Rëndësia e parandalimit dhe dënimit të gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit LGBTIQ+

04.07.2023 Gresë Sermaxhaj

Në mars të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës nuk e kaloi në lexim të parë Kodin Civil, i cili përmbante nenin që do të mundësonte regjistrimin e bashkësive civile ndërmjet personave te seksit të njejtë.

Miratimi i tij do të përçonte mesazhin se institucioni më i lartë legjislativ përkrah, mbron dhe promovon të drejtat e personave lezbikë, homoseksualë, biseksualë, transgjinorë, queer dhe interseks (LGBTQI+) për të jetuar dhe për të lidhur marrëdhëniet ndërmjet tyre, ashtu si çdo qytetar tjetër i republikës sonë.

Kodi Civil në vete mund të interpretohet tutje nga juristë e avokues të të drejtave të njeriut. Mirëpo, për qëllimin e këtij editoriali, duhet thënë se dështimi i kalimit të tij në Kuvend shpërfaqi qartazi edhe në nivelin insitucional gjuhën urrejtëse, diskriminimin e stigmatizimin që shoqëria jonë ndjen e shfaq për këtë komunitet, në masë të madhe, dhe pastaj e reflekton përmes përfaqësuesve të vet.

Përderisa po flitej për këtë kod, përgjatë kohës sa po mbahej seanca, si dhe ditë e javë pas dështimit të kalimit të tij, rrjetet sociale e mediat nxorën në pah gjuhën skajshmërisht urrejtëse e dhunënxitëse ndaj personave të komunitetit LGBTQI+.

Kjo gjuhë urrejtëse hasej nëpër komente në rrjete sociale, biseda e shprehje rasti mes njerëzish, e edhe tituj e tekste të mediave.

Raporti i Shoqërisë Civile për të Drejtat e Njeriut për vitin 2022 në Kosovë, ndër të tjerash, vë theksin edhe te gjuha e urrejtjes e përdorur gjatë seancës së diskutimit të Kodit Civil në Kuvendin e Kosovës. Sipas këtij raporti të hartuar me të dhëna dhe kontribut nga gjithsej 37 organizata të shoqërisë civile që punojnë në fushën e të drejtave të njeriut në mbarë Kosovën, kjo gjuhë urrejtëse sygjeron se sa i thellë është diskriminimi ndaj personave LGBTQI+ në Kosovë.

Për më tepër, raporti tërheq vërejtjen se ky diskutim veçse ka përkeqësuar pozicionin tashmë të dobët të individëve LGBTQI+, duke minuar përpjekjet aktive për të arritur në një shoqëri më të hapur dhe më të barabartë të përbashkët për të gjithë anëtarët e komunitetit.

Mediat, titujt krejt senzacional si dhe komentet e ndryshme negative e homofobe që u referohen personave LGBTQI+ si persona me ‘probleme mendore’,  ‘të sëmurë psiqikë’, e ‘të degjeruar moralisht’, janë ndër shprehjet më të “shpeshta” që u përdorën gjatë kësaj periudhe. Natyrisht, një gjuhë e atillë edhe stigmatizon tutje shëndetin mendor të të gjithëve pa përjashtim, e jo vetëm të personave LGBTQI+, mirëpo kjo do të na dërgonte në një temë tjetër.

Një mënyrë që ky komunitet të gëzojë hapësirën e të drejtat e merituara është që të kenë vend të denjë në diskutimin publik. Gjuha ka rëndësi tejet të madhe në shtrirjen dhe respektimin e të drejtave tona, e të të tjerëve.

Si mund të presim që të respektojnë qasjen e barabartë të tjetrit/tjetrës në sferën publike, teksa dëgjojmë e përdorim shprehje përplot urrejtje, përbuzje e stigmatizim ndaj dikujt për shkak të orientimit dhe shprehjes së seksualitetit të tyre.

Për hirë të argumentimit, nëse thjeshtëzojmë deri në thelb, atëherë mund të themi se edhe kushtetuta e ligjet janë pajtim e obligim për të drejtat tona të hedhura në letër përmes një gjuhë specifike. Gjuhë e pranueshme nga të gjithë me gjithçka që përfaqëson në praktikë.

Andaj, gjuha urrejtëse është diçka për të cilën duhet diskutuar për të parandaluar pasojat reale të cilat ajo sjell te personat e këtij komunitetit. Kjo gjuhë nuk mbetet vetëm online apo diku në hapësirë. Ajo i hap rrugë dhunës dhe stigmatizimit të mëtejmë të komunitetit LGBTI në Kosovë. Kjo gjuhë duhet larguar, e shumë me rëndësi, edhe duhet dënuar përmes mekanizmave që kushtetuta e ligjet përcaktojnë.

Përgjithësisht, korniza ligjore në Kosoovë, që nga aspekti Kushtetues, njeh orientimin seksual dhe identitetin gjinor si baza për mbrojtje. Në praktikë jeta e lirë dhe e barabartë e komunitetit LGBTQI+ rrezikohet e cenohet në disa forma, duke filluar nga gjuha me të cilën shoqëria flet për këtë komunitet.

Insitucionet nuk kanë të dhëna të ndara në kategori të veçantë lidhur me rastet e diskriminimit apo të dhunës ndaj komunitetit LGBTQI+. Kjo patjetër që e ndërlikon njohjen reale të situatës si dhe ndëshkrimin e këtyre krimeve. Dhuna ndaj komunitetit LGBTQI+ në Kosovë, sipas përfaqësuesëve të Qendrës për Barazi dhe Liri (CEL) shpesh herë është nxitur nga gjuha urrejtëse për këtë komunitet, i cili duke parë këtë gjuhë mbizotëruese ndjehen edhe të frikësuar e mbyllen në vete.

Kur flasim për gjuhën urrejtëse apo edhe të gabuar të përdorur ndaj këtij komuniteti edhe në media, duhet të përmendim se CEL ka të publikuar edhe Manualin për gazetarë: si ta mbuloni komunitetin LGBTI (2019).

Shoqëria civile e aktivistë për të drejtat e komunitetit LGBTI çdo herë e më shumë janë duke trasuar rrugën për institucionet e për shoqërinë e gjerë drejt pranimit të plotë, e shumë të nevojshëm për demokracinë tonë, të komunitetit LGBT në çdo sferë të organizimit tonë socio-politik.

Na mbetet edhe ne, secilit e secilës prej nesh, që të bëjmë hapin tonë drejt shoqërisë e mjedisit që e duam. Në fuqinë tonë le të japim çdo ditë për tjetrin atë që padyshim e duam për veten- respektin, barazinë dhe lirinë që të jemi vetja në sferën publike.

*Ky editorial është shkruar si reflektim i dalë nga diskutimi i mbajtur më 27 qershor 2023, për të cilin mund të lexoni edhe KËTU.

Ky artikull është shkruar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Kundër diskriminimit, gjuhës së urrejtjes dhe dhunës me bazë gjinore”. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e ATRC, IKS dhe D4D dhe jo domosdoshmërisht pasqyrojnë pikëpamjet e Bashkimit Evropian.