• Shqip

Rëndësia e avokimit për një pozitë më të mirë të të rinjve

27.03.2023 Ferdian Shala

Avokimi është një nga proceset e duhura që ndihmon në avancimin e kërkesave dhe ideve tek institucionet vendore, prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që të rinjtë të fuqizohen në rolin aktiv përmes të cilit mund të avancojnë politika që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e të rinjve. Kjo arrihet vetëm atëherë kur institucionet qendrore dhe ato lokale fillojnë fushatat vetëdijesuese rreth rolit të cilin të rinjtë e kanë në procesin e avokimit e që përmes kësaj do të mund të arrinin ndërtimin e politikave të cilat do të preknin direkt jetën e të rinjve e të cilët do të shndërroheshin në promotor të ndryshimit, përmes avokimit gjithashtu edhe përmes ideve inovative të cilat të rinjtë do të mund ti realizonin në lokalitete të cilat jetojnë.

Pjesa më e madhe e të rinjve nuk arrijnë që ti shfrytëzojnë mundësit që ata kanë për të qenë pjesë aktive e vendimmarrjes dhe për ti quar përpara çështjet dhe kërkesat të cilat burojnë nga ta, kjo për shkak të mungesës së njohurive mbi mundësit vepruese të tyre në mënyrë direkte në institucionet lokale. Komuna e Lipjanit organizon mbi 20 dëgjime publike me qytetarë siç janë dëgjimet për hartimin e buxhetit komunal, në këto takime Drejtorati për Buxhet dhe Financa diskuton rreth projekteve dhe ideve me qëllim inkorporimin e tyre në planifikimin e buxhetit, prandaj sikur të rinjtë të merrnin pjesë do të kishin mundësi që t’i adresonin projektet dhe idetë e tyre.

Mungesa e pjesëmarrjes së të rinjve në këto takime pamundëson realizimin e kërkesave të tyre në rrugët e duhura institucionale. Kjo mungesë është tejet e theksuar sidomos në zonat rurale ku në shumicën e këtyre takimeve të organizuara me qëllim konsultimin mbi idetë dhe projektet me më prioritet për banorët e atyre vendbanimeve të rinjtë nuk marrin pjesë fare. Prandaj, kjo tregon se të rinjtë nuk kanë njohuri mbi rrugët vepruese për ti quar përpara kërkesat e tyre dhe për të pasur ndikim përmes procesit të avokimit në përfshirjen e ideve dhe projekteve të cilat do të mund të ndikonin direkt në jetën e tyre. Përmes këtyre takimeve avokimi do të ishte njëra ndër mundësit që të rinjtë ti realizojnë kërkesat në të mirë të sektorit të rinisë.

Drejtorati për Kulturë, Rini dhe Sport, tashmë e ka paraparë në organogramin e ri të komunës së Lipjanit ndarjen e veçantë të sektorit të rinisë sektor ky i cili deri me tani ishte së bashku me sektorin e sportit. Kjo do të jetë një mundësi shumë më e mirë për të gjithë ata të rinjë të cilët dëshirojnë të kontribuojnë në zhvillimin sa më të mirë të politikave lokale, pasi që përmes këtij sektori të rinjtë lipjanas do të kenë mundësi që ti adresojnë direkt kërkesat e tyre, por pse jo edhe të vijnë me ide të projekteve të cilat kanë karakter zhvillimin e këtij sektori, prandaj është tejet i rëndësishëm sinkronizimi institucional karshi të rinjve.

Ngritja e kapaciteteve të të rinjve në përfshirjen e tyre në procesin e avokimit do të jetë sfidë jo vetëm për institucionet lokale por edhe për ato qendrore. Pa një strategji të qartë nga niveli qendror mbi edukimin e të rinjve në procesin e avokimit do të jetë tejet sfiduese edhe për nivelin lokal. Organizatat e shoqërisë civile janë në numër të vogël që merren në mënyrë eksplicite me përgatitjen dhe edukimin e të rinjve në përfshirjen e tyre në procesin e avokimit karshi institucioneve lokale. Avokimi mund t’iu ndihmoj të rinjve që të dëgjohet zëri i tyre duke marrë pjesë në takime me institucione lokale me qëllim avancimin e politikave të cilat prekin direkt jetën e tyre.

Ky OP-ED është shkruar në kuadër të Sallonit në Komuna që është mbajtur në Komunën e Lipjanit, e që është mbështetur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS).