Komuna e Kllokotit: Përfshirja e Rinisë dhe Grave në vendimmarrje

23.11.2018

Rritja e përfshirjes së rinisë dhe grave në proceset vendimmarrëse në qeverisjen lokale mbetet një sfidë në pothuajse të gjitha Komunat e Kosovës. Për të trajtuar këtë çështje, instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) në partneritet me Qendrën për Depolitizimin e Shoqërisë Kosovare (CDKD) ka vazhduar me diskutimin e radhës të formatit Agora ndërmjet zyrtarëve komunal dhe qytetarëve, përfaqësuesve të organizatave joqeveritare, dhe përfaqësuesve të subjekteve politike.

Në diskutimin e mbajtur në Komunën e Kllokotit, pjesëmarrësit patën mundësi të informohen nga zyrtarët komunal për punën e Komunës gjatë muajve të fundit, mundësive për mbështetje që ofron Komuna, si dhe hapësirave për pjesëmarrje të qytetarëve në proceset vendimmarrëse të Komunës.

Sipas zyrtarëve komunal, pjesëmarrja e rinisë dhe grave në diskutimet publike të organizuara nga Komuna është i kënaqshëm dhe kontributi i tyre gjatë këtyre proceseve është shqyrtuar me kujdes nga Komuna. Megjithatë, u theksua rëndësia e rritjes së pjesëmarrjes të këtyre dy grupeve në vendimmarrje, duke ofruar trajnime dhe punëtori të ndryshme për identifikimin e problemeve kryesore të rinisë dhe grave, e pastaj të lobojnë dhe avokojnë për zgjidhjen e tyre së bashku me Komunën e Kllokotit.

Në anën tjetër, pjesëmarrësit në këtë diskutim theksuan si problem serioz ndarja ndërmjet zyrtarëve komunal dhe qytetarëve të Komunës, duke deklaruar se në pjesën më të madhe të rasteve qytetarët janë duke pasur vështirësi që të kontaktojnë me të zgjedhurit e tyre dhe të diskutojnë rreth problemeve të tyre, dhe si rrjedhojë problemet e tyre janë duke u rritur dita ditës.

Një ide konkrete të përmirësimit të bashkëpunimit ndërmjet Komunës dhe qytetarëve ishte zhvillimi i një platforme elektronike përmes të cilës qytetarët do të mund të raportonin problemet e tyre, dhe Komuna e Kllokotit do të shqyrtonte ato dhe sipas mundësive edhe t’i adresojë ato sipas mundësive buxhetore, gjë që do të kontribuonte në kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet qeverisëse.

Ky diskutim u organizuar në kuadër të projektit “Pjesëmarrje e gjerë për qeverisje të mirë”, zbatuar nga instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) në partneritet me Qendrën për Depolitizimin e Shoqërisë Kosovare (CDKD), mbështetur financiarisht nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë.