(Autori është drejtor i “Auriga Consulting”. Ky shkrim është hartuar në kuadër të projektit “Ajo Udhëheq: Luftimi i Gjuhës së Urrejtjes dhe Promovimi i Grave në Udhëheqjen Lokale”, që implementohet nga Demokraci për zhvillim – D4D, dhe mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë. Përmbajtja pasqyron mendimet dhe qëndrimet e autorit dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet e organizatës/donatorit)

Vlen të përsëritet që gratë përbëjnë gjysmën të shoqërisë. Çdo vendimmarrje pa pjesëmarrjen e barabartë të grave, është e cunguar dhe jolegjitime në pikëpamje demokratike. Përveç parimit të barazisë, përfshirja e grave sjell këndvështrime dhe përvoja unike që përmirësojnë cilësinë e vendimeve. Në nivel lokal, ku politikat prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve, pjesëmarrja e grave është thelbësore për të adresuar nevojat reale të popullatës.
Falë kuotave ligjore dhe përpjekjeve të shumta, përfaqësimi i grave në kuvendet komunale të Kosovës është rritur me kalimin e viteve, por ende mbetet nën nivelin e synuar. Ndërkaq, në postet kryesuese lokale, si kryetare të komunës, gratë pothuajse mungojnë. Kjo nuk është vetëm padrejtësi, por edhe humbje për shoqërinë: injorimi i gjysmës së popullsisë në vendimmarrje do të thotë lënie mënjanë të gjysmës së potencialit shoqëror – të talentit, ideve dhe zgjidhjeve të mundshme.
Vëzhgimi personal nga terreni më ka treguar se kur gratë marrin pjesë aktive në politikë, agjenda e vendimeve pasurohet me ide të reja. Kam vërejtur një dukuri domethënëse gjatë monitorimit të dëgjimeve buxhetore komunale: në rastet kur pjesëmarrës ishin vetëm burra, kërkesat e shtruara silleshin kryesisht rreth asfaltit dhe sallave sportive – sikur këto të ishin zgjidhjet e vetme për hallet e shoqërisë. Në përgjithësi, në këto raste, duket se vizioni i zhvillimit fillon e mbaron me betonin dhe sportin. Mirëpo, kur pjesëmarrëse ishin dhe gratë panorama ndryshonte dukshëm. Kërkesat e tyre shkonin përtej, drejt çështjeve më themelore për cilësinë e jetës: hapja e çerdheve për fëmijët, vendosja e paneleve solare në shkolla, apo financimi i programeve trajnuese për prindërit e fëmijëve me autizëm. Ide që kishin ndikim të madh multiplikues dhe përmirësonin jetën si tani, si në të ardhmen e largët.
Gratë, për shkak të roleve dhe përvojave të tyre, identifikojnë shpesh nevoja që mund të mbeten nën radar, kur vendimmarrja dominohet nga burrat. Ato priren të adresojnë çështje si arsimi i hershëm, shërbimet shëndetësore preventive (p.sh. mamografia mobile për gratë), mirëqenia sociale dhe mjedisi i pastër – tema me ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e shoqërisë. Këto “prioritete të buta” (krahasuar me projektet infrastrukturore) në fakt janë thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm e përmirësim cilësor të jetës.
Përvoja ime më ka mësuar se kur gratë fuqizohen të flasin dhe të veprojnë, përfitojnë të gjithë. Kjo lidhet me faktin se gratë statistikisht u japin prioritet interesave të përbashkëta dhe mirëqenies afatgjatë të komunitetit.
Që kontributi i grave të mos mbetet sporadik, duhet të sigurojmë që ato të kenë hapësirën dhe mundësitë e nevojshme për t’u angazhuar. Kjo fillon nga partitë e deri te institucionet lokale: udhëheqësit duhet të krijojnë një kulturë ku zëri i grave dëgjohet dhe merret seriozisht. Nuk mjafton plotësimi i kuotës gjinore – në praktikë, gratë duhet të kenë mundësi reale të nisin iniciativa dhe t’i çojnë ato deri në fund.
Gratë e reja që hyjnë në politikë shpesh hasin një “tavan të padukshëm”: pranohen formalisht, por jo domosdoshmërisht mirëpriten si vendimmarrëse me peshë. Shumë propozime të tyre mbeten në sirtar dhe nisma të vlefshme neglizhohen. Kjo i dekurajon dhe i shtyn drejt “aktivizmit momental”, janë aktive fillimisht, pastaj heshtin. Duhet vepruar si nga lart ashtu edhe nga poshtë: udhëheqësit institucionalë e partiakë duhet t’u japin grave mbështetje të hapur, t’i inkurajojnë në role udhëheqëse dhe t’u besojnë përgjegjësi. Ndërsa vetë gratë, brenda institucioneve apo në pozita vendimmarrëse, të këmbëngulin për hapësirën e tyre dhe të mos zmbrapsen kur hasin pengesa.
Një aspekt kyç është përfshirja e kërkesave të grave në politikat dhe buxhetet lokale. Sa herë që gratë artikulojnë nevoja – qoftë për një çerdhe, një shërbim shëndetësor apo një nismë ekonomike – institucionet duhet t’i marrin seriozisht dhe t’i përfshijnë. Kështu gratë shohin se zëri i tyre ka ndikim dhe motivohen të qëndrojnë aktive, ndërsa komuniteti përfiton nga zgjidhja e problemeve që përndryshe do të mbeteshin në harresë.
