Të rinjtë e Komunës së Mitrovicës: Si të stimulohet pjesëmarrja në aktivitete rinore?

16.12.2019

Aktivizimi i të rinjve si dhe roli i komunës në ofrimin e mundësive për aktivitete rinore ishin disa nga pikat të cilat u diskutuan në Sallonin me Rini me temë: “Të rinjtë e Komunës së Mitrovicës: Si të stimulohet pjesëmarrja në aktivitete rinore?”, i cili u mbajt më datë 12 dhjetor në Komunën e Mitrovicës.

Aktivitetet rinore luajnë një rol të rëndësishëm në sensibilizimin dhe aktivizimin e të rinjve prandaj edhe roli i komunës është shumë i rëndësishëm në këtë aspekt. Gjatë këtij diskutimi, ndër të tjera panelistët theksuan se aktivitetet të cilat promovojnë punën e rinisë medoemos duhet të kenë edhe mbështetjen nga institucionet komunale në mënyrë që sa më shumë të rinj të jenë të angazhuar. Ndërkaq, nga të pranishmit u shpreh si nevojë që të kenë një buxhet më të lartë për departamentin e rinisë në mënyrë që t’u mundësohet realizimi i kërkesave të tyre.

Fryma e tolerancës dhe bashkëpunimit pa asnjë dallim, është ajo e cila duhet t’i karakterizoj të rinjtë në mënyrë që të kenë sukses në organizimin dhe implementimin e aktiviteteve rinore.

Pjesë e panelit në këtë sallon ishin: Feim Hoxha, Drejtor i Departamentit të Rinisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit; Faruk Mujka, Nënkryetar, Komuna e Mitrovicës; Abedin Pllana, Zyrtar për Rini në Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Liridon Kurti, Kryetar, Këshilli i Veprimit Rinor Lokal në Mitrovicë.

Ky sallon është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës.

Sallonet e ardhshme