• Shqip

A kanë kontratat afatshkurtra gjini?

18.04.2017 Dita Dobranja

Tregu i punës në Kosovë ka mangësi të shumta, duke filluar nga ajo më problematikja që është mungesa e vendeve të punës, hendeku në mes të aftësive që kërkohen nga punëdhënësit dhe ato që i ofrojnë punëkërkuesit, problemet me zbatimin e Ligjit të Punës nëpër vendet e punës ekzistuese, e deri te mungesa e sigurisë në punë – qoftë ajo fizike ose si rezultat i mungesës së kontratave. Në të gjitha problemet, ka kategori të punëkërkuesve dhe punëtorëve që preken më shumë se të tjerët. Në masë të madhe, rinia dhe gratë mbesin të nën-përfaqësuar në tregun e punës. Një problem i tillë cilësohen edhe kontratat afatshkurtra. Punëtorët që posedojnë kontrata afatshkurta ballafaqohen me një sërë pasigurish, të cilat fillojnë me pamundësi të planifikimeve afatgjata, dhe vazhdojnë me pozitën e pafavorshme negocuse kundrejt punëdhënësve. Sidoqoftë, kontratat afatshkurta si dukuri janë në rritje nëpër botë. Arsyeja e parë për këtë, është ri-fokusimi i ekonomisë globale drejt shërbimeve, e posaçërisht shërbimeve në sektorin e teknologjisë informative – sektor ky që kërkon shpesh punë afatshkurta dhe periodike. Arsyeja tjetër është kriza ekonomike globale dhe ndikimi i saj në rritjen e kujdesit nga ana e sektorit privat për të mos investuar apo planifikuar përtej të ardhmes së afërt.

Kontratat afatshkurta, nëse përdoren pa tendenca të keqpërdorimit të punëtorëve, janë të nevojshme në një treg dinamik dhe sezonal. Në Kosovë, duke pasur parasysh indikatorët ekonomik, është tejet e vështirë për sektorin privat të përpilojnë plane afatgjate, të tilla të cilat parashohin edhe planifikimin e fuqisë punëtore. Duke i shtuar kësaj edhe strukturën ekonomike të bazuar në konsum, e cila ndikohet nga faktorë sezonal siç është diaspora, rritja sezonale dhe afatshkurtër e aktivitetit ekonomik e vë në pah nevojën për ekzistencën e kontratave të punës për t’i akomoduar këto trende. Sidoqoftë, keqpërdorimi i tyre përtej nevojave të tilla është arsyeja prapa debatit në Kosovë, i cili fokusohet në aspektin negativ të kontratave afatshkurta, veçanërisht ndikimin e tyre tek gratë. Në Kosovë, gratë, kanë shkallën më të lartë të jo-aktivitetit ekonomik në rajon, ku mbi 80% e grave të moshës së punës, as nuk kërkojnë punë. Tek ato të cilat kërkojnë punë, niveli i papunësisë është rreth 37%. Kjo i rritë gjasat që gratë të pësojnë nga pasiguritë e tregut.

Si? Sepse kur vetëm 18% e grave në Kosovë kërkojnë punë, dhe prej tyre vetëm 63% janë të punësuara, pozita e grave në tregun e punës është shumë e pafavorshme. Kjo pozitë pastaj i shtynë gratë të pranojnë vende të punës me kushte të cilat shumë shpesh janë edhe eksploative. Kontratat e tilla shpesh shërbejnë për të përmirësuar pozitën e negocuese të punëdhënësit karshi punëtoreve të tyre, duke i dhënë mundësi të ofrojnë kushte më të pafavorshme të punës – qofshin ato në formë kompensimi, të orarit, apo edhe të pagesës së benefiteve. Ajo që i bën këto kontrata shumë më problematike për gratë është edhe fakti që kontratat afatshkurta përdoren edhe si formë legale për të shkëputur kontratat me gratë që janë në proces të krijimit të familjes.

Një nga arsyetimet që vjen nga sektori privat për shkelje të tilla, është vet barra e kushtueshme që bizneset duhet ta paguajnë, sipas Ligjit të Punës, në rast të shtatzënisë së punëtoreve të tyre. Kontratat afatshkurta skadojnë, ato nuk duhet të ndërpriten në raste të shtatzënive, dhe kështu, punëdhënësit mënjanojnë barrën që ato parashihet ta mbajnë – atë të pagesës së 70% të rrogës së një punëtoreje, gjatë 6 muajve të parë të pushimit të lehonisë. Kjo dispozitë nuk vlen edhe për baballarët, dhe në këtë mënyrë, punëdhënësit me më shumë gjasa i ofrojnë kontrata afatshkurta grave se burrave kur i punësojnë.

Në anën tjetër, argumenti që duke pasur parasysh faktin që një numër i madh i punëtorëve në Kosovë punojnë pa kontrata, ekzistenca e çfarëdo kontratave, qofshin ato afatshkurta ose me afat të caktuar, duhet të konsiderohet pozitive, ka bazë në realitetin e tregut të punës në Kosovë. Nëse kontratat afatshkurta rezultojnë nga orientimi më i madh i ekonomisë tek teknologjia informative, po ashtu duhet të konsiderohet pozitive. Mirëpo, në raste kur këto kontrata shfrytëzohen për keqpërdorimin e punëtorëve, duhet të rishikohen të gjitha format që të mos lejohet një gjë e tillë. Një hap i tillë mbetet amandamentimi i Ligjit të Punës, për të balancuar barrën e punëdhënësit gjatë pushimit të lehonisë, për t’i dekurajuar punëdhënësit të diskriminojnë gratë në punë, me kushte dhe kontrata të papërshtatshme.

Kontratat afatshkurtra dhe keqpërdorimi i tyre përfundimisht shpërfaqin diskrepancën në mes të mundësive biznesore dhe politikave publike në Kosovë. Problemet diskriminuese në tregun e punës me të cilat ballafaqohen gratë në baza ditore janë po aq rezultat i politikave të mangëta publike, sa janë rezultat i praktikave të sektorit privat. Përmirësimi i politikave publike, monitorimi i zbatimit të tyre, minimizimi i mundësive dhe arsyeve për sektorin privat të diskriminojë dhe keqpërdorë punëtorët në baza gjinore, ndikojnë në përmirësimin e situatës në treg. Rishikimi i dispozitave ligjore që hapin rrugë për diskriminim gjinor në praktikë, duhet të analizohet dhe adresohet nga vet institucionet shtetërore. Dhe mbi të gjitha, duhet të rritet vetëdija për praktikat e pandërgjegjshme biznesore dhe për raportimin e tyre tek inspektoratet dhe organet tjera përgjegjëse, që edhe punëtorët t’i gëzojnë të drejtat e tyre, dhe bizneset të mos ekspozohen ndaj problemeve të tilla në tregun e punës.