Sinjalizuesit vs. të fortit: Kush po mbrohet nga ligji?

12.12.2019

Sinjalizuesit e korrupsionit janë personat të cilët paralajmërojnë apo raportojnë për afera korruptive. Por çfarë po ndodhë më saktësisht me këta persona? A po mbeten anonim? Cili është roli i Agjencisë Kundër Korrupsionit? Kush po mbrohet nga ligji, sinjalizuesit apo “të fortit” e korruptuar? Ishin këto disa nga pikat për të cilat u diskutua në Sallonin e së Martës me temë: “Sinjalizuesit vs. të fortit: Kush po mbrohet nga ligji?”.

Ka një vit prej se ligji për sinjalizues ka hyrë në fuqi, ligj i cili rregullon procedurën e sinjalizimit, të drejtat e sinjalizuesit, përgjegjësitë e institucioneve si dhe kanaleve përmes të cilave duhet të bëhet sinjalizimi. Gjatë diskutimit në Sallonin e së Martës, u theksua se problem në implementimin e këtij ligji ndër të tjera ka shkaktuar edhe mungesa e vullnetit politik si dhe atij shoqëror.

Panelistët potencuan se ekziston mungesë e informimit të qytetarëve për rolin e sinjalizuesve. Por përpos kësaj, ekzsiton edhe mungesë e informacioneve për procedurën e sinjalizimit dhe për mekanizmat që duhet të shfrytëzohen nga sinjalizuesit në mënyrë që të mos bëhet shkelje ligjore. Çështje tjetër e cila u diskutua ishte arritja e vendosjes së pikave kontaktuese në shumicën e institucioneve por që ende është problematik parimi i konfidencialitetit dhe besueshmërisë në ato pika kontaktuese si dhe mungesa e profesionalizmit shpeshherë te personat që janë përgjegjës në to.

U shpreh nevoja për fuqizimin e inspektoriatit të punës, shtimin e numrit të inspektorëve si dhe trajnimin e personave përgjegjës për trajtimin e rasteve të sinjalizimit. Ndërkaq vullneti në luftimin e korrupsionit si dhe bashkëpunimi ndërinstitucional shihen si parakushte që të kemi shtetndërtim dhe sundim të ligjit.

Pjesë e panelit në këtë sallon ishin: Shaip Havolli, Drejtor, Agjencia Kundër Korrupsionit; Arbresha Loxha, Drejtore, Grupi për Studime Politike dhe Juridike si dhe Florent Spahija, Këshilltar Ligjor, Instituti Demokratik i Kosovës. Salloni u moderua nga: Saranda Ramaj, Gazetare, Koha Ditore.

Sallonet e ardhshme