• Shqip

Zemërimi nga e kaluara dhe frika nga përgjegjësia

06.06.2024 Serbeze Haxhiaj

Të mbijetuarit dhe familjarët e viktimave të luftës të etnive të ndryshme besojnë se është koha e fundit për Kosovën për një qasje gjithëpërfshirëse për t’u përballur me të kaluarën. Kjo është ajo që paraqitet në pothuajse të gjitha analizat e deritashme. Por politika ka prioritete tjera, që në të shumtën nuk përputhen me ato të viktimave.
Më shumë se dy dekada pas, qeveria e vendit ka krijuar një strategji për drejtësinë tranzicionale që ka një kuptim të ndryshëm për etnitetet e ndryshme në Kosovë. Strategjia e re e drejtësisë tranzicionale përfshin një përkushtim të përgjithësuar “për të punuar shumë” për çështjen e personave të zhdukur, të të mbijetuarve të dhunës dhe parasheh ndryshimin e ligjeve për të lehtësuar procesin e kërkimit.
Por për disa ajo po shihet si diçka që nuk është dizajnuar për të përfshirë të gjitha komunitetet e prekura.
Iniciativat e deritashme, shumica të ardhura nga shoqëria civile, kanë bërë një ndryshim të vogël. Por përderisa dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë nuk adreson çështjet pazgjidhura urgjente të ballafaqimit me të kaluarën, do të jetë e vështirë që një proces i drejtësisë tranzicionale të arrijë qëllimin e vet.
Deri më tani, iniciativat për kërkimin e së vërtetës për mbledhjen e të dhënave për krimet e kohës së luftës, numrin e të vrarëve dhe regjistrimin e dëshmive të viktimave janë realizuar kryesisht nga organizatat e shoqërisë civile.
Përpjekjet e bëra përgjatë më shumë se dy dekadave kanë sjellë pak rezultat rreth të vërtetës, drejtësisë, rimëkëmbjes dhe pajtimit.
Iniciativa e ngritur fillimisht nga ish presidenti, Hashim Thaçi, për themelimin e një Komisioni të së Vërtetës dhe Pajtimit për të vërtetuar faktet rreth luftës së viteve 1998-99 është përfshirë tani në strategjinë e drejtësisë tranzicionale, me një modifikim në emërtim: Komisioni Presidencial i së Vërtetës dhe Pajtimit.
Pavarësisht se nga emërtimi buron mundësia e themelimit përmes një dekreti, krijimi i këtij mekanizmi është lënë si opsion i hapur, nëse ndonjëherë mund realizohet, që të mund të themelohet edhe nga Kuvendi.
Në të dyja versionet pikëpyetjet janë të mëdha, e optimizmi më i vogël.

Shqetësimi më i madh mbetet legjitimiteti dhe uniteti politik që i nevojitet këtij mekanizmi, një gjë që në mjedisin e deritashëm politik zor se mund të shpresohet.
Mungesa e drejtësitë, njohjes dhe reparacioneve për viktimat e luftës në Kosovë janë ende një gropë që vlon përbrenda dhe zemërimi zor që mund të zbutet, ndërkohë që po shuhet një gjeneratë e dëshmitarëve dhe e të mbijetuarve.
Korniza aktuale ligjore e Kosovës nuk siguron të drejtën për dëmshpërblim për të gjitha viktimat e luftës, përfshirë edhe ata që pësuan menjëherë pas përfundimit zyrtar të luftës kur forcat serbe u tërhoqën nga Kosova në qershor të vitit 1999.
Është një mur i lartë që ta mjegullon shikimin e një kthinë e errët ku pikon vrer ndëretnik. Përtej supozohet të jetë një e ardhme e përbashkët me fare pak ura që lidhin bashkëjetesën e shkëputur prej dekadash në vend.
Kjo ngrehinë ndarëse shpresohet të bie në epokën e rritjes së popullizmit që po e ushqen një gjeneratë të cenueshme ndaj nacionalizmit, e lindur pas luftës, dhe e pirur të jetë shumë më mohuese se ajo që ka përjetuar luftën.
E ushqyer nga narrativa të njëanshme, propagandës politike e etno –nacionalizimit andej e këtej kufirit, kjo gjeneratë e re po shpërfaq një realitet që tregon se distanca kohore prej luftës po krijon një hendek edhe më të thellë manipulimi mbi të kaluarën.
Përtej diskursit politik, tekstet shkollore dhe shumë media në Kosovë po ofrojnë një të kaluar në një version të plasaritur, e cila thellësisht promovon ndarjen. Ndërsa në Serbi beteja për të vërteten dhe mohimin buron nga frika për fajin individual dhe përgjegjësinë kolektive.
Mënyra si po bëhet kërkimi i së vërtetës, drejtësisë dhe dëmshpërblimit sinjalizon se nuk ka shumë garanci për mos përsëritje të makthit të fundshekullit të kaluar.
Përpjekjet për të vërteten dhe pajtimin, kërkojnë një themel që mund të vihet në dialog dhe vullnetin e palëve për kompromise për të mos shikuar me zemërim kah e kaluara dhe me frikë nga përgjegjësia.

Ky editorial është shkruar në kuadër të Sallonit të së Martës i organizuar në bashkëpunim me The Friedrich-Ebert-Stiftung, Prishtina Office (FES Kosova).