Është detyra jonë, mediat ta marin seriozisht betejën me dhunën online

29.05.2024 Edina Avdiu

Diskriminimi dhe gjuha e urrejtjes në media sociale janë absolutisht dy prej preokupimeve dhe shqetësimeve më të mëdha të kësaj kohe, duke pasur parasysh zhvillimin e hovshëm të teknologjisë, e numrin e madh të përdoruesëve.

Së pari ajo që ka rëndësi është që t’i njohim këto dy koncepte. Vetëm ashtu mësojmë se si t’i reduktojmë, meqenëse, s’jam aq “ambicioze” e optimiste se mund të zhduken.

Diskriminimi përfshin trajtimin e padrejtë të individëve për shkak të karakteristikave të tyre, si raca, gjinia, feja, orientimi seksual, si dhe specifika të tjera. Në këtë kontekst gjuha e urrejtjes është pikërisht forma e shprehjes së urrejtjes ose përçmimit ndaj njërit nga grupet e caktuara.

Mediat sociale, si platformë bashkëkohore, kanë mundësuar përhapjen e shpejt ta themi të lajmit, ngjarjes a informacionit të caktuar. Por, bashkë me këto vlera, sigurisht vijnë edhe rreziqet, e konsekuencat.

Në zonat me më pak zhvillim e me probleme të natyrës politike, që drejtpërdrejt do të thotë më pak ndërgjegjësim e më pak implementim i të drejtave të njeriut, gjuha e urrejtjes e diskriminimi gjithmonë është -më shumë-.

Konkretisht nga përvoja ime në terren, konsideroj se gjuha e urrejtjes na shfaqet më vrazhdë në rrafshin etnik.

Derisa po raportoja direkt nga qyteti i Zvecanit, më 29 maj të vitit të kaluar, kur po zhvillohej një nga protestat më te dhunshme para objektit të Komunës, duke u kundërshtuar hyrja e kryetarit të ri shqiptar, bëja çmos, që emocioni të mos ma mbizotëronte raportimin. Kur them kështu parasyshë kam edhe rrezikun direkt nga personat që po protestonin, e për të cilët po raportoja. Megjithatë po kujdesësha, të mos jepja as edhe një indikacion a indicie që mund të nxistë gjuhë të urrejtjes.

Por kur protesta mbaroi, e me të mbaroi edhe raportimi im atë ditë, në rrjetet sociale pashë një pasqyrë krejt tjetër. Thënë së buti, dëshpëruese.

Në ballinat e shumë medieve online, e në postimet e individëve të ndryshëm në rrjetet sociale, disa prej tyre me peshë të madhe në pubik, shpërfaqej urrejtje e madhe.Të pasuara me mijëra komente që ftonin për dhunë, vrasje, e për luftë.

Aty mund të them se ishte momenti kyç, nga ku u nxita të mendoja më thellësisht për këtë problematikë. Meqenëse s’e kisha e s’egzistonte “fuqia e një butoni të vetëm” që të fshija gjithë ato komente, në pamundësi për të bërë diç tjetër, e ` shqetësuar fillova të hulumtoj nëse ekziston ndonjë mekanizëm që i shlyen, ose të paktën i kontrollon ato veprime e fjalë, që nxisnin urrejtje ndër-etnike.

Nga hulumtimet e leximet e mija, e shoh të domosdoshme që mediat sociale, sidomos në kontekstin e vendit tonë, duhet patjetër të ndërmarrin masa për të parandaluar dhe luftuar këto dukuri.

Kur themi në Kosovë “mediat sociale” duhet të marrin masat e duhura, kemi parasyshë edhe faktin se mediet funksionojnë në bazë të vetërregullimit. Pra, s’ka një palë të tretë qe duhet e që do të na e bëj punën tonë. Duhet ta bëjmë vet. Si? Zbatimi i rregullt i politikave të qarta kundër gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit. Organet mediale duhet të hartojnë e zbatojnë me përpikëmëri udhëzime të qarta dhe rigoroze për përdorimin e mediave sociale. Pra, rregulla të qarta kundër gjuhës së urrejtjes, që jo vetëm se ka burime të bollshme e referenca, në kuptimin e të shkruarit të tyre, por edhe në zbatim.

Përshembull, zhvillimi teknologjik na e lejon e mundëson të implementojmë teknologji për të identifikuar dhe fshirë përmbajtje që konsiderohen, diskriminuese e që përmbajnë gjuhë të urrejtjes automatikisht. Pra, të kodohen fjalët e t’i nënshtrohen “fshirjes” nga platforma në mënyrë automatike. Natyrisht për këso ndërveprime, duhet bashkëpunim me autoritete e organizata përtej mediave. Por, inicimi e proaktiviteti, sipas këndvështrimit tim duhet të vijë nga vetë mediet.

Gjuha e urrejtjes në media sociale duhet luftuar për shkak të impaktit negativ që ka në shoqëri. Ajo mund të shkaktojë ndarje, konflikte dhe diskriminim ndaj grupeve të ndryshme. Përveç kësaj, ajo mund të çojë në rritjen e intolerancës dhe përçarjes në shoqëri. Prandaj, është e rëndësishme të ndërmerrim veprime për të parandaluar dhe eliminuar gjuhën e urrejtjes në media sociale për të krijuar një ambient më të sigurt dhe më të respektueshëm për të gjithë përdoruesit.

Ky editorial është realizuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) në kuadër të projektit “Mbulueshmëria dhe kuptueshmëria e çrregullimit të informacionit në Kosovë”, që mbështetet nga NDI dhe USAID në Kosovë.