Siguria njerëzore: Si ka ndikuar pandemia në nevojat e sigurisë njerëzore në Kosovë?

18.11.2020

Më datë 17 nëntor, u mbajt Salloni i së martës me temë: “Siguria njerëzore: Si ka ndikuar pandemia në nevojat e sigurisë njerëzore në Kosovë?“. Pjesë e panelit në këtë Sallon ishin: Besa Kabashi Ramaj, Eksperte e Sigurisë Kombëtare, Themeluese | CEO | B.K.R. & Associates; Nuredin Ibishi, Ekspert i çështjeve të sigurisë dhe Mentor Cakolli, Menaxher i Programit per Siguri, UNDP Kosovo.

Viti 2020 ka qenë një ndër vitet më të vështira në Kosovë që nga pas lufta për shkak të përballjes më pandeminë e cila përveq dëmeve ekonomike, sociale dhe politike, ka ndikuar edhe në fushën e sigurisë njerëzore. Pikërisht për këtë arsye, Instituti D4D ka vendosur të paraqesë këtë shqetësim përmes debatit mes ekpertëve në kuadër të Sallonit të së martës, aktivitet ky javor i cili kontribuon në fusha të ndryshme. Me shumë kënaqësi për ne, fjala hyrëse e këtij salloni u realizua nga drejtori i Friedrich-Ebert-Stiftung në Kosovë, z. Rene Schlee, i cili potencoi se siguria e qytetarëve, padyshim që këtë vit ishte shumë e vështirë, veçanërisht kur bëhet fjalë për sigurinë shëndetësore dhe sigurinë ekonomike, prandaj jemi shumë të kënaqur që kemi një kontribut kaq të shkëlqyeshëm këtu nga ekspertë tanë.

Folësja e parë e këtij paneli znj. Besa Kabashi Ramaj, bashkëbisedoi për çështjen e sigurisë njerëzore në Kosovë dhe vështirësinë e saj për t’u trajtuar, si rezultat i mungesës së progresit në format me të cilat bota e trajton sigurinë e përgjithshme, kombëtare e njerëzore. Ajo tha se në Kosovë koncepti i sigurisë i drejtohet Forcave të Sigurisë së Kosovës ose Policisë së Kosovës, që janë format tradicionale të sigurisë dhe hera e parë që siguria njerëzore u përmend si term në Kosovë ishte gjatë Rishiqimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë, implementimi i të cilit nuk është bërë asnjëherë për arsye të mos kuptimit të drejtë të rekomandimeve mbi sigurinë njerëzore nga organi/institucioni kompetent. Në këtë situatë që jemi, me pandeminë që po prek çdo aspekt të jetës në Kosovë dhe gjetkë, në mungesë të parapërgaditjes për përgjigje ndaj sigurisë njerëzore dhe shoqërore të gjitha institucionet në një mënyrë kanë dështuar ta kryejnë këtë detyrë, duke mos konsideruar veten të lidhura me sigurinë njerëzore drejtëpërdrejtë.

Nuredin Ibishi, si pjesë e këtij paneli foli më specifikisht për qasjet e përgjithshme, konceptet teorike të sigurisë njerëzore, shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë, sigurinë e grave dhe fëmijëve si grup specifik i shoqërisë, sigurinë shëndetësore e personave të tretë ose atyre të cilët kanë qenë direkt të prekur nga virusi Covid-19 si dhe për studimin e përgaditur nga ekipi i Bankës Botërore për drejtimin e politikave me bazë në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Mentor Cakolli, potencoi mes panelistëve dhe pjesëmarrësve në këtë sallon se aspekti i imponuar i distancimit shoqëror, kufizimet në lëvizje dhe rregullat e reja që mundësojnë parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid-19, si dhe definimi nga institucionet përkatëse se kush mund të punoj, sa dhe si, në një mënyrë kanë kthyer mbrapsht jetën e qytetarëve. Këto zhvillime kanë shtuar angazhime të reja tek institucionet e zbatimit të ligjit dhe forcat policore për shkak të mbajtjes së rendit shoqëror dhe ofrimit të sigurisë shoqërore në kohë pandemie pasiqë jemi dëshmitarë të një ndryshimi të formave të krimit, duke u fokusuar në krimet ndaj popullsisë ose grupeve të popullsisë që janë prekur më rëndë nga virusi Covid-19. Njëherazi z. Cakolli foli për përdorimin e platformave online për vazhdimin e procesit mësimor dhe të punës, duke bërë të ditur faktin se një nga rreziqet më të mëdha të sigurisë njerëzore gjendet mu në këto platforma të cilat lejojnë sulmet kibernetike nga persona të ndryshëm.

Moderimi i këtij Salloni u realizua nga Skender Perteshi, Hulumtues, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, nga i cili do të shkruhet edhe editoriali.


Ky sallon është mbështetur nga Friedrich-Ebert-Stiftung.

Sallonet e ardhshme