• Shqip

Sigurimi i integritetit: Verifikimi i fakteve në sistemin e drejtësisë në një epokë të keqinformimit mediatik

04.09.2024 Tringa Kasemi

Në ditët e sotme, të një kohe të shpejtë të përhapjes së lajmit, përmes mediave e rrjeteve sociale, sfidë për publikun mbetet cdo herë se cili lajm është i vërtetë dhe cili nuk është, e kjo po sjell në vazhdimësi pasoja në shoqëri.

Kjo padyshim në fushën e drejtësisë ka pasoja edhe më të mëdha, duke ditur ndjeshmërinë e rasteve, parimin e konfidencialitetit dhe sidomos mbrojtjen e rasteve dhe lëndëve gjyqësore në këtë rast, që ato të jenë sa më të drejta në tërë procesin gjyqësor në vazhdim.

Ndikimi i keqinformimit në sistemin e drejtësisë kryesisht nis nga perceptimet e qytetarëve, të cilëve shpesh u servohen lajme dhe përmbajtje jo plotësisht të verifikuara dhe kjo ndikon pastaj që ata ta kenë
një perceptim të përgjithshëm, në shumicën e rasteve jo real në plotni. Dezinformata, si në terminologji, poashtu edhe në ndikim tek masa, shpien edhe në humbjen e besimit ndaj institucioneve të drejtësisë, në aspektin e paanshmërisë dhe trajtimit të rasteve në gjykatë në mënyrë të drejtë dhe transparente. Gjykatat, shumica prej të cilave kanë Zyret për Informim, deklarojnë se puna e tyre është lehtësuar në komunikim me media dhe qytetarë, por poashtu deklarojnë se puna e tyre nuk shihet realisht për shkak të dezinformimit medial dhe shpesh për shkak të jo-profesionalizmit të mediave të cilët kërkojnë informacione që shpesh janë konfidenciale dhe për mbrojtje të palëve në procedurë ato duhen mbahen të mbyllura. Por, pastaj kur ato nuk ndahen me gazetarë, ata shkruajnë përmbajtje të ndryshme dhe ndajnë informata jo reale, ku me këtë shpallin gjyatat jo-transparente. Kjo po vazhdon të jetë sfidë për verifikim të fakteve poashtu edhe nga gjykatat, të cilëve faktet ju duhen padyshim.

Në këtë kontekst, padyshim pjesa më e pa kontrolluar mbetet të jetë mediat sociale dhe media online, pra portalet dhe shkrimet e tyre të pa verifikuara dhe shpesh raportimi i keq i tyre ndikon edhe në jetën dhe të drejtat e palëve për konfidencialitet, por edhe në tërë procedurën gjyqësore. Më e shpeshta në këto raste shihet tek rastet e dhunës në familje dhe vrasjet e grave, ku lajmi arrin të jetë në media sociale dhe media online ende pa u verifikuar dhe kjo ndikon drejtpërdrejtë në shkelje të drejtave të viktimës dhe familjarëve të tyre. Kjo përgjegjësi është e tërë shoqërisë, por më së shumti e insitucioneve përgjegjëse për kontrollë dhe verifikim të tyre.

Dimë se Ligji për Gjykatën por edhe Ligji për Komisionin e Pavarur të mediave, përmes dispozitave të tyre parashohin të gjitha, por sfidë mbetet monitorimi i ligjeve edhe në këtë fushë. Ky i fundit, pra Ligji për KPM ka mangësi të dukshme sa i përketë mbrojtjes së informatave dhe parandalimit të dezinformimit dhe verifikimit të fakteve në fushën e drejtësisë, kjo e cila sistemin e drejtësisë në Kosovë e shpien në mungesë
të mbrojtjes dhe shkelje të të drejtave të palëve në procedurë, ligj ky i cili urgjentisht duhet të ketë plotësim ndryshimet e duhura, sipas ankesave dhe komenteve të parashtruara nga të gjithë palët e interesit.

Sfidat në integritetin e verifikimit të fakteve në fushën e drejtësisë dalin të jenë shumë dhe ndryshimi i perceptimit por edhe parandalimi i këtyre lajmeve dhe keqinformimit, si obligim na takon të gjithë ne, përfshirë institucionet, gazetarët, shoqërinë civile e gjithë qytetarët, pasi që të gjithë luajmë rolin tonë në cdo fushë ku punojmë, jetojmë dhe veprojmë në përditshmëri.