për programet e kontabilitetit që lehtësojnë mbajtjen e librave dhe raportimin financiar.
- UBO Consulting – kompani e cila bën hulumtime në terren dhe analiza të të dhënave.
- Marigona Shala – pronare e biznesit individual e cila e ushtron profesionin e automekanikes.
Përfaqësuesit e bizneseve të përzgjedhura shprehën mirënjohjen e tyre për njohjen e kontributit të tyre në përparimin e barazisë gjinore përmes punësimit të grave dhe ofrimit të mundësive të barabarta për punonjësit e tyre. Ata deklaruan se çmimi do të jetë një motivim për të vazhduar këto përpjekje në mënyrë që bizneset e tyre të rriten mbi bazën e barazisë gjinore.
Çmimi Rajonal i Barazisë u dha në kuadër të projektit “Rritja e Qasjes të Grave në Punësim” i financuar nga Ambasada e Mbretërisë Norvegjeze në Prishtinë.