
Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) ka organizuar aktivitetin Job Shadow Day, ku të rinjtë dhe të rejat patën mundësinë të takojnë nga afër tre ndërmarrës/e të suksesshëm dhe të mësojnë më shumë për rrugëtimin e tyre profesional.
Në kuadër të aktivitetit, të rinjtë dhe të rejat u ndanë në grupe dhe patën rastin të dëgjojnë historitë, përvojat dhe sfidat e ndërmarrjes nga:
- Rudina Kadiu Qosja – Rudi’s Cake Factory
- Blin Zeqiri – Art House & Paketos
- Elvira Ibrahimi Hoti – ACCELL
Ndërmarrësit/et ndanë me të rinjtë dhe të rejat përvojat e tyre në ndërtimin e bizneseve, sfidat e hasura gjatë këtij procesi dhe mësimet kyçe, duke shërbyer si modele frymëzuese për të rinjtë që synojnë të krijojnë bizneset e tyre në të ardhmen.
Në të njëjtën kohë, u lansua edhe hulumtimi: “Të Rinjtë nën Presion – Shëndeti Mendor dhe Tranzicioni drejt Punësimit në Kosovë”, i cili hedh dritë mbi sfidat me të cilat përballen të rinjtë gjatë kalimit nga arsimimi në tregun e punës.
Ai analizon në mënyrë të thelluar se si pasiguria ekonomike, presioni akademik dhe pasiguria e tregut të punës përforcojnë sfidat e shëndetit mendor te të rinjtë. Njëkohësisht, hulumtimi evidenton mungesën e besimit në institucione dhe qasjen e kufizuar në shërbime formale si barriera kyçe që e vështirësojnë tejkalimin e këtyre sfidave.
Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit “Inovacion për Ndikim: Pajisja e të Rinjve me Aftësi dhe Inovacion për Hyrje në Treg”, në kuadër të projektit BOOST Balkans, i financuar nga AFD – Agjencia Franceze për Zhvillim, me mbështetjen e ALDA – Organizata Evropiane për Demokracinë Lokale dhe poashtu në kuadër të projektit #HumanRightivism, që implementohet nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF) me mbështetjen e Ambasadës Suedeze Prishtinë.







